• |
ide | kryesore

I dënuari me 25 vite burg dëshmon në gjyq për vrasjen e babë e bir në Elbasan

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Një i dënuar me 25 vite heqje lirie është transportuar këtë të mërkurë nga ambientet e burgut të Peqinit në Gjykatën e Posaçme të SPAK. Bëhet fjalë për Armand ose Butrint Hasanin që po vuan dënimin për vrasjen e Sokol Çapjas në 2015 në Elbasan.

Ai është shoqëruar nga forca të shumta policie në cilësinë e dëshmitarit në procesin penal që po zhvillohet kundër Ervis Bardhit, Ardjan Çapjas, Klajdi Dokolit dhe Etien Canit, të cilët akuzohen se kanë kryer në bashkëpunim vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në 15 gusht 2012 në Elbasan.

Hasani ka rrëfyer se njihej me viktimën Gentian Beqiri dhe ishin shokë pasi të dy kanë qëndruar në një burg kur akuzoheshin për vrasjen e Sokol Çapjas. Ai tha para gjykatës se njihej edhe me të pandehurin Ervis Bardhi pasi edhe me të kishte qëndruar në burg.

Sa i përket çështjes për të cilën ishte thirrur, Hasani tha se nuk kishte dijeni se çfarë kishte ndodhur pasi në atë kohë ka qenë në burg. Ai nuk ka bërë komente nëse ai apo familjarët e tij kishin marrë kërcënime apo të kenë pasur konflikte me anëtarë të familjes Çapja.

Në seancë u pyet edhe Erion Meka, pronari i makinës Benz që u gjend e djegur në Elbasan pas kryerjes së krimit. Meka tha se makinën e kishte shitur 8 milion lekë, tek dy persona të tjerë, që më pas janë identifikuar nga policia kriminale si Ervis Bardhi dhe Olsi alias Jorgo Leku.

Këta të fundit nuk i kishin ndryshuar pronësinë mjetit. Pas shitjes së makinës, Meka, ka treguar se nuk është interesuar më se çfarë kanë bërë më pas këta persona, vetëm kur ka shkuar policia dhe i ka trokitur në derë.

Në gjyq u paraqit dhe Qamil Hasa, kunati i të pandehurit dhe bashkëpunëtorit të prokurorisë, Ervis Bardhi. Ai tha se Bardhi kishte rëndë disa herë në burg, ndërsa ka thënë se nuk kishte dijeni që ai të ishte përfshirë në vrasjen e babë e bir.

Të mërkurën ishte parashikuar të pyeteshin edhe Behije Arapi, nëna e Gentianit dhe gruaja e Nezirit, vajza e saj Valbona Beqiri, Aurela Bardhi, gruaja e Ervis Bardhit, polici Neshat Budani, Kujtim Ajazi, Albert Uzuni, Geralda Teta dhe Astrit Cani. Për shkak të mosparaqitjes së tyre, gjykata vendosi ti ripërsëritë fletë-thirrjen.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *