• |
ide | kryesore

Deklaratat e Ramës për tenderat/ Kreu i Dhomës Amerikane: Të pamjaftueshme!

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Enio Jaço ndodhet prej disa ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për takime me zyrtarë amerikanë por edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar. Në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës ai tha se deklaratat e qeverisë për të luftuar korrupsionin me tenderat janë pozitive, por të pamjaftueshme.

“Mendoj se deklaratat janë pozitive. Ndërgjegjësimi është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne, është i rëndësishëm për publikun, duhet t’i kuptojnë të gjithë problemet që ne kemi me prokurimet publike. Por nga ana tjetër, deklaratat nuk janë të mjaftueshme.

Bashkë me deklaratat, nga sa kemi ndjekur në media unë me kënaqësi kam vënë re se, ka një dëshirë për të përgatitur një legjislacion të ri, i cili do të konsiderojë përmirësime të ndjeshme në fushën e prokurimeve publike. Ne nuk jemi konsultuar me këtë legjislacion, kështu që unë nuk mund të flas me detaje për cilësinë e tyre ndryshimeve, por janë dy elementë që ne nuk i kemi vënë re.

E para, është transparenca. Është shumë e rëndësishme që Prokurimet Publike njëherë e përgjithmonë të bëhen me kritere të qarta, transparente, me kritere Open Data.

Dhe e dyta shumë e rëndësishme, është të kemi eliminimin e përjashtimeve, sepse kemi shumë raste që nuk shkojnë përmes standardeve të procesit të prokurimit publik po shkojnë përmes rasteve speciale. Nëse kemi këto dy elemente, unë mendoj se është një fillim shumë i mirë” – tha Jaço.

Ai pyet edhe për ndikimin e reformës në drejtësi te klima e biznesit.

“Personalisht, në mënyrë të qartë mendoj që po. Megjithatë, unë gjithashtu e kuptoj shumë mirë që publiku shqiptar ka një lloj skepticizmi dhe është normale. Gjithë Shqipëria është një vend, i cili nuk ka një traditë me institucione të fuqishme publike që të ketë besim dhe do marrë një kohë të gjatë derisa të arrijë në një pikë të tillë dhe do jemi vërtetë në gjendje për të gjykuar nëse ajo që po bën SPAK-u tani do jetë në nivel afatgjatë shumë pozitive. Personalisht shikoj shenja pozitive. Do na duhet të kemi durim dhe të shikojmë edhe më gjatë sepse është vetëm fillimi” – tha Jaço. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *