• |
ide | kryesore

Kryeministri Rama: Varhelyi, mbështetës i pakursyer i vendeve të Ballkanit Perëndimor

Lajme, Të fundit


Kryeministri Edi Rama i ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimet Komisionerit europian për zgjerimin Oliver Varhelyi, i cili është në Tiranë për një vizitë zyrtare pas prezantimit të progres-raportit. Kryeqeveritari Rama në konferencën e përbashkët për shtyp, ka thënë se Komisioneri europian është angazhuar në vetë të parë për një plan masiv ekonomik dhe financiar për të gjithë rajonin.

“Qysh në sekondën e parë të fillimit të punës, komisioneri ka qenë mbështetës i pakursyer i të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë në procesin e përshpejtimit të rrugës të çeljes së dyerve për të negociuar anëtarësimin në BE dhe siç do ta thotë vetë sot nuk është mjaftuar aspak me këtë aspekt të marrëdhënies së BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut por është angazhuar në vetë të parë për një plan masiv ekonomik dhe financiar për të gjithë rajonin. Dua të falënderoj për praninë e tij, mbështetjen e tij, mënyrën e qasjes efikase ndaj çështjeve dhe për ndershmërinë e tij në thënien e gjërave ashtu siç janë qoftë kur duhet të na i thotë ne, qoftë kur duhet t’i thotë për ne në Bruksel”, deklaroi kryeministri.

Rama tha më tej se bashkëpunimi me komisionin ka dhënë fryte të veçanta. “Patjetër që në të gjitha ato aspekte që lidhen me objektivat e përcaktuara nga komisioni për çuarjen përpara të axhendës së integrimit ne kemi vazhduar të shkojmë përpara në bindje të plotë që duhet t’i bëjmë të gjitha këto, reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, etj dhe jo pse na i kërkon Parisi, Brukseli por se është objektiv për fëmijët tanë”, u shpreh ai. Kryeministri e lidhi planin e ri ekonomik me Shengenin rajonal. Plani i ri ekonomik është një mundësi e jashtëzakonshme e re që krijohet nga ky komision i ri europian që ka ardhur me një qasje të re.

“Ky plan është një provë konkrete e prekshme e shumë arsyeve të mira dhe e një bindjeje të madhe që qëndron në vizionin e Shengenit rajonal. Vizioni i një rajoni ku zhvillimi përmes bashkëpunimit është e vetmja rrugë për të dalë në një tjetër hapësirë dhe për t’i lënë gjeneratave të tjera një Shqipëri dhe një rajon shumë më të mirë. Në plan ka shumë aspekte por aspekti kryesor i përgjithshëm është që plani do na ndihmojë që të integrohemi gradualisht si rajon me tregun europian, paralelisht me procesin e integrimit. Së fundi dua që të kujtoj se komisioneri, KE nuk kanë qenë këtu thjesht për të na ngushëlluar dhe për t’u solidarizuar në momentet e tragjedisë, nuk kanë qenë këtu thjesht as në konferencën e donatorëve, nuk kanë qenë këtu as thjesht dhe vetëm përmes komisionit për të vazhduar implementimin e programit të rindërtimit për shkollat dhe monumentet e kulturës dhe megjithëse COVID-i i goditi të gjithë, komisioneri ka qenë telefonata e parë nga jashtë, nga BE për të më garantuar që BE, Komisioni do të jetë pranë Shqipërisë, rajonit edhe në këtë fazë pavarësisht vështirësive. Kështu ka ndodhur. Jemi në një moment ku marrëdhëniet me KE kanë një konkretësi shumë të madhe. Rruga jonë e përbashkët me KE me BE nuk është thjesht rruga e hapave në reforma por dhe rruga e ndërtimit të një ekonomie të re të rajonit, rruga e gjithë rrjetit lidhës të rajonit e me të tjera”, deklaroi Rama.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *