• |
ide | kryesore

Shtyhen zgjedhjet në Universitete, reagimet mbi vendimin

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Data e zgjedhjeve për organet drejtuese të Universiteteve shtyhet deri në një moment të dytë kur mund të sigurohet pjesëmarrje më gjithëpërfshirëse e studentëve. Ka pasur menjëherë reagime pasi Ministrja e Arsimit Besa Shahini komunikoi njoftimin.

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me vendimin e Ministrisë së Arsimit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve në Universitet për Rektor dhe anëtarë senati.

“Partia Demokratike dënon presionin dhe shantazhin e ushtruar gjatë këtyre ditëve ndaj pedagogëve dhe studentëve dhe paralajmëron Edi Ramën dhe veglat e krimit të organizuar brenda arsimit të lartë që të mbajnë larg duart nga Universitetet. Edi Rama dhe Besa Shahini duhet të kenë të qartë se askush nuk mund të cënojë dinjitetin e pedagogëve dhe studentëve shqiptarë. Askush nuk mund të urdhërojë zgjedhje pa pedagogë dhe pa studentë. Askush nuk mund të injorojë vullnetin e tyre, për një proces të rregullt dhe ligjor të zgjedhjeve në Universitete”, thuhet në reagimin e PD-së.

Presidenti i Republikës Ilir Meta është prononcuar sot edhe për vendimin e fundit për shtyrjen e zgjedhjeve në universitet. Meta tha se është një vendim i pritshëm dhe i arsyeshëm për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

“Mendoj se është një vendim i arsyeshëm dhe besoj se ishte i pritshëm sepse në një periudhë të fatkeqësisë natyrore të vendosur nga parlamenti ishte jo e mundur për të pasur zgjedhje gjithëpërfshirëse”, tha Kreu i Shtetit.

Ka reaguar edhe rektori aktual i UT, Mynyr Koni për vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve në Iniversitete.

Ai ndërsa e ka mirë pritur një vendim të tillë shkruan se “ju siguroj se autoritetet dhe organet drejtuese të Universitetit të Tiranës, do të vijojnë në mënyrë të menjëhershme me përgatitjen e zgjedhjeve, me qëllim zhvillimin e tyre sipas të gjitha hapave dhe procedurave ligjore, të përcaktuara në Rregulloren e Zgjedhjeve”. 

Në urdhrin e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë thuhet se shtyrja vjen për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, deri në një datë të caktuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. ©Lapsi.al 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *