• |
ide | kryesore

Viktima të krimit në familje në harresë nga shteti. Të miturit pa mbështetje sociale dhe psikologjike

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Dëshmitarë të ngjarjeve tronditëse, fëmijët e krimit në familje e çojnë me vështirësi jetën përpara, mes harresës institucionale dhe varfërisë ekstreme. Pavarësisht ligjeve të shumta, të miratuara për mirëqenien e fëmijëve, kësaj kategorie nuk i ofrohet as shërbim psikologjik, duke bërë që një pjesë e tyre të kthehen nga viktima edhe në kriminelë.

Autore: Ina Allkanjari

Dëshmitar në një nga ngjarjet më dramatike, vitet nuk kanë mundur t’ia fshijnë nga kujtesa momentin, kur pa babanë t’i vriste të ëmën.

Valbona, nënë e tre fëmijëve, gjeti vdekjen në oborrin e shtëpisë së saj në Fushë-Mamurras, si pasojë e dhunës makabre, të ushtruar nga bashkëshorti, Marjan Lleshi, 9 vite më parë. Gjithçka ndodhi para syve të tre fëmijëve të mitur, të cilët ndodheshin në shtëpi.

“Të tre kemi qenë aty, kur ndodhi. Unë e kam parë i pari dhe më pas vëllai me motrën, që ishte shumë e vogël”, – tregon 16-vjeçari, djali i viktimës, asokohe vetëm 7 vjeç.

I ngecur në kurthin e asaj ngjarjeje makabre, në sytë e djaloshit vihet re qartazi dëshpërimi dhe mungesa e shpresës.

Të braktisur dhe të harruar nga shteti, pasojat vijojnë të rëndojnë ende sot mbi dy djemtë dhe vajzën e saj, të cilët ishin përkatësisht 9, 7 dhe 2 vjeç, në momentin që nëna e tyre u vra nga babai.

Viktor dhe Tale Gjokeja, prindërit e Valbonës, morën ligjërisht përsipër rritjen e dy nipërve dhe mbesës së tyre pas krimit të rëndë, por vështirësitë për këtë familje sapo kanë filluar.

Vajza e vogël është fëmijë me aftësi të veçanta dhe ka nevojë për trajtim më të specializuar, njëkohësisht ndihma psikologjike, sociale dhe ekonomike, për të cilën kishin nevojë dy djemtë e tjerë, të mitur, pavarësisht barrës së rëndë, ata nuk e kanë ndjerë dorën e shtetit.

Të moshuarit akuzojnë institucionet se i lanë vetëm në rritjen e fëmijëve. Viktor Gjokeja tregon me dëshpërim se vajza e vogël ka pasur nevojë në mënyrë të menjëhershme për ndihmë të specializuar, gjë e cila nuk i është ofruar nga institucionet shtetërore.

“Askush nga shteti nuk është interesuar, pavarësisht nevojës emergjente që e vogla kishte. Nëse do e kishte marrë këtë ndihmë, jam i bindur që do të ishte më e zhvilluar në komunikim. Për dy vite e kam çuar me shpenzimet e mia vajzën në Tiranë, por tashmë jam edhe vetë me unaza në zemër dhe e kam të pamundur të shkoj e të vij brenda ditës”, – rrëfen mes dëshpërimit Viktor Gjokeja.

Sipas Viktorit, gjithçka, që kanë përfituar, e kanë arritur vetëm falë njohjeve të tij dhe vetëm vitet e fundit gjyshes i është njohur pagesa e kujdestarisë për vajzën, e cila vuan nga sindroma down.

“Kur vajza ishte 4 vjeç, pra dy vite pas ngjarjes, më erdhi në shtëpi me anë të shoqërisë së një të njohurës sonë, një vajzë që punonte të Sigurimet Shoqërore të shtetit dhe më ndihmoi që fëmijët të merrnin rreth 9 mijë lekë në muaj secili. Dhe vetëm para dy vitesh gruas iu njoh pagesa e kujdestarisë për vajzën e që atëherë merr 10 mijë e 600 lekë në muaj”, – sqaron ai.

Viktor dhe Tale Gjokeja me mbesën

Ndihma psikologjike, e cila është e detyrueshme t’iu ofrohet, ka qenë një luks i pamundur për këta fëmijë të krimit në familje.

“Nuk ka pasur ndihmë psikologjike në asnjë moment. Një herë në javë vjen një psikologe te shkolla 9-vjeçare këtu në Derven, por jo psikolog që t`i ndjekë fëmijët për këtë rast”, – tregon me dhimbje i moshuari.

Të zhytur në mjerim dhe në kushte të rënda ekonomike, djali i madh ndoqi vetëm vitin e parë të shkollës së mesme dhe më pas emigroi në Itali, ku punon. Me paratë, që fiton, ndihmon gjyshërit, vëllain dhe motrën e vogël.

Tre fëmijët e mbetur jetimë nga vrasja e së ëmës nuk e përfitojnë statusin e jetimit, pasi e kanë babanë gjallë, pavarësisht se ai ndodhet në burg dhe familja e tij ka hequr dorë nga kujdesi për të tre fëmijët.

Në këtë situatë, gjyshi Viktor apelon që së paku djali i dytë të mund të shkollohet.

“Nipi shumë shpejt përfundon gjimnazin. Dua shumë ta dërgoj në shkollë të lartë në Tiranë. Ai mëson, por unë nuk kam lekë dhe mundësi t`i mbuloj jetën në Tiranë, për mua është e pamundur t’i paguaj konviktin, shkollën, çdo muaj ushqim. Dua që shteti të më ndihmojë që edhe djali i dytë të mos e lërë shkollën përgjysmë”, – u shpreh Viktori.

Për psikologen Lorela Garuli të miturit, viktima të krimit në familje, sidomos në rastet kur janë dëshmitarë të ngjarjes, kanë nevojë imediate për ndihmë psikologjike.

“Efektet psikologjike janë afatshkurtra dhe afatgjata, sidomos nëse nuk trajtohen. Minimalisht, në raste të tilla fëmija do të përjetojë gjendje shumë të lartë ankthi, stres shumë të lartë, sjellje regresive, pasiguri shumë të madhe dhe frikë”, – thotë psikologia Garuli.

Sipas saj, ligji ka mjaft të çara dhe në mjaft raste kjo ndihmë nuk iu ofrohet fëmijëve.

“Nga rastet që unë di në mënyrë informale, këta fëmijë nuk para marrin ndihmë psikologjike. Nëse këta fëmijë marrin statusin e jetimit për shkak të krimit në familje, trajtohen nga shteti apo nga strukturat, si “Zyber Hallulli”, por nga ana e ligjit ka jashtëzakonisht boshllëqe dhe mangësi”, – shpjegon Garuli.

Harresa institucionale

Dëshmitarë të ngjarjeve tronditëse, fëmijët e krimit në familje e çojnë jetën përpara mes harresës institucionale dhe ligjore.

Të dhënat e siguruara nga Investigative Network Albania tregojnë se çdo vit regjistrohen qindra raste, ku të miturit janë viktima të dhunës dhe të krimeve të tjera në familje.

Policia e Shtetit raporton se vetëm 5 vitet e fundit 1.214 të mitur kanë rënë pre e dhunës apo krimeve të tjera të familjes.

Viti 2018 Viti 2019 Viti 2020 Viti 2021 01.01-31.03.2022
Të mitur të dëmtuar nga dhuna dhe krimet e tjera në familje 340 287 237 269 81

Të mitur të dëmtuar nga dhuna apo krime të tjera në familje, sipas Policisë së Shtetit

Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve (ASHDMF), e krijuar në vitin 2011, është organi ekzekutiv në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që ka përgjegjësinë e përgjithshme për koordinimin, zbatimin dhe monitorimin e Agjendës Kombëtare të të Drejtave të Fëmijëve.

Por, pavarësisht kësaj përgjegjësie direkte, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në një përgjigje zyrtare thotë se nuk disponon të dhëna lidhur me numrin e fëmijëve të prekur nga krimi në familje, por ka të dhëna lidhur me raste të dhunës ndaj fëmijëve, ku përfshihen rastet e dhunës psikologjike, dhunës fizike dhe asaj seksuale te fëmijët.

Viti Dhunë Fizike Dhunë Seksuale Dhunë Psikologjike
2018 239 12 270
2019 127 29 244
2020 128 65 224
2021 155 73 249

Edhe këto shifra janë mjaft shqetësuese dhe flasin për rreth 1.800 fëmijë, viktima të dhunës fizike, psikologjike dhe seksuale.

Referuar këtyre të dhënave, dramatike janë edhe shifrat e dhunës seksuale të raportuara përgjatë dy viteve të pandemisë, 2020 dhe 2021, që tregojnë për rritje të numrit të denoncimeve me 3 herë më shumë se vitet e kaluara.

“Ka një lloj harrese të pajustifikuar nga ana ligjore dhe institucionale për sa i përket kujdesit ndaj fëmijëve. Shqipëria është i vetmi vend, ku asnjë bashki nuk ka minimumi një qendër, ku fëmijët, të rinjtë, nënat, baballarët mund të marrin shërbime për shkak të dhunës në familje”, – thotë Altin Hazizaj, jurist, i angazhuar prej vitesh në çështjen e mbrojtjes së fëmijëve

Sipas Hazizajt, si pasojë e mungesës së këtij instrumenti nga institucionet shtetërore, ata iu drejtohen organizatave joqeveritare, si i vetmi vend ku fëmijët, viktima të dhunës në familje, mund të marrin shërbime falas.

Referuar VKM Nr. 578, datë 3.10.2018 “Për Procedurat e Referimit e të Menaxhimit të Rastit, Hartimin dhe Përmbajtjen e Planit Individual të Mbrojtjes, Financimin e Shpenzimeve për Zbatimin e tij, si dhe Zbatimin e Masave të Mbrojtjes”, është pikërisht Punonjësi për Mbrojtjen e Fëmijës që kryen funksionin e menaxherit të rastit për fëmijët në nevojë për mbrojtje, që nga momenti i identifikimit apo referimit, gjatë hartimit dhe zbatimit të masës së mbrojtjes deri në përfundimin e tyre.

Punonjësi për Mbrojtjen e Fëmijës (PMF) është struktura në nivel vendor për koordinimin dhe vënien në zbatim të shërbimeve të mbrojtjes së fëmijës dhe menaxhimin e rasteve, në bashkëpunim me një numër aktorësh të fushave të ndryshme, që veprojnë në nivel vendor.

Screenshot, pjesë nga përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale

Por, pavarësisht strukturave të ngritura për mbrojtjen dhe menaxhimin e rastit të fëmijës në nevojë, familjet e prekura nga krimi në familje faktojnë për INA MEDIA-n se institucionet nuk funksionojnë dhe i neglizhojnë fëmijët e mitur, të cilët janë viktima të krimit në familje.

Edhe Agjenda Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve, 2021-2026, pranon se ligjet janë të mira, por mbrojtja e fëmijëve ka dështuar në terren, si pasojë e burimeve të pamjaftueshme, si financiare, ashtu edhe njerëzore.

“Legjislacioni i përmirësuar deri më tani nuk shoqërohet me rritjen e nevojshme të burimeve financiare në nivelin lokal dhe qendror. Mungesa e analizave të përditësuara të situatës së fëmijëve, kryesisht grupeve më vulnerabël, është evidente, duke rrezikuar që nevojat e tyre të mbeten të panjohura plotësisht dhe të papërmbushura”, – citon Strategjia 2021-2026.

Të paqartë në përmbushjen e detyrave që iu cakton ligji, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar i jep një përgjigje të vagullt Investigative Network Albania-s në lidhje me ndihmën psikologjike që ofrohet në shkolla për rastet e fëmijëve që vijnë nga familje të prekura nga krimi, por nuk sqaron në asnjë rresht, nëse kjo kategori asistohet me ndihmë të veçantë apo jo.

“Psikologët shkollorë dhe punonjësit socialë në shkolla shërbejnë si aktorë kyç, të cilët në bashkëpunim me mësuesit kujdestarë, prindërit, drejtuesit e shkollave dhe aktorë të tjerë planifikojnë ndërhyrje që lidhen me edukimin, menaxhimin e sjelljes, krijimin e një mjedisi miqësor, menaxhimin e stresit, trajtimin e vështirësive dhe problematikave etj.”, – shkruhet në përgjigjen e kësaj agjencie.

Altin Hazizaj, drejtuesi i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA/ECPAT), tregon për Investigative Network Albania se në të shkuarën ka trajtuar raste të krimit në familje, ku janë hasur problematika me kujdestarinë.

“Dëmi që shkaktohet te këta fëmijë në raste të tilla është shumë i madh. Kemi pasur një rast, që, pavarësisht se me vendim gjykate fëmija iu la gjyshes nga ana e mamasë (viktimës), gjyshja nga ana e babait (vrasësit), e rrëmbeu vajzën e mitur, kishte paguar që ta kalonte vajzën nga Shqipëria në Greqi, ku dhe jetonte ajo së bashku me hallën e vajzës. Kemi pasur fëmijë, në rastet kur kanë qenë vajza, që kanë përfunduar viktima të prostitucionit ose të trafikimit për shkak të mungesës së mbështetjes”, – thotë ai, duke vënë theksin te shërbimi i dobët që i ofrohet kësaj kategorie.

Mungon trajtimi psikologjik

Më 25 shkurt të vitit 2020, Esmeralda Filopati, viktimë e dhunës në familje, u ekzekutua së bashku me të vëllain në oborrin e shtëpisë, në Rrëshen, nga ish-bashkëshorti. Fatmir Kolecaj qëlloi me armë zjarri Esmeraldën dhe Vledison Filopatin. Tri vajzat e mitura të Esmeraldës e panë të gjithë skenën, duke u bërë dëshmitare të këtij krimi makabër.

Të miturat, të cilat po rriten jetime, me mbështetjen e prindërve të Esmeraldës, Fran dhe Nusha Filopati, kanë nevojë për trajtim psikologjik.

Fran Filopati tregon për Investigative Network Albania-n se shteti ka lidhur një ndihmë prej 9 mijë lekësh në muaj për secilën vajzë, të cilat aktualisht janë 8, 10 dhe 13 vjeç, por me dëshpërim i moshuari shprehet se mbesat e tij kanë nevojë për ndihmë psikologjike.

“Pas krimit vajzat panë nënën e tyre të vrarë në oborr së bashku me dajën. Janë shumë të rënduara psikologjikisht, por unë nuk kam pasur mundësi që t`i çoj në psikolog. T`iu jap për të ngrënë dhe për të pirë, t’i çoj në shkollë dhe t`i marr, kaq kam mundësi”, – thotë Fran Filopati.

“Të më vijë ndihma për psikologe, vajzat jetojnë në vendin ku ndodhi tragjedia, është shumë e rëndë për ato”, – këmbëngul gjyshi i të miturave.

Ai kërkon nga institucionet shtetërore që t`i ndihmojnë të largohen nga shtëpia ku ndodhi krimi, pasi për vajzat është shumë e vështirë të jetojnë në Kodër-Rrëshen, ku ndodhi vrasja e dyfishtë.

“Dua t`i largoj mbesat nga kjo shtëpi, pasi këtu ka ndodhur vrasja, së paku të shkojmë në Rrëshen. Sa herë dalin në oborr për të luajtur, ato shohin një skenë krimi. Asnjë ndihmë tjetër nuk dua, vetëm t’i largoj këta fëmijë nga kjo shtëpi”, – thotë i zhytur mes dëshpërimit Fran Filopati.

Nga viktimë, në vrasës

Më 24 janar 2022, 17-vjeçari Florian Përvathi nga Lezha, ngriti armën dhe ekzekutoi për gjakmarrje fqinjin e tij, 65-vjeçarin Lek Lekgjonaj.

Gjithçka kish zënë fill 13 vite më parë, në vitin 2009, kur Ndue Lekgjonaj, vëllai i Lekës, i mori jetën babait të Florianit. Po atë ditë, nëna e Florit, piu fostoksinë duke i dhënë fund jetës, pasi nuk e duroi dot dhimbjen e humbjes së bashkëshortit, duke lënë pas tre fëmijë të mitur. Në dhomën e tragjedisë ndodhej edhe Floriani, asokohe vetëm 4 vjeç, që e pa të ëmën pa jetë.

Historia e Florianit është dëshmi e qartë e dështimit të të gjitha institucioneve, që kanë për detyrë të kujdesen për këta fëmijë krimi.

Para syve të të gjithëve, por pa i kushtuar rëndësi askush, i mituri u kthye nga viktimë në vrasës.

Fredi Përvathi, i afërm i Florianit, tregon për Investigative Network Albania-n se prej tragjedisë të 4 fëmijët u rritën nga gjyshi, gjyshja dhe nusja e xhaxhait, e cila gjithashtu kishte dy fëmijë.

“Fëmijët, të cilët mbetën jetimë, nuk morën asnjë ndihmë nga shteti, nuk pyeti dhe nuk u interesua njeri se çfarë po ndodh me këta fëmijë. Të 4 fëmijët janë rritur në kushte skandaloze, me pension pleqsh dhe invalidësh. Ishin në një shtëpi gjithsej 6 fëmijë, pasi jetonin së bashku me 2 fëmijët e xhaxhait dhe nusen e tij”, – rrëfen braktisjen nga shteti të të katër të miturve, Fredi, i afërmi i Florianit.

Sipas tij, që nga momenti kur fëmijët mbetën jetimë, deri kur Floriani kreu krimin e rëndë, asnjërit prej fëmijëve nuk i është ofruar ndihmë psikologjike nga shteti.

“Nuk di të ketë shkuar dikush dhe t`i këtë ofruar ndihmë këtyre fëmijëve, aq më tepër psikologjike” – deklaron ai.

Këtë fakt e ka pohuar edhe vetë Floriani, në një intervistë për mediat, se për herë të parë është njohur me psikologun në ambientet e burgut, pas krimit të rëndë.

“Unë nuk kam pasur kurrë një psikolog afër, që të më udhëzojë dhe të më mbajë në rrugë të drejtë. Për herë të parë u njoha me psikologun e punonjësin social në burg, kur nuk më duhet më”, – ka deklaruar Floriani.

I tronditur nga ajo që ka ndodhur, i afërmi pranon se askush nuk e ka kuptuar gjendjen e rënduar të Florianit, duke e përshkruar si një të ri të ndrojtur dhe të mbyllur.

“Kjo ngjarje nuk zhbëhet më, por ne s`e kemi kuptuar, që mund të vinte diçka e tillë. Ne jemi shokuar, kur e kemi marrë vesh. Floriani ishte pak tip i ndrojtur, i mbyllur, nuk e kemi kuptuar.
Floriani është fëmijë shumë i zgjuar, ai është artist është piktor, bën skulpturë”, – tregon i afërmi i të miturit.

I dëshpëruar ai rrëfen se Floriani mund të kishte një të ardhme krejt ndryshe, pasi kishte fituar shkollën e pikturës në Shkodër, por për arsye ekonomike nuk mundi ta vazhdonte, duke u detyruar të punojë në lavazh.

Piktura të Florianit

Krejt ndryshe nga hulumtimi i Investigative Network Albania-s, Policia e Shtetit flet për prani të psikologut dhe punonjësit social për të miturit në konflikt me ligjin.

“Në çdo fazë të procedimit penal me të miturit në konflikt me ligjin, si dhe gjatë pyetjes së të miturit – viktimë ose dëshmitar – pavarësisht nga mosha mbi ose nën 14 vjeç, prania e psikologut është e detyrueshme”, – i thotë INA MEDIA-s Policia e Shtetit.

“Në të gjitha rastet, kur i mituri është në konflikt me ligjin, viktimë apo dëshmitar, njoftohet menjëherë punonjësi i Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijës, në juridiksionin ku ka ndodhur apo është evidentuar ngjarja, me qëllim realizimin e të gjitha detyrimeve të përcaktuara në Ligjin Nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, si dhe marrjen e masave mbrojtëse në zbatim të Ligjit Nr.18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, – sqaron më tej Policia e Shtetit.

Psikologia Lorela Garuli këmbëngul se, nëse këta fëmijë nuk kanë trajtimin e duhur psikologjik, do të kenë vështirësi në menaxhimin e impulseve, agresivitetit dhe autokontrollit.

“Ngjarje të tilla krijojnë predispozitë, jo vetëm për çrregullime disociative, siç është çrregullimi i personalitetit disociativ, stresi post-traumatik, por edhe për çrregullime të tjera më të rënda, siç është borderline. Nga ana tjetër, janë fëmijë, të cilët, jo vetëm që do të humbasin besimin, por do t’iu tronditen këto themele, që janë thelbësore për një rritje të shëndetshme, njerëzore”, shpjegon psikologia.

Sipas saj, në raste të tilla duhet ndërhyrje emergjente, për të siguruar mirërritjen e fëmijëve.

“Këta fëmijë mund të bëhen vetë më vonë të dhunshëm, nëse nuk trajtohen. Do të kenë shumë vështirësi në menaxhimin e impulseve, të agresivitetit, të autokontrollit. Janë raste që kërkojnë fillimisht një ndërhyrje emergjente, ndaj punohet fillimisht shumë intensivisht dhe pastaj punohet për ta elaboruar traumën. Mund të jenë raste që kanë nevojë të ndiqen ndoshta edhe për vite të tëra me radhë, për të minimizuar sa më shumë pasojat negative”, – i thotë INA MEDIA-s psikologia.

Drejtuesi i CRCA, Altin Hazizaj, shprehet se, një fëmijë që rritet me dhunë në familje apo është viktimë e krimit në familje, mund të kthehet në komponent krimi në të ardhmen, nëse nuk merr trajtimin dhe mbështetjen e duhur nga instancat shtetërore, ndaj ai vë theksin që të investohet në shërbime të parandalimit.

“Duke qenë se nuk ka asnjë qendër që të ofrojë shërbime, konflikti nënë-baba fillon me shenja të vogla dhe përfundon deri në vrasje dhe kjo do të thotë që shteti shqiptar e lejon situatën të agravojë, deri në momentin kur dikush do të vritet. D.m.th., dikush duhet të dëmtohet, përpara se të marrë shërbime, ndërkohë që në të gjithë botën shërbimet për dhunën në familje janë shërbime parandaluese”, – përfundon Hazizaj.

Ky artikull u botua pranë “Investigative Network Albania” 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *