• |
ide | kryesore

Hakmarrje e prishje pazaresh/ Çfarë duhet të dini mbi vrasjen që tronditi Rrëshenin

Arkiva, Kryesore, Lajme



Vendi u trondit mëngjesin e sotëm kur një biznesmen u ekzekutua në qendër të Rrëshenit. Bëhet fjalë për 47-vjeçarin Kastriot Reçi, biznesmen i dyshuar me të shkuar kriminale dhe ortak në televizioni  lokal “Media Plus” që operonte deri në vitin 2018.

Raportohet se 47-vjeçari është qëlluar nga një person, snajper, me vetëm një goditje sapo ka dalë nga lokali i tij në Rrëshen. Sipas burimeve nga policia, është gjetur pushka e snajperit dhe vetëm një gëzhojë në një pallat pranë vendit ku u ekzekutua Reçi.

Hetimet e deritanishme dhe ‘gruaja misterioze’ 

Bashkëshortja e 47-vjeçarit Kastriot Reçi që u vra sot me snajper në Rrëshen është marrë në pyetje nga policia për të mësuar nëse viktima kishte pasur ndonjë kërcënim apo konflikt që çoi në ekzekutimin e tij. Policia ka ofruar 2 milionë lekë të rinj kush jep informacion të saktë që do çojë në zbardhjen e vrasjes së Kastriot Reçit në Rrëshen, identifikimin dhe vendndodhjen e autorëve.

Po kështu janë marrë në pyetje edhe dëshmitarë të tjerë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes apo lëvizjet e biznesmenit. Po kështu burime nga grupi hetimor bënë me dije se para se të vritej ai kishte lënë takim me një grua për çështje pune. Askush nuk e di ende se kush ishte personi në fjalë por policia po heton të gjitha lëvizjet e tij për të arritur tek identifikimi i autorit të vrasjes.

Ekzekutimi i të vëllait 

Kastriot Reçi vetëm dy vite më parë kishte humbur vëllain e tij në Itali. Gaspër Reçi u vra mbrëmjen e 28 prillit të vitit 2017 në Romë. 43-vjeçari u qëllua me katër plumba rreth orës 23:30 të 28 prillit nga një makinë, teksa ishte duke ecur drejt banesës së tij në rrugën Simeri Crichi, në Tor Vergata. Nga hetimet nuk u identifikua asnjë autor i dyshuar për vrasjen.

          (Vëllezërit Reçi) 

Dyshohet se dy vëllezërit ishin të përfshirë në aktivitete të dyshimta kriminale dhe kanë pasur përplasje me një grup tjetër për çështje droge. Të dy grupet dyshohet se operonin jashtë vendit.

Hakmarrje dhe përplasje bandash 

Lufta mes dy bandave nisi me vrasjen e ish-drejtorit për OSHEE për veriun, që pasoi me disa ngjarje të tjera kriminale.

Vrasje që kanë ndodhur në Shqipëri, Itali dhe Belgjikë, derivohen nga një konflikt mes dy familjeve me influencë në qytetin e Rrëshenit.

Rrëshen – 9 shtator 2016 (Sajmir Jaku)
Dy persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje drejtuesin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Saimir Jakun ndërkohë që një tjetër person mbeti i plagosur. Jaku është qëlluar me kallashnikov, teksa ka qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e zonës më të frekuentuar të qytetit të Rrëshenit bashkë me një shok të tij. Autorët braktisën automjetin tip “Benz-Mercedes” në fshatin Gallatë të Kurbinit ku e kanë djegur dhe më pas u larguan.

Itali- 28 Prill 2017 (Gasper Reçi)
Itali- Një shqiptar është ekzekutuar më 4 plumba në Romë. Gasper Reci, 43 vjeç nga Rrësheni është ekzekutuar mbrëmjen e së enjtes rreth orës 23: 30 në banesën e tij në Via Simeri Crichi, në Tor Vergata. Nga hetimet në atë kohë nuk u arrit të identifikohej asnjë person si i dyshuar për atentatin, pasi në momentin që është vrarë shqiptari nuk ka pasur asnjë person në vendngjarje. Në momentin që është qëlluar në banesën e Reçit ka qenë vetëm vajza e tij. Edhe pse ambulanca ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, Gasper Reçi nuk ka mund të shpëtojë, pasi plagët e marra i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Hetuesit italianë bënë të ditur se Gasper Reci kishte disa precedent penal në të kaluarën për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Belgjikë 06 Shtator 2017 (Kreshnik Gjini)
Kreshnik Gjini 31 vjeç u ekzekutua mesnatën e së martës dhe të mërkurës në komunën Forest të Belgjikës. Ai u qëllua me dy plumba nga dy persona të maskuar dhe të panjohur. E gjithë ngjarja ndodhi para syve të koleges së tij të punës, Liliane. Kreshnik Gjini punonte kamarier në një lokal në Saint-Denis. Mbrëmjen e së martës, ai mbylli llogaritë e xhiros ditore, kyçi biznesin dhe u largua me kolegen e tij. Këtë të fundit do ta shoqëronte me makinë në shtëpi, pasi nuk kishte mundur të arrinte tramvajin e fundit mbrëmjen e së martës. Të dy shkuan drejt parkingut ku shqiptari kishte makinën. Sapo 31-vjeçari u fut në automjet, aty u shfaqën dy persona të maskuar. Ata e qëlluan me dy plumba duke e lënë të vdekur në vend.

Dyshohet se vrasja e Gaspër Reçit të jetë bërë si hakmarrje për vrasjen e Saimir Jakut. Ndërkohë vrasja e Kreshnik Gjinit të jetë bërë në hakmarrje të vrasjes së Gaspër Reçit. Në secilën ngjarje morën pjesë dy autorë, por për asnjërën prej tyre nuk është ndaluar apo arrestuar njeri.

©LAPSI.AL 

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *