• |
ide | kryesore

FOTO/ Si u zbulua në portin e Pireut 70 kg kokainë e nisur nga Panamaja për në Durrës

Arkiva, Kryesore, Lajme

Një kontroll i Departamentit të anti-Kontrabandës të Doganave greke zbuloi në portin e Pireut një tjetër sasi të konsiderueshme kokaine që kishte si destinacion portin e Durrësit. Përmes sistemit të analizës së rrezikut, u zgjodh të kontrollohej me rreze X disa kontejnerë që vinin nga Panamaja dhe që ishin deklaruar se kishin të ngarkuara banane. Sipas medieve greke ngarkesa e nisur nga Amerika e Jugut, pas Pireut do të bënte një ndalesë në portin e Durrësit dhe më pas do të udhëtonte drejt Bosnje Hercegovinës.

Sistemi me rreze X zbuloi një material të dyshimtë dhe për këtë u vendos të bëhej një kontroll fizik me ndihmën edhe të një qeni anti-drogë me emrin Axel. Përfundimi ishte zbulimi i 60 pakove me kokainë me një peshë totale prej 70.5 kg. Ato ishin fshehur me kujdes pajisjeve të sistemit të ftohjes së kontejnerit. Prokurori i Gjykatës së Shkallës së Parë të Pireut tha se ka nisur një hetim paraprak për çështjen.

Ky është një tjetër rast që konfirmon linjën aktive të trafikut të drogës nga Amerika Latine në portet greke dhe më pas në Shqipëri. Zyrtarë të lartë të antimafias italiane kanë raportuar me shqetësim fuqizimin e lidhjeve të mafias shqiptare me atë italiane duke krijuar lidhje direkte me kartelet e drogës për të sjellë “pluhurin e bardhë” në Europë. Nisur nga disa sekuestrime në portet e Holandës, Belgjikës dhe Greqisë duket se linja më e re e trafikut të drogave të forta kalon nga Shqipëria.


Në fillim ishte Kolumbia ndërsa më vonë është aktivizuar fuqishëm Ekuadori dhe Venezuela. Duket se trafikantët tashmë kanë zgjedhur rrugën Guayaquil (Ekuador) – Pire (Greqi) – Durrës (Shqipëri). Në raportin e fundit për luftën kundër narkotrafikut, Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se grupet kriminale shqiptare trafikojnë kokainë dhe heroinë direkt nga vendet e prodhimit në Amerikën e Jugut dhe Azi për në Europë.

Kjo mbështetet në shtimin e rasteve kur në Shqipëri janë kapur ngarkesa droge që vinin direkt nga Kolumbia dhe Ekuadori, teksa janë zbuluar edhe laboratorë droge të ndërtuar në bashkëpunim me amerikano-latinë të ardhur në Shqipëri. Pas këtij trafiku ndërkontintental numërohen edhe vrasje dhe ekzekutimeve barbare të shqiptarëve në Amerikën Latine.

Shqipëria dhe “dashuria” për Amerikën Latine

Rasti i parë i njohur i trafikut të drogës nga Amerika Latine është në vitin 2001, kur në Shqipëri u zbulua grupi i parë kriminal i trafikimit të kokainës kolumbiane në Europë. Policia arrestoi 6 anëtarë të grupit, ndër ta Frederik Durda dhe Sokol Koçiu, ky i fundit në atë kohe ishte oficer në Prokurorinë e Përgjithshme. Operacioni “Operación Journey” i agjencisë amerikane kundër drogës, DEA, vërtetoi se ky grup kishte pasur, që prej vitit 1999, kontakte me kartelin kolumbian të Medellínit dhe ishte pjesë e një rrjeti të madh ndërkombëtar të trafikut të kokainës.

Në një dokumentar të RAI 3 të titulluar “Narcotica” pak kohë më parë, oficeri italian i antidrogës në Shqipëri deklaroi se ky grup kishte planifikuar të blinte një nëndetëse për të transportuar përmes Mesdheut kokainën e ardhur nga Amerika e Jugut.

Kokaina nisej nga Kolumbia, kalonte transit në Spanjë dhe më pas përfundonte në Shqipëri. Këtu përgatitej dhe bëhej gati për t’u hedhur në tregun e Europës Përndimore. DEA i kishte nisur hetimet për këtë grup që në vitin 1999. Hetimet zbuluan se përmes anijeve ishin transportuar të paktën 60 tonë kokainë nga Kolumbia dhe Venezuela në Europë. Ky rast tregoi se krimi shqiptar kishte kthyer vëmendjen nga trafiku i kokainës, pasi deri në atë kohë aktiviteti më i zakonshëm i shqiptarëve ishin trafiku i prostitucionit, armëve dhe kanabisit.

Në vitin 2011, Departamenti Amerikan i Shtetit foli për herë të parë për bashkëpunimin e grupeve kriminale shqiptare me ato kolumbiane për trafikimin e kokainës në Evropë. Në këtë vit, u kapën edhe rastet e para të ngarkesave me kokainë me destinacion Shqipërinë.

Ishte 22 marsi i vitit 2011, hetimet në portin e Tarragonas në Katalunja gjurmuan një tjetër rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës. Ai ishte lidhur me kartelet kolumbiane dhe dërgonte kokainë nga Kolumbia në Spanjë dhe Belgjikë, duke e shkrirë drogën në vaj palme. 52 fuçi me vaj të tillë u identifikuan në portin e Antverpit, të porositura nga një kompani në Gjirokastër, në pronësi të Dhimitraq (Vullnet) Harizajt. Pasi droga arriti në destinacion, ajo u sekuestrua nga policia, e cila arrestoi Dhimitraq Harizajn, që u dënua me 12 vjet burg.

Referuar mediave ekuadoriane në nëntor të vitit 2013, në një kontenier u zbuluan 125 kilogramë kokainë dhe destinacioni ishte sërish Porti i Durrësit. Vetëm një vit vonë nga i njëjti port, policia ekuadoriane sekuestroi 89 kilogramë kokainë që sërish destinacion kishte portin detar me të madh të Shqipërisë.

Më 5 qershor 2014, nga Ekuadori mbërriti në Mal të Zi një ngarkesë me 250 kilogramë kokainë, e fshehur në një kontenier bananesh. Ngarkesa ishte porositur nga kompania “Rrapo”, në pronësi të Dritan Rrapaj dhe të ëmës Nezike Rrapaj në Fier. Destinacioni i drogës, me vlerë 12,5 milionë euro, ishte Italia dhe Franca, por hetimet e autoriteteve shqiptare nuk gjetën prova që ta përfshinin familjen Rrapaj në trafik.

Më 7 qershor 2014, në Ekuador u arrestua Dritan Rexhepi (34 vjeç) nga Vlora pas një operacioni policor në Quito, ku u kapën 278 kilogramë kokainë. Rexhepi mbante emër të rremë, por u identifikua falë të dhënave të Interpolit, pasi dyshohej për një sërë krimesh të rënda, përfshi vrasje me pagesë, trafik droge dhe grabitje bankash në Belgjikë, Holandë, Itali dhe Spanjë. Në Shqipëri ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi në vitin 1999.

Më 12 qershor 2014, policia zbuloi në Laç një laborator kokaine dhe heroine, në një vilë në pronësi të ish-policit 46-vjeçar Gëzim Çela, i dënuar me 6 vite burg në Turqi dhe me 11 vite në Itali për prostitucion dhe trafik droge. Policia arrestoi 11 persona, ndërkohë që shpalli në kërkim Çelën, i dyshuar si kreu i grupit. Në laborator u gjetën 7 kilogramë kokainë, 18 kilogramë heroinë dhe rreth 850 litra përzierës, të sjellë nga vendet e Amerikës së Jugut. U gjetën gjithashtu rreth 100 kilogramë marijuanë. U sekuestruan një makinë e blinduar dhe armë, si pistoleta, snajperë dhe granata dore.

Më 14 janar 2015, policia shqiptare zbuloi një tjetër laborator droge, në Xibrakë të Elbasanit. Ky ishte laboratori më i madhi i kapur ndonjëherë në Ballkan. Policia gjeti aty 121 kilogramë drogë, prej të cilëve 100 kilogramë ishin kokainë e përzierë, 18 kilogramë kokainë e pastër dhe 3 kilogramë e papërpunuar. Në laborator u zbuluan gjithashtu rreth 4 tonë përzierës, të sjellë nga Kolumbia dhe Bolivia. 9 persona u arrestuan, mes të cilëve dy shtetas kolumbianë Cesar Avila dhe Valter Moreno, ekspertë të përpunimit të kokainës.

Një operacion tjetër që dëshmon për një linjë të konsoliduar të trafikut të kokainës nga Ekuadori, ishte ai i vitit 2016, ku u gjetën 101 kg kokainë të fshehura në një kontejner me banane te ngarkuara për në Shqipëri.

Më 30 maj 2017, u vra në një lagje të Guayaquilit në Ekuador Ilir Hidri, 40 vjeç, nga Vora. Ai u ekzekutua me 3 plumba nga dy persona që po e ndiqnin me motor. Autoritetet vendase e lidhën vrasjen e tij me trafikun e drogës. Pati edhe raportime se pas një arrestimi të tij në Spanjë ai kishte pranuar të bashkëpunonte me DEA-n amerikane, por kjo mbeti e pakonfirmuar.

Pak muaj më pas, në të njëjtin qytet, më 8 nëntor 2017 u sulmua Remzi Azemi nga Kosova. Ai u qëllua me 4 plumba teksa po udhëtonte me bashkëshorten dhe vajzën e tij me një makinë të blinduar, dhe i mbijetoi atentatit. Azemi kishte shtetësi ekuadoriane dhe jetonte prej 8 vitesh atje. Autoritetet e Ekuadorit po e hetonin për trafik dhe për lidhje të mundshme me vrasjen e Ilir Hidrit. Plagosja e Azemit nxori në dritë dhe një grup të strukturuar kriminal në të cilin bënin pjesë shqiptarë ekuadorianë edhe grekë.

Më 27 shkurt 2018, u kap në Maminas ngarkesa më e madhe e kokainës në Shqipëri. Pas njoftimeve nga Gjermania, Policia shqiptare kapi 613 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 180 milionë euro. Ngarkesa vinte nga Kolumbia dhe i përkiste rrjetit Clan del Golfo. Ajo u gjet brenda një kontejneri me banane të porositura nga kompania “Arbri-Garden” në pronësi të Arbër Çekajt. Ky u arrestua në Dusseldorf të Gjermanisë më 4 maj 2018. Sipas burimeve nga Policia, në dhjetor të vitit 2015, policia kishte kapur 90 kilogramë kokainë në Ekuador, sërish të porositura nga Arbër Çekaj.

Në prill 2018, në Bogotá u vra Adriatik Lagji nga Saranda, i cili jetonte prej 14 vitesh në Kolumbi. Sërish dyshimi kryesor për vrasjen e tij është përplasja për trafikun e kokainës.

Më 1 maj 2018, në një operacion të DEA-s amerikane dhe policisë spanjolle u arrestuan në Spanjë Julian Deblini (Gjoka) dhe Dritan Gradica (Arjan Ndoci), si dhe tre persona të tjerë. Ata ishin pjesë e një rrjeti që trafikonte kokainë nga Kolumbia me anë të fluturimeve charter. Atyre iu kap rreth 1 ton kokainë e importuar nga grupi Clan del Golfo dhe 1,5 milionë euro në të holla. Aktiviteti i grupit shtrihej edhe në Shqipëri, si për trafikun e drogës, ashtu edhe pastrimin e parave.

Më 30 janar 2019, për llogari të autoriteteve italiane policia shqiptare arrestoi në zonën e ish-bllokut në Tiranë, Dorian Petokun. Sipas mediave italiane, ai ishte i përfshirë me klanin roman të Casamonicas, që trafikonte 5 deri në 7 ton kokainë në vit nga Amerika Latine në Itali. Petoku, së bashku me një shtetas malazez, thuhet se kishte rolin e ndërmjetësit të çmimit të drogës me narkotrafikantët kolumbianë.
Në mars 2019, Departamenti i Shtetit në raportin e tij vjetor për trafikun e drogës shprehet se tashmë Shqipëria është bazë operacionale për grupet kriminale të përfshira në trafikun e drogës nga Amerika Latine në Europë.

Më 2 shtator 2019 në një qytezë rurale të Brazilit u sekuestruan 617 kilogram kokainë, në pako të mbështjella me logon e klubit të futbollit të Elbasanit, e që dyshohet se kishte gjithashtu destinacion Shqipërinë.

Ekspertet e antitrafiqeve flasin tashme për një linjë të konsoliduar direkte të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, linje e cila ka tërhequr edhe vëmendjen e DEA-s amerikane. Aq prezent është faktori shqiptar në Amerikën Latine sa në Kolumbi është hapur një nga diskot më të mëdha e quajtur “Albania Disco”. Ajo mban simbolet shqiptare të stampuara në bluzat e stafit dhe mure. ©Përgatiti LAPSI.al

4 Comments

  1. Edhe dy komentet që shoh këtu, tregojnë se disa shqiptarë janë në hall se mos “lapsi” kujton se “eurot mbillen në pemë”, apo gjithë e keqja e trafikut të kokainës qenka përmendja e emrit të një qeni që e zbulon ate.

  2. Nëse ka debat real brenda opozitës është pikërisht paqartësia me të cilën ata përballen me Edi Ramën dhe dështojnë. Pastaj Meta kërcënon me kryengirtje, Luli me trupin si postabllok.

    Nëse nuk kanë guxim të flasin çfarë bënë, dhe mund të heshtin. Nuk është strategji e keqe heshtja në këtë rast. Ja për shembull, Doktor Berisha është bërë i urtë si qengj këtë ditë Kurbani. Duket që ja ka frikën Lulit, që mund ti bëjë kurban PD

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu