• |
ide | kryesore

Golat në Premier League nuk i bëjnë punë, Reja kërcënon Brojën: “Duhet të përmirësojë sjelljen”

-Instant, Sport, Video



Shorti i Nations League ka qenë mundësia për të parë Edoardo Rejan para mediave për herë të parë që nga mbyllja e fushatës kualifikuese për Botërorin 2022, të cilën e mbyllëm në vendin e tretë. E kuptueshme që ngacmimi kryesor për teknikun italian do të ishte forma e Armando Brojës, që me Southampton vazhdon të shënojë gjithnjë e me më shumë rregullsi, ndërsa në kombëtare nuk ka vend. Nëse deri tani Reja e kishte mbuluar kontradiktën me sulmuesin 20 vjecar, këtë herë nuk ka ngurruar të thotë në mikrofonët e RTSH, se sulmuesi i ka shkaktuar pakënaqësi me sjelljen e tij: “Broja nuk ka pasur sjellje shumë pozitive së fundmi, për dëmtime apo për mënyrën e sjelljes. Ai është një djalë që ka potencial, por flitet shumë për të. Mua nuk më pëlqen të flas individualisht, flas për Shqipërinë e për të gjithë, nuk ka një lojtar më të fortë. Kemi bërë rezultate për meritë të skuadrës”.

Ndoshta kështu i takon të thotë trajnerit, por fakt është se dy golat e shënuar nga Broja, në dy ndeshjet kundër Hungarisë, i dhanë kuqezinjve vendin e tretë në grup dhe rekordin e 18 pikëve në një fushatë kualifikuese. E megjithatë, Reja kartonin e verdhë e ka nxjerrë: “Për potencial mund të jetë shumë i vlefshëm por duhet të përmirësohet shumë në sjellje. Unë i pres të gjithë, i kam krahët e hapur dhe i përqafoj të gjithë, nuk përjashtoj asnjë/ Por sjelljen dhe punën për ekipin duhet ta bëjnë të gjithë. Ka dy faza, kur ke apo jo topin, unë dua lojtarë që interpretojnë njëlloj të dy fazat dhe lojtarët e dinë mentalitetin tim. Kush nuk punon për ekipin nuk mund të bëhet pjesë e këtij grupi”, e mbylli Reja.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *