• |
ide | kryesore

Vettingu, pa probleme për gjyqtaren e ‘Shullazit’

Arkiva, Lajme, Të fundit


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi dje seancat dëgjimore me drejtuesen e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Saida Dollanin, dhe prokurorinë e Prokurorisë për Krime të Rënda, Behar Dibrën, të dy rezultuan pa probleme.

Hetimi ishte kryer në tri kriteret e rivlerësimit. Kështu, për Dollanin, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit ka dorëzuar një raport me konstatimin se ka kryer deklarim të saktë, ka burime të ligjshme për krijimin e pasurive, nuk ka kryer deklarim të rremë apo fshehje të pasurive.

Edhe nga hetimi i KPK-së, nuk kanë rezultuar probleme për gjyqtaren, ndërsa në sitë janë kaluar edhe shpenzimet për shkollimin e fëmijëve në Francë. Sipas relacionit, Dollani ka në pronësi një apartament të dhuruar nga motra e saj, me sipërfaqe 79 metra katrorë në Tiranë. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se motra e Dollanit ka qenë në Shqipëri kur është realizuar kontrata e dhurimit.

Më tej, relatorja u shpreh se rezulton që Dollani të ketë paguar detyrimet lidhur me kalimin e kësaj pasurie në pronësi të saj dhe se nuk janë gjetur indicie për të ngritur dyshime rreth ligjshmërisë së burimit të krijimit.

Në adresë të gjyqtares janë bërë 7 denoncime dhe asnjë prej tyre nuk kishte indicie për shkelje, edhe denoncimi i bërë nga Emiljano Shullazi dhe 4 të pandehurit e tjerë nuk krijoi probleme për Dollanin, që sot pritet të konfirmohet në detyrë.

BEHAR DIBRA

Edhe për prokurorin Behar Dibra ka qenë një seancë e lehtë ajo e djeshmja në KPK. Duke iu referuar Komisionit, në lidhje me pasurinë, ILDKPKI ka dorëzuar një raport me konstatimin se deklarimi i Dibrës është i saktë dhe në përputhje me ligjin. Nuk ka kryer deklarim të rremë, nuk ka fshehje të pasurisë. Si dhe nuk ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit. Në pronësi të prokurorit është vetëm një apartament 1+1, 62.72 metra katrorë në Tiranë.

Ky apartament është blerë në vitin 2011 për 5 milionë lekë. Sipas deklarimit, burim krijimi është një kredi bankare. Nga dokumentacioni i dorëzuar, rezulton se çmimi i blerjes së apartamentit është 5 milionë lekë, ndërsa në kontratë ishte shifër tjetër. Për këtë mospërputhje, prokurori ka thënë se e ka kontestuar me shkrim te firma ku ishte porositur apartamenti, veprim që e ka pranuar edhe firma e ndërtimit. “Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton e provuar se subjekti nëpërmjet një shkrese e ka kontestuar çmimin në kontratën e shitblerjes, duke kërkuar korrigjimin e tij. Prokurori ka kërkuar që të vendoset çmimi i saktë për këtë pasuri”, tha relatorja.

FIGURA DHE PROFESIONALIZMI

Edhe për dy kriteret e tjera të vlerësuar për Dibrën nuk kanë rezultuar probleme. Ai është konsideruar i përshtatshëm për vazhdimin e detyrës nga DSIK, ndërsa në lidhje me aftësitë profesionale, KPK ka konstatuar se subjekti ka aftësi në arsyetimin ligjor, kryen hetime procedurale hetimore të sakta dhe veprimet janë efektive. Rektorja bëri të ditur se prokurori i Krimeve të Rënda është denoncuar nga tre persona, por nga shqyrtimi i bërë nuk kanë rezultuar indicie për hetime të mëtejshme për pretendimet e denoncuesve, shkruan panorama.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *