• |
ide | kryesore

SHBA-BE, përpjekje për të siguruar marrëveshje Kosovë-Serbi për reciprocitetin

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, filloi të martën në Prishtinë takimet me udhëheqësit e Kosovës, në kuadër të vizitës së tij të përbashkët me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.


Zoti Escobar u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë mbrëmjes pritet të takohet me udhëheqësit e partive politike në opozitë ndërsa të mërkurën është paraparë që të takohet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.


Dy të dërguarit pas Prishtinës do të qëndrojnë edhe në Beograd në vazhdën e përpjekjeve për të shënuar përparim drejt një marrëveshjeje që do të shmangte tensionet në terren, të cilat pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

Vizita pason takimin e javës së kaluar në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ku nuk u shënua ndonjë përparim por me pajtimin që të vazhdojnë përpjekjet për një zgjidhje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të martën në një bisedë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, se Serbia është serioze për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale të shkaktuar siç tha ai nga “lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”, njoftoi zyra e presidentit serb.

Sipas njoftimit, presidenti serb i tha ambasadorit Hill se është e rëndësishme që Prishtina t’i përmbahet marrëveshjes që forcat e posaçme të Kosovës të mund të lëvizin në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të katër komunave ku jetojnë serbët

Bisedimet në Bruksel që filluan 11 vjet më parë, synojnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Një studim i publikuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës bën thirrje që Kosova dhe Serbia të përqendrohen në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare e cila si rrjedhojë do të zgjidhte të gjitha çështjet teknike.

“Deri tani kemi parë që dialogu mbi çështjet teknike nuk ka sjellur rezultatet e pritura prandaj është e nevojshme që Kosova dhe Serbia të diskutojnë lidhur me marrëveshjen finale. Në këtë aspekt ka një vullnet politik nga ana e palës së Kosovës që të diskutohen elementet e marrëveshjes finale por si duket ka hezitim nga pala serbe që dialogu të shkoj drejt marrëveshjes finale, kjo mund të jetë edhe për arsye që kërkesë si SHBA-ve dhe BE-së është që marrëveshja finale të ketë në qendër njohjen reciproke e prandaj kemi një hezitim nga pala serbe që të diskutohet për këtë marrëveshje”, tha Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Sipas raportit të Institutit Demokratik, qeveria e Kosovës duhet të shtyjë përpara edhe idenë për dialog të brendshëm me serbët e Kosovës, në mënyrë që të shmangen paqartësitë dhe dezinformatat sikurse në rastin e reciprocitetit me dokumentet e identifikimit dhe targat e automjeteve.

“Po shihet që tani edhe më e nevojshme që për vendimet e fundit të qeverisë që prekin këtë komunitet të ketë më shumë komunikim dhe më shumë informim nga ana e qeverisë së Kosovës sepse pastaj ky vakumi që po ekziston mes këtij komuniteti dhe shtetit të Kosovës po mbushet me informacione të pasakta nga pala serbe po rritet ndikimi i Serbisë tek ky komunitet”, tha zonja Haxholli.

Raporti me titull “Dialogu Kosovë-Serbi, një hap para, tre mbrapa” thekson se mungesa e vullnetit politik për të ecur përpara drejt marrëveshjes përfundimtare, do të vazhdojë të reflektojë në terren, duke mbajtur një situatë të paqëndrueshme që prodhon herë pas here tensione. /VOA/


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.