• |
ide | kryesore

Berisha: Rama po legalizon kanabisin dhe paratë e krimit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Në një takim online me shqiptarët e diasporës, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e cilësoi alarmante nismën e qeverisë për legalizimin e kanabisit.

“Droga është krim, krim dhe vetëm krim. Cilido vend që legalizon drogën, nuk bën gjë tjetër veçse legalizon në një mënyrë apo tjetrën krimin që sjell ajo.

Në Shqipëri kanabisi që u mboll në vitin 2015 masivisht, krijoi miliarda euro dhe bëri që trafikantët shqiptarë të pushtojnë me ato para tregun e kokainës në vende te Amerikës Latine, dhe Shqipëria të bëhet jo vetëm prodhues kryesor i kanabisit në kontinent por dhe një hap ndër më kryesorët, i kokainës dhe drogave të tjera”, – tha Berisha.

Berisha tha gjithashtu se partia që qeveris vendin, PS-ja, përjashtoi votën e lirë, duke emëruar kryetarët e degëve dhe përjashtuar anëtarësinë nga procesi.

“Ne kemi thirrur protestë më datën 7 korrik dhe jemi të vendosur që krahas të gjitha formave të tjera të opozitarizmit, të përdorim edhe protestën, si një kusht të domosdoshëm për të çmontuar këtë regjim që ka uzurpuar të gjitha pushtetet pa votën e lirë. Ju besoj jeni informuar se PS përjashtoi këtë vit përfundimisht votën…”

Ai komentoi edhe nismën ‘Ballkani i Hapur’, duke thënë se është një projekt që ka në thelb influencën ruse.

“U themelua në Novisad para 3 vitesh si mini-shengen nga Serbia, Shqipëria e Maqedonia, aleancë trelaterale. Harta që u paraqit atë ditë, nga kjo trojkë, Vuçiç-Rama-Zaev, paraqiste Kosovën haptaz pjesë të territorit të Serbisë. Këtë hartë e publikoi në Facebook-un e tij edhe Rama. Më vonë tha se ma publikuan gabimisht asistentët.

Ky projekt sipas Vuçiç disa ditë pas samitit të Novisadit, u quajt Jugosllavia e vjetër plus Shqipërinë, rikthim te doktrina apo ideja se Ballkanin e stabilizon hegjemonizmi serb. Hegjemonizëm që u vendos në dekadën e dytë të shekullit të shkuar dhe përfundoi me luftërat më të përgjakshme të përsëritura në rajon. Për më tepër ky projekt me influencë ruse” – tha Berisha.

Berisha u premtoi shqiptarëve të Diasporës votën.

“Në 2013 bëmë gati ligjin ku pranonim votimin online të emigrantëve të Diasporës, aty ku ishin. Rama kërcënoi në mënyrë ultimative se do bojkotonte zgjedhjet nëse ky ligj kalonte. Në këto rrethana u detyrova të pranoj ultimatumin e tij. Sot ju garantoj se nuk do ketë zgjedhje në Shqipëri pa votën tuaj”, tha Berisha.

Ai theksoi se është detyrim kushtetues i shtetit shqiptar, ndërsa shtoi se do të mundësojë votimin e emigrantëve nga atje ku ndodhen, për të zgjedhur forcën politike dhe kandidatin që preferon për secilin qark.

“S’ka emigracion nga vende te Ballkanit që nuk voton përveç atij shqiptar. Rama kërkon të proporcionojë, të përdorë formula që përdoren nga ndonjë vend për emigracionin e shekullit të 19-të dhe këtë nuk do ta pranojmë.

Ne do luftojmë me ju për parimin, sipas të cilit çdo shqiptar në emigracion, diasporë, kudo të jetë, të ketë të drejtën për të votuar për forcën politike dhe kandidatin që dëshiron, në qarkun, rrethin që ai është larguar. Ky është parimi ynë”, – tha Berisha. ©LAPSI.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *