• |
ide | kryesore

DW: Përplasja Rama-Meta vazhdon, PS përgatitet për shkarkimin e presidentit

Lajme, Të fundit



Në një konferencë urgjente për mediat të zhvilluar të martën në mëngjes (25.05.2019) presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha, se “ligjërisht nuk ka dhe nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor”. Presidenti Meta zhvlerësoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor, institucionit më të lartë ligjor në Shqipëri për zgjedhjet duke e quajtur “një truk procedural, një përpjekje e dëshpëruar për të ndërtuar një operacion propagandistik”.

Kolegji Zgjedhor nuk mund të shqyrtonte vlefshmërinë e dekretit të presidentit, sepse një tagër të tillë nuk ia lejon kushtetuta. Vendimi i marrë nuk mund të prodhojë një efekt juridik qoftë për dekretin qoftë për zgjedhjet. Vendimi i djeshëm është i orkestruar, i marrë në kushtet e presionit dhe shantazhit politik”, tha Presidenti Meta. Ai vuri në dukje, se shfuqizimi i datës 30 qershor synoi të anulonte “një proces zgjedhor monist”, që ligjërisht nuk ekziston më në Republikën e Shqipërisë. Presidenti Meta tha se dekreti i tij “është në fuqi  dhe i detyrueshëm për të gjithë”. “Vetëm Gjykata Kushtetuese, vetëm ajo,  mund të shqyrtojë vlefshmërinë e dekretit  të Presidentit të Republikës”, theksoi Meta.

Zgjedhjet më 30 qershor – largojnë perspektivën europiane

Presidenti Meta iu referua standarteve të BE për zgjedhjet dhe respektimit të të drejtave të njeriut si arsyet bazë për shfuqizimin e datës 30 qershor. „Zgjedhje të tilla nuk plotësojnë asnjë standard minimal të kritereve të Kopenhagenit, por jo vetëm kaq, por Shqipëria do të dënohej edhe nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, siç ka ndodhur edhe me shumë vende të tjera. Edhe sikur të bëheshin zgjedhjet më 30 qershor pa opozitën, pa kandidatë alternativë, e ardhmja europiane e Shqipërisë dhe çelja e negociatave do të kishte një të ardhme të paditur për një kohë shumë të gjatë” tha Presidenti Meta.

PS ka paralajmëruar seancë plenare më 4 korrik, për shkarkimin e Presidentit Meta për shkelje të kushtetutës. Përplasja Rama-Meta vazhdon

 

 

President deri në përfundim të mandatit

Në një kohë kur është paralajmëruar votimi në seancën plenare të javës së ardhshme, më 4 korrik, për shkarkimin e Presidentit Meta për shkelje të kushtetutës, ai vetë deklaroi të martën se nuk do të japë dorëheqjen dhe do qëndrojë në postin e kryetarit të shtetit deri në pëfundim të mandatit. “Presidenca i përket Republikës, jo Ilir Metës. Ky institucion nuk do të bjerë kurrë, përkundrazi nga ky institucion do të fillojë ringritja e Republikës. Shqipëria nuk do të kthehet në një tirani personale të askujt dhe në asnjë koloni të asnjë fondacioni ndërkombëtar, Ky është një vend që i takon të gjithë shqiptarëve dhe bashkë do të jemi këtu deri më 24 korrik të vitit 2022”, deklaroi Meta.

Ai nuk mohoi mundësinë  e shpërndarjes së Parlamentit aktual, ku opozita përfaqësohet nga ish-kandidatët për deputetë në listat e PD dhe LSI, që nuk fituan në zgjedhjet parlamentare 2017. “Presidenti do të bëjë ҫdo veprim me shumë qetësi, përgjegjshmëri dhe do t’i shërbejë gjithmonë mbrojtjes së Republikës dhe interesave të saj, ” deklaroi ai.

Thirrje maxhorancës: Tërhiqu nga paligjshmëria dhe shantazhi

Situata paradoksale po vazhdon në Shqipëri. Nga njëra anë maxhoranca socialiste dhe partitë opozitare parlamentare vijojnë fushatën për të zhvilluar zgjedhjet lokale këtë të dielë. Nga ana tjetër opozita jashtë parlametit dhe Presidenti Meta këmbëngulin që nuk do të ketë zgjedhje këtë të dielë. Në këtë situate  Meta i sjell në vëmendje maxhoranxës socialiste përballjen me ligjin. “Presidenti i bën thirrje maxhorancës të tërhiqet nga thellimi në paligjshmëri dhe shantazhet ndaj institucioneve të pavarura, pasi asgjë dhe askush nuk do ta justifikojë  përballë ligjit. E vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës mbetet dialogu politik  dhe respektimi  i ligjit nga të gjithë”, tha Presidenti Meta

Ai e kushtëzoi kohën e ndërmarrjes së një nisme nga ana e tij  për të ulur palët në bisedime me “ditën kur maxhoranca socialiste do të tërhiqet nga paligjshmëria.” Meta deklaroi se do të mbetet President  deri në përfundim të mandatit të tij, në korrik 2022./DW



1 Comment

  1. Dekreti i Metes do kishte vlere vetem po ta mbeshteste dhe Rama. Me kujtohet Saliu ne 2006. qe thoshte se do te pranonte cdo vendim te Presidentit. Rama nuk e tha. Keshtu nuk shoh ndonje leverdi. Prap zgjedhjet po mbahen, prap opozita po thote qe do t’i ndale zgjedhjet me dhune. E vetmja gje qe ndryshoi eshte se Meta doli i njeanshem ne menyre te panevojshme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *