• |
ide | kryesore

Grealish ndihet i diskriminuar: “Nëse unë bëj festë ose diçka tjetër, flitet gjithnjë më shumë se kur e bëjnë të tjerët”

-Instant, Sport



Jack Grealish ka ndarë gjithmonë opinionin publik britanik. Ka nga ata që e konsiderojnë David Beckham i ri apo Paul “Gazza” Gascoigne i ri dhe ka nga ata që nuk humbasin asnjë rast për të kritikuar çdo lëvizje të tij. Por tani është “Jack the Lad” (djaloshi), siç e thërrasin në Britaninë e Madhe, që ka radhën të flasë. 26-vjeçari pranon se i pëlqen të argëtohet, por nuk e kupton pse shënjestrohet gjithmonë. Megjithatë, ai mundohet të mos i japë shumë peshë zhurmës mediatike që e rrethon.

Lojtari i Manchester City, pasi fitoi Premier League, shkoi të argëtohej me miqtë në Ibiza dhe më pas në Las Vegas. Megjithatë, jo vetëm argëtim, Grealish gjeti edhe kohë për t’u përgatitur për vitin e tij të dytë në Etihad. Anglezi sezonin e kaluar pati pak ndikim sa i përket golave dhe asisteve dhe për të nuk munguan kritikat. Tifozët presin që ai të bëjë më shumë në muajt e ardhshëm. Ata që e kritikojnë, ndër të tjera pyesin nëse postimi i fotove të tij ndërsa feston është i përshtatshëm duke pasur parasysh rezultatet e tij të dobëta personale, por gjithashtu pyesin edhe nëse kjo është mënyra më e mirë për t’i bërë përshtypje Pep Guardiolës.

Grealish, megjithatë, siç raporton Sun, është i qetë: “Natyrisht që më pëlqen të argëtohem. Unë shkova në Ibiza pasi fitova kampionatin dhe më pas në Las Vegas pas ndeshjeve me Anglinë. Pastaj, përveç kësaj, isha me të dashurën time, duke punuar shumë dhe duke u përgatitur për kohën kur do të kthehesha. Djemtë më tallenin se kisha postuar shumë foto ndërsa isha duke u stërvitur në Instagramin tim. Unë mendoj se kështu shkojnë gjërat. Nëse unë bëj diçka, si festë apo diçka tjetër, do të flitet gjithnjë më shumë sesa po ta kishin bërë të tjerët. Kam parë shumë lojtarë në Ibiza dhe Las Vegas, por askujt nuk iu vunë mbrapa siç bënë me mua”.

Duke qenë lojtari më i shtrenjtë në historinë e futbollit anglez, Grealish e pranon të jetë në qendër të vëmendjes gjithmonë: “Njerëzit nuk duan vërtet të të shohin të stërvitesh fort pas sezonit, ata duan të shohin të gjitha gjërat e tjera, ato kontroverse. Po mundohem të mësohem me këtë gjë. Ishte e vështirë në fillim të karrierës sime, por më duhej të mësohesha me të. E dija që duke ardhur në një nga klubet më të mëdha në botë dhe në klubin më të mirë në Angli, do të merrja më shumë vëmendje. Më duhej ta përballoja. Është një pjesë integrale e të luajturit për një klub të madh. Por duhet të vazhdosh të buzëqeshësh, apo jo?”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *