• |
ide | kryesore

Basha: Qeveria e ka humbur kontrollin mbi pandeminë. Në Shqipëri koha e marrjes së përgjigjeve të testit është më e gjata në Europë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Pas takimit me mjekë të familjes, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, thekson se qeveria e ka humbur kontrollin për pandeminë. Sipas kreut të opozitës, teksa situata përkeqësohet vazhdimisht, është e nevojshme marrja e një sërë masave.

Basha thotë se përgjigja e testimeve kërkon minimumi 10 ditë, duke e bërë vendin tonë me periudhën më të gjatë në Evropë për përgjigjen nëse një person është i infektuar ose jo me koronavirus, duke shtuar se zgjatja në kohë e përgjigjes e bën të pavlerë testin për pacientin.

Reagimi i plotë i Bashës

Në një takim me mjekë të familjes u njoha me probleme shumë të rënda në administrimin e emergjencës shëndetësore, përkeqësuar dhe nga pandemia. Mjekët e familjes përballen të parët me të infektuarit me COVID-19, duke rrezikuar shëndetin e tyre dhe të familjarëve të tyre.

Stafi mjekësor në të gjithë kategoritë spitalore është i pambrojtur dhe i rrezikuar. Qendrat shëndetësore nuk kanë as pajisjet minimale as për ekzaminimin e pacientëve dhe as për mbrojtjen e tyre të domosdoshme. Testimet janë të pakta. Tamponimi zgjat dhe përgjigjet e testimeve dalin kur s’kanë më vlerë për shëndetin e pacientëve. Vetëm pak ditë më parë mjekët e familjes kanë marrë protokollin anti-COVID-19, ndërkohë që kjo duhet të kishte ndodhur muaj më parë.

Qeveria e ka humbur kontrollin ndaj pandemisë. Mjekët ndanë shqetësimin se 20-30% e qytetarëve që paraqiten në qendrat shëndetësore janë të prekur nga COVID-19. Anashkalimi i spitaleve rajonale ka mbingarkuar tej çdo kapaciteti Tiranën. Mjekët kanë një ngarkesë të madhe. Çmimet e barnave për trajtimin nga COVID-19 janë të papërballueshme. Pothuajsë asgjë nuk rimbursohet, ndërsa një pjesë e ilaçeve mungojnë në treg.

Po kaq shqetësuese është dhe siguria e stafit mjekësor. Mjekët e familjes nuk pajisen me mjete mbrojtëse dhe as që bëhet fjalë për t’i shpërblyer për sakrificën e shtuar në përballimin e pandemisë.

Në kohën kur në vendet fqinje ka nisur testimi dhe marrja e rezultateve brenda 30 minutave, në Shqipëri numri i testimeve vazhdon të mbetet më i ulëti dhe koha e marrjes së përgjigjeve më e gjata në Europë.

Duke u ndalur tek masat urgjente që duhen marrë për të përballuar situatën e rënduar, mjekët më konfirmuan se është koha të rritet disa herë numri i testimeve dhe të pajisen qendrat shëndetësore me pajisjet bazë mjekësore, siç janë ato me matjen e oksigjenit në gjak etj.

Ndërkohë që situata po përkeqësohet është e domosdoshme mbështetja financiare për personelin shëndetësor, angazhimi i spitaleve rajonale dhe të mbulohet 100% e paketës së trajtimit në shtëpi për pacientët e prekur nga COVID.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *