• |
ide | kryesore

Përfundon takimi me ekipin negociator me Serbinë, Veseli: Kurrë s’do t’i nënshtrohemi Vuçiçit

Planet


Ka përfunduar mbledhja e thirrur nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mes Presidentit të vendit, Hashim Thaçit, kreut të qeverisë, Ramush Haradinajt dhe anëtarëve të ekipit negociator në procesin e dialogut me Serbinë, Zv.kryeministrit Fatmir Limajt dhe drejtuesit të Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmetit. Në një dalje publike pas këtij takimi të nivelit të lartë, Veseli ka bërë me dije se është dakorduar një qendrim i unifikuar i Kosovës zyrtare për Samitin e Parisit, që pritet të mbahet më datë 2 korrik, në vijim të punimeve dhe të objektivave të Samitit të Berlinit për forcimin e stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Megjithatë, në dallim nga shefi i ekzekutivit që i është përmbajtur lënies në fuqi të taksës ndaj mallrave dhe produkteve me origjinë nga Serbia, Veseli u shpreh se vendimi për këtë masë do të rishikohet në konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e Bashkimit Europian. “Kurrë s’kemi për t’u nënshtruar ndaj Serbisë dhe ndaj Vuçiçit. E marrim vendimin sipas interesit tonë si shtet i pavarur dhe sovran, me maturi e me mençuri, sipas asaj që thonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët tanë”, tha kreu i legjislativit për mediat.

Më tej, Veseli vuri theksin tek domosdoshmëria e asistencës së SHBA-ve në zgjidhjen e konfliktit me Serbinë dhe në normalizimin e marrëdhënieve bilaterale. “Një nga shtetet më domethënëse, mike për Kosovën, por edhe me rolin më të fuqishëm global në rruzullin tokës është SHBA”, u shpreh lideri i PDK-së, duke e përmbyllur deklaratën e tij më dhënien e garancisë se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, nuk do të jetë pjesë e asnjë negocimi të mundshëm.

 


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *