Partia Demokratike ditën e sotme zgjodhi 20 anëtarët e Kryesisë. Kryetari i Këshillit Kombëtar Edi Paloka ka bërë të ditur se ditën e premte më 3 qershor do të mblidhet Këshilli Kombëtar i selisë blu. Sipas Palokës, në rend të ditës do të jenë zgjedhjet në disa funksione drejtuese të Partisë Demokratike dhe ngritja e institucioneve të tjera sipas përcaktimit në Statutin e kësaj force politike.
Lajmi u bë i ditur edhe nga Albana Vokshi në përfundim të procesit të numërimit të votave. Ajo bëri me dije se në këtë mbledhje do të zgjidhet Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Sekretariatet dhe nënkryetarët e PD-së.
“Njoftim për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike!
Ditën e premte, më datë 3 qershor, ora 17.00, do të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD.
Në rend të ditës do të jenë zgjedhjet në disa funksione drejtuese të PD dhe ngritja e institucioneve të tjera sipas përcaktimit në Statutin e PD.
Edi Paloka, Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD”, thuhet në deklaratën e PD-së