• |
ide | kryesore

Çfarë ndodhi me Liz Truss, një udhërrëfyes përmes kaosit

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme
Liz Truss ne parlamentin e Anglise



Në 44 ditë si kryeministre -pjesa më e madhe e tyre kaloi duke u përpjekur të mbajë gjallë karrierën e saj politike,- Liz Truss njoftoi të enjten dorëheqjen. Ajo sapo u bë banorja me jetëshkurtër e Downing Street në 300 vjet të historisë britanike.

Katastrofa vetëshkatërruese – që u shndërrua në një spirale vdekjeje politike – filloi me një tentativë të gabuar të lideres së Partisë Konservatore për të riorientuar axhendën ekonomike të Anglisë përmes uljes së taksave, pa i bërë llogaritë se ku do të gjendeshin paratë. Tregjet u tronditën dhe Truss nuk e mori dot veten politikisht.

Në fund, ishte bërë aq pak popullore në popull, sa kolegët e saj në parti po mendonin publikisht mbi planet për ta zëvendësuar.

Le të shohim çfarë ndodhi.

Pse Truss u bë kaq jopopullore?

Në fundin e mandatit, sipas një sondazhi të YouGov, pëlqyeshmëria e Truss shkoi minus 70%. Nëse kjo shifër do të vazhdonte më tej rrëshqitjen, ajo ishte në rrugën e duhur për t’ia kaluar edhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin që arrin minus 84% në mesin e publikut britanik.

Truss u zgjodh kryeministre më 6 Shtator nga anëtarët e Partisë Konservatore për të zëvendësuar Boris Johnson. Dy javët e para ndodhi vdekja e Mbretëreshës Elizabeth II dhe ishin të heshtura politikisht, ndërsa vendi hyri në një periudhë zie.

Por më 23 Shtator, Ministri i Financave, Kwasi Kwarteng, bëri një gabim fatal: Pa asnjë paralajmërim, ai zbuloi një ndryshim për strategjinë ekonomike të vendit, duke premtuar uljen e taksave për përfituesit më të mëdhenj dhe korporatat e mëdha. – pa pasur një plan se si do ta financonte këtë plan.

Pothuajse menjëherë, vlera e paundit britanik ra, banka qëndrore e Mbretërisë së Bashkuar u detyrua të rrisë normat e interesit. Këstet e kredive u rritën. Inflacioni – që ishte në nivele rekord – rriti akoma më shumë koston e jetesës, duke dëmtuar reputacionin e Partisë Konservatore. Disa votues të klasës punëtore, të cilët ishin tërhequr nga plani i konservatorëve për Brexit-it, u larguan nga ndjesia se partia përfaqësonte vetëm interesat e elitave financiare.

Truss doli kaq pak në publik në ditët në vijim, sa një nga ministret e saj, duke folur në parlament tha se kryeministrja “nuk ishte aty poshtë tavolinës” duke u fshehur – një deklaratë që vetëm sa i nxiti njerëzit ta imagjinonin pikërisht në këtë pozicion.

Sa zyrtarë u shkarkuan ose dhanë dorëheqjen nën drejtimin e Truss?

Tre. Përfshirë 50 për qind të ministrave të saj më të vjetër në vetëm një javë.

I pari iku Kwarteng, arkitekti i vizionit të Truss për rritjen ekonomike dhe një aleat i vjetër politik. Truss e shkarkoi atë të premten e kaluar dhe e zëvendësoi me Jeremy Hunt, ministrin e katërt të financave të Britanisë. Me rrëmujën e tregjeve që shkaktoi, largimi i Kwarteng nuk qe befasi, aq më tepër për një kryeministre që përpiqej të ndalte gjakderdhjen e autoritetit të saj politik.

Më pas shkoi Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, e cila dha dorëheqjen të mërkurën. Kjo dorëheqje ishte e papritur: Shkak u bë fakti se Braverman dërgoi dokumente sekrete nga emaili i saj personal. Por në një letër dorëheqjeje të theksuar, Braverman e bëri të qartë se ishte e pakënaqur me drejtimin e saj të Truss.

Nëse humbja e dy ministrave në më pak se një javë nuk quhet dramë, mediat britanike raportuan të mërkurën se si ndihmësi kryesor i Truss, Jason Stein, ishte pezulluar pasi kishte kritikuar në mënyrë anonime konservatorët para gazetarëve. Sekretari i shtypit i Truss-it refuzoi të komentonte mbi çështjet e personelit të mërkurën. Por ai tha se kryeministri besonte se disa informata mediatike për kolegët parlamentarë kishin qenë “plotësisht të papranueshme“.

Si u rrëzua Liz Truss nga vota për shpërthimet me gaz?

Dita e fundit e Truss në zyrë u shenjua nga një votim kaotik për kërkimet e gazit me shpërthime nëntokësore.

Duke parë se kishte hapësirat për ta goditur politikisht, opozitarët e Partisë Laburiste paraqitën një mocion në parlament për t’i ndaluar kërkimet e gazit me shpërthime nëntokësore.

Partia fillimisht u përpoq ta shndërronte votimin në një shfaqje fuqie pro qeverisë së Truss, duke kërcënuar ligjvënësit me përjashtime, nëse do të ishin pro lëvizjeve të Laburistëve.

Por kur panë se kundërshtitë brenda partisë po rriteshin, udhëheqësit u tërhoqën nga kërcënimet.

Rezultati ishte një skenë kaosi e pastër, me pak ligjvënës të qartë për rëndësinë e votimit.

Konservatorët u “dorëzuan” në mbështetjen e qeverisë, raportoi Daily Telegraph.

Votimi përfundoi me 40 abstenime nga konservatorët – nuk dihet pse, edhe vetë Truss abstenoi.

Në një intervistë të drejtpërdrejtë atë mbrëmje, një konservator i zëshëm Charles Walker, e përshkroi situatën një “turp absolut”, duke fajësuar “mungesën e talentit” nga kolegët e tij për të mbështetur përpjekjet e Truss për t’u bërë lidere “jo sepse është në interesin kombëtar, por sepse është në interesin e tyre personal të mbajnë postin ministror.Pikëpamja e publikut për mënyrën se si partia e trajtoi veten është aq i paqartë sa gjysma e konservatorëve mund të humbasin në zgjedhjet e përgjithshme”, tha ai.

Çfarë do të ndodhë me Liz Truss dhe politikën në Mbretërinë e Bashkuar?

Partia Konservatore, e ndarë ashpër, tani do të votojë se kush nga ligjvënësit duhet të zëvendësojë Trussin.

“Ne kemi rënë dakord që do të ketë zgjedhje për lidershipin e ri që do të përfundojnë brenda javës së ardhshme”, tha Truss duke njoftuar dorëheqjen. “Unë do të qëndroj si kryeministre derisa të zgjidhet një pasardhës”.

Nuk është e qartë nëse procesi do të kufizohet vetëm tek ligjvënësit e partisë në Parlament apo nëse do të ftohet baza për të votuar. Kjo e fundit ka pak gjasa të ndodhë.

Figura politike, si ish-ministri i financave Rishi Sunak, i cili në shtator humbi garën për lidershipin konservator ndaj Truss, ministrja e kabinetit Penny Mourdant dhe madje edhe ish-kryeministri Boris Johnson janë përfolur si kandidatë.

Nëse ata nuk do të vendosin brenda partisë, Britania mund të shkojë në zgjedhje të reja. Kjo është favorizuar nga Partia Laburiste, e cila po sheh rritjen e popullaritetit javët e fundit, falë Truss. Zgjedhjet e reja do t’i jepnin mundësi popullit të vendoste, duke pasur parasysh se Truss nuk u zgjodh kurrë me votim popullor dhe u emërua nga anëtarët konservatorë.

Liz Truss dhe marulja
Liz Truss dhe marulja

Çfarë lidhje kanë “marule” dhe “tofu” me dramën në Mbretërinë e Bashkuar?

Perimet kanë hyrë në skenë.


Një ditë para se të jepte dorëheqjen si ministre e Truss, Sekretarja e Brendshme, Braverman kritikoi liberalët “që lexojnë The Guardian dhe hanë tofu” ndërsa fliste në Parlament. Komenti i saj, kishte për qëllim të fyente elektoratin liberal me prirje të majtë, ç’ka nxiti këngë, meme dhe shaka në internet, duke i shtuar benzinë konfliktit kulturore.

Dhe ndërsa besueshmëria e Truss-it po shkatërrohej, kolumnistët e gazetave britanike nisën talljet, duke parashikuar se karriera e saj do të kishte “jetëgjatësinë e ruajtjes së marules”, që është rreth 10 ditë.

Një tabloid, Daily Star, shkoi një hap më tej, duke vendosur një video live 24-orëshe të një sallate marule (nganjëherë e veshur me paruke ose syze) pranë një fotografie të Truss, duke pyetur shikuesit se cila do të vyshket e para.

Të enjten në drekë fitoi marulja./ Washingon Post, përshtati Lapsi.al

https://www.washingtonpost.com/world/2022/09/27/british-pound-drop-dollar-us-impact/



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *