• |
ide | kryesore

Zgjedhjet në veri të Kosovës/ Kryetarët serbë të komunave refuzojnë të betohen para simboleve shtetërore

Planet



Kryetarët e porsazgjedhur të katër komunave në veri të Kosovës (Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut), kanë refuzuar të kryejnë betimin procedurial para flamurit dhe simboleve të tjera identifikuese shtetërore. Sipas drejtorit të Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, ky mospajtim me rregullat protokollare të Republikës së Kosovës, përbën një politikë bllokuese, që do të çojë në vijimësinë e problematika në veri të vendit.

“Ne jemi të mendimit se sjelljet e kryetarëve të komunave veriore janë një lloj presioni ndaj institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës. Besoj që këtu Ministria e Pushtetit Lokal dhe organet tjera të drejtësisë së Kosovës duhet ta shohin qartë se për çka është fjala dhe unë besoj se këtu do të kemi një vazhdimësi të problemeve me këta kryetarë, sepse ata do të vijnë vazhdimisht në kundërshtim me ligjet e Kosovës.”– ka thënë Sheholli i pyetur nga “Zëri”.

Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës u mbajtën pasi më 27 nëntor të vitit 2018, kryetarët e këtyre njësive vendore: Stevan Vuloviq në Zubin Potoku, Zoran Todiq në Leposaviq, Vuçina Jankoviq në Zveçan dhe Goran Rakiq në Mitrovicën Veriore, dhanë dorëheqjen në shenjë mospajtimi ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 % ndaj produkteve të importuara nga Serbia. Në një deklaratë të përbashkët për mediat, ish-krerët e komunave u shprehën se përmes taksës, serbëve të Kosovës u ishte kërcënuar e drejta për jetesë, shërim dhe mbijetesë.

Vendosja e kësaj mase u ndërmorr nga qeveria kosovare si reagim ndaj kundërshtimit të Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, si edhe ndaj politikës së diplomacisë serbe në vende të caktuara të Bashkimit Evropian për tërheqjen e njohjes zyrtare të Kosovës. “Një kohë të gjatë Kosova është penguar, është penguar në transport, në analiza. CEFTA nuk ka fuksionuar në mes Kosovës dhe Serbisë. Unë e përkrahi propozimin e juaj”, e argumentoi në krye të herës vendimin kreu i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka shprehur vendosmërinë për ta mbajtur në fuqi këtë taksë derisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, përkundër apelit të komunitetit ndërkombëtar për heqjen e taksës dhe uljen në tryezën e bisedimeve.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *