• |
ide | kryesore

Kosovë/ KQZ pa vendim për 4000 mijë vota të emigrantëve

Lajme, Planet


Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka marrë ende asnjë vendim lidhur me mbi 4 mijë votat e emigrantëve, shqiptarëve nga Kosova, të ardhura përmes postës pas afatit ligjor. Po ashtu, mungon edhe vendimi për mbi 3 mijë vota të ardhura nga Serbia, që janë dorëzuar fizikisht.

Sipas Besnik Buzhalës nga divizioni i Shërbimit të Votuesve, bëhet fjalë për mbi 3 mijë zarfe nga Serbia. “Me postë kanë ardhur 15 mijë 795, mbi 3 mijë zarfe nga Serbia, këto zarfe janë dërguar fizikisht në postë. Mbi 4 mijë zarfe Kanë arritur pas afatit, gjatë verifikimit kemi vërejtur se janë futur në posta ndërkombëtare dhe mbajnë datat 19, 20”, bën me dije për mediat Buzhala.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Adnan Rrustemi, ka kërkuar që këto zarfe të diasporës të procedohen si të rregullta. “4 mijë e 500 zarfeve nga mërgata që janë pranuar pas afatit. Këta duhet të miratohen si të rregullta në kuptimin e pranimit të tyre. Nuk ka asnjë pengesë që këto të procesohen si të rregullta”, tha ai në një dalje publike.

Ndërsa, i një mendimi ndryshe është anëtari i Lëvizjes Demokratike për Kosovën në KQZ, Sami Hamiti, sipas të cilit me tejkalimin e afatit, këto vota janë të jashtëligjshme. “Në bazë të ligjit të dyja janë të jashtëligjshme. Ligji e parasheh 24 orë para votimit duhet të jenë ato vota. Votat nga Serbia totalisht jashtëligjshëm kanë ardhur në Kosovë, ligji e përcakton që duhet me postë. Njësia duhet ta zbatojë ligjin. Janë afate dhe është ligj. Votat që vijnë duhet ta kenë vulën e shtetit nga kanë ardhur. Ato vota po shihen që janë të fabrikuara”, tha ai.

 

Ndërkaq, Valdete Daka, kryetare e KQZ-së tha se në të dyja rastet pret që të respektohet ligji. “Unë pres nga njësia që të zbatohet ligji”, tha ajo.

Ndërkohë, Burim Ahmetaj nga QNR ka bërë me dije se është duke vijuar rinumërimi i vendvotimeve. Deri në ditën e djeshme u raportuan të kishin përfunduar 95 vendvotime, nga 314 sa janë parashikuar të rinumërohen.

 


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *