• |
ide | kryesore

Raporti i OECD: Shqipëria ka pak fonde për arsim, nuk i mirëpërdor ato

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Shqipëria ofron një ndër normat më të ulëta të financimeve për arsimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), pak më shumë se 3% të PBB-së saj.

Financimet për edukimin janë 40% më të ulëta se në vendet e zhvilluara të Europës dhe 15-20% më të ulëta se në rajon.

Por një analizë e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) për sistemin arsimor të vendit, e publikuar së fundmi, vë në dukje se, Shqipëria nuk arrin të mirëpërdorë edhe fondet e pakta në dispozicion.

Nga të gjitha nivelet e arsimit, ai i mesëm është më pak i financuari në raport me shkallët e tjera. Shqipëria ofron vetëm 0.4% të PBB-së saj për arsimin e mesëm, nivel ky shumë më i ulët se në vendet e zhvilluara ku ofrohet rreth 2% e PBB-se. Arsimi i mesëm është një hallkë e rëndësishme në sistemet arsimore, për shkak se formohen aftësitë për profesionet dhe aftësitë në tregun e punës.

Të dhënat nga PISA tregojnë se, financimet në arsim janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me cilësinë e studentëve. Kur krahason shpenzimet për nxënës në shkollat e mesme në Shqipëri me ato të vendeve të tjera, të dhënat sugjerojnë se Shqipëria ka financime të ulëta e për rrjedhojë, edhe rezultatet të ulëta në testet e PISA. Ekspertët e OECD-së vënë në dukje se, Shqipëria do ta ketë të vështirë të arrijë të përmirësojë cilësinë e dijeve pa investime më të larta.

Fondet shpërndahen pa formula financimi

Shqipëria nuk po zbaton ligjin në fuqi, për të bërë shpërndarjen e fondeve në arsimin paraunivesitar. Ligji kërkon që buxheti të shpërndahet me një formulë që bazohet në ndarjen e financimeve për nxënës, por që ende nuk po zbatohet, vënë në dukje ekspertët e OECD-së.

Aktualisht, nuk ka ndonjë formulë financimi që përdoret për alokimin e fondeve nga Ministria drejt drejtorive rajonale dhe zyrave lokale të arsimit. Për më tepër, drejtoritë rajonale zgjedhin vetë mënyrën e ndarjes së fondeve.

Për shembull, ministria përcakton numrin e punonjësve për një drejtori të caktuar arsimore, pa dhënë udhëzime për numrin e mësuesve që duhet të punësohen për shkollë.

Një pjesë e fondeve, të njohura si transferime të pakushtëzuara, të alokuara për NJQV-të llogariten bazuar në një formulë të krijuar në vitin 2002, e cila tashmë është vjetruar dhe nuk i përgjigjet zhvillimeve ekonomike, sociale dhe demografike.

Financimi nuk synon të adresojë pabarazitë

Ndërsa decentralizimi ka siguruar njëfarë fleksibiliteti buxhetor për drejtoritë rajonale, Zyrat e Arsimit dhe Njësitë e Qeverisjes Vendore (NJQV) nuk kanë politika të qarta për të mbështetur me fonde nxënësit nga familje të varfra.

Edhe pse Shqipëria ka një hartë të varfërisë, sipas prefekturave nuk bën ndarjen e fondeve për arsimin bazuar në këtë tregues.

Shpenzimet kapitale, jo të mjaftueshme

Shpenzimet për investime kapitale në shkolla dhe përreth tyre janë të pamjaftueshme. Ekspertët e OECD sugjerojnë se më shumë fonde janë të nevojshme për të përmirësuar mjediset shkollore dhe infrastrukturën përreth shkollave në përputhje me standardet bashkëkohore.

Për shkak të emigrimit nga fshatrat në qytete, disa shkolla janë mbipopulluar dhe nuk kanë pajisje të përshtatshme laboratorike, infrastrukturën e teknologjisë së komunikimit, për mbështetjen e të mësuarit me cilësi të lartë.

Në Shqipëri, 47% e kompjuterëve në shkollat ​​rurale janë të lidhur në internet, krahasuar me 70% në Maqedoninë e Veriut dhe 94% mesatarisht në vendet e OECD. Infrastruktura e dobët përreth shkollave, përkatësisht sistemi rrugor dhe i transportit, e bëjnë të vështirë aksesin e studentëve në shkollim, sidomos në zonat rurale./B.H., Monitor



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *