• |
ide | kryesore

Vetingu/ Konfirmohet në detyrë kreu i prokurorisë Kavajë

Lajme, Të fundit


Drejtuesi i Prokurorisë së Kavajës Artan Madani u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Madani, të cilit KPK i kaloi barrën e provës kryesisht për pasurinë, ka bindur dy nga tre anëtarët e trupës se ajo ishte e ligjshme.

Gjatë seancës dëgjimore u bë me dijese se prokurorit i kishte kaluar barrë prove rreth blerjes së një apartamenti në fillim të viteve 2000. Relatorja ngriti dyshime mbi çmimin dhe pagesat e punimeve të kryera prej vetë prokurorit që nuk rezultonin të dokumentuara. Madani i cili u hetua nga KPK në të tre kriteret rezultoi pa probleme sa i përket figurës dhe aftësive profesionale.

Shpjegime për pasurinë iu kërkuan Madanit edhe në fund të seancës kryesisht në një sërë pyetjesh nga vëzhguesi ndërkombëtar Ferdinando Buatier. Prokurori i cili u paraqit në seancë me avokat, shpjegoi se apartamenti që ishte pasuria e tij e vetme, ishte krijuar mbi burime të ligjshme, ai bëri një historik të gjendjes familjare dhe marrëdhënieve me të afërmit që kishin ndihmuar në ndërtimin e apartamentit. Trupa gjykuese që kreu procesin e vetingut për Madanin përbëhet nga Etleda Çiftja kryesues, Genta Tafa Bungo anëtare dhe Pamela Qirko relatore.

Artan Madani e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ai ka punuar si prokuror në Durrës, ka drejtuar prokurorinë e Lezhës dhe është rikthyer sërish si prokuror në Prokurorinë e Durrësit. Në vitin 2014, Madani është emëruar në Prokurorinë e Kavajës ku është promovuar më pas si drejtues i kësaj prokurorie.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *