• |
ide | kryesore

Kombetarja sot në fushë me dilemat e Rejas në mbrojtje: ja formacioni i mundshëm anti-Bjellorusi

-Instant, F1, Sport



Mungesa me peshë e pak dilema, por që gjithësesi nuk e kanë lejuar teknikun Edy Reja të flejë i qetë përpara ndeshjes me Bjellorusinë, në debutimin e Nations League. Fakti që luhet kundër skuadrës që mendohet më rivalizuesja e Grupit C4 e bën këtë ndeshje delikate. Kuqezinjtë kanë në favorin e tyre kualitetin, ndërsa bjellorusët aspektin fizik, duke qenë se e kanë nisur kampionatin dhe kanë minutat në këmbë.

Ajo që italiani ka frikë është impakti i 9 muajve pa luajtur mbi lojtarët, pas pandemisë, por kjo nuk do të thotë se tekniku nuk e ka të qartë se luhet për vendin e parë. Jo më kot, në konferencën për shtyp para ndeshjes, Reja e bëri të qartë se nuk ka eksperimentime, por do të luajë garda e vjetër, ne sfiden e ores 20.45.

Nga ajo që është kuptuar në stërvitjen zyrtare, e fundit para sfidës së nesërme në stadiumin e Dinamos së Minskut, Reja ka ndërmend të rreshtojë këta lojtarë, ndërsa problemet më të mëdha i ka mbrojtja. Duket alternativa e vetme treshja Gjimshiti, Veseli dhe Dermaku, të rreshtuar para Strakoshës. Kjo edhe për shkak të mungesës së Marash Kumbullës për shkak dëmtimi. Jo rastësisht për këto dy përballje, Reja kishte ftuar 28 futbollistë, me të tjerë në listën e pritjes. Pasi humbi menjëherë Ermir Lenjani dhe Florian Kamberi, të cilët nuk mbërritën për shkak të regjimit të karantinës që duhet të kryejnë në Zvicër, italiani duhet të bëjë llogaritë edhe me skualifikimin e Armando Brojës.

Sikur të mos mjaftonte, vetëm para nisjes për në Bjellorusi, nga zgjedhjet e teknikut italian u fshinë edhe edhe Ardian Ismajli, Hysen Memolla dhe Ylber Ramadani, duke bërë që në mesfushë, Gjasula me Keidi Bare dhe Amir Abrashin, në dualitet me Qazim Lacin të jenë të favorizuar për të nisur nga minuta e parë. Kapiteni Elseid Hysaj është i sigurtë në të djathtë, ndërsa në të majtë Trashi e Roshit sfidohen për një vend. Në sulm, ashtu si paralajmëroi tekniku në konferencën për shtyp Manaj do të formojë dyshen me Cikalleshin, duke i lënë pankinën Armando Sadikut.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *