• |
ide | kryesore

Tensioni në Veri/ Serbët bojkotojnë dhe kërkojnë “Zajednicën”

-Instant, Arkiva, Kryesore



Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës po e thellojnë ditë ditës krizën institucionale në vend. Këtë të hënë 10 të zgjedhur të “Lista serbska” dorëzuan mandatet e deputetit pasi më parë kryetarët e komunave, gjykatësit, prokurorët dhe policët në Mitrovicën e Veriut u larguan gjithashtu nga puna duke lënë bosh vendet e tyre.

Kjo krizë erdhi pasi qeveria Kurti nuk pranoi këshillën e SHBA-së dhe BE-së për të shtyrë për të disatën herë zbatimin e parimit të reciprocitetit, për vendosjen e targave me “Republika e Kosovës”, për mbi 10 mijë vetura me pronarë serbë që qarkullojnë në komunat e veriut me targa të lshuara nga Serbia.

Kryetarja e Gjykatës Mitrovice, Lilana Stevanoviq, dhe kolegët e saj duke u larguar nga kjo gjykatë. Sipas saj rreth 150 serbë kanë bojkotuar punen. Poshte police duke hequr uniformat

Vendosën të largohen nga institucionet e Kosovës, policët serbë zhveshin  uniformat - Telegrafi

 

I pyetër për këtë krizë kryeministri i Kosovës Albin Kurti i ka bërë thirrje përfaqësuesve të listës serbe të kthehen në institucion se kështu po zbehin misionin e shërbimit ndaj qytetarëve. Ndërsa politikisht ai e ka parë këtë lëvizje bojkoti si një manovër të Beogradit për të minuar dialogun që po zhvillon në Bruksel me Prishtinën. “Ka mundësi që ata nuk dëshirojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe tash kanë zgjedhur këtë rrugën tjetër, por unë besoj se të dëgjueshëm ndaj tyre janë pakrahasimisht më shumë strukturat e ndryshme ilegale, sesa qytetarët të vendit tonë, të cilët janë serbë”, tha Kurti.

Vuçiq, “pranë katastrofës”

Ndërsa Vuçiç pasi ka hedhur poshtë pretendimet shqiptare se bojkoti dhe trazirat ishin të urdhëruara nga Beogradi, është shprehur se shpreson që Policët që kanë dorëzuar detyrën të mos zëvendësoheen nga policë shqiptarë pasi kjo “mund të çojë në katastrofë”. Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të vendosin që misioni i NATO-s, KFOR dhe misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, të kryejnë punën e policisë në veri të Kosovës.

“Mendoj se diçka e tillë do të kontribuojë në paqe. Nëse amerikanët mendojnë që këtë punë mund ta bëjnë shqiptarët, e diçka e tillë nuk është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vullnetin e popullit, frikësohem se kjo situatë mund të çojë në katastrofë”. Presidenti i Serbisë ka thënë gjithashtu se shpreson që NATO-ja do të parandalojë ndonjë vendim të mundshëm të Kosovës për dërgimin e njësive speciale në veri. “Shpresoj se NATO-ja do të ketë mençuri të mjaftueshme për të parandaluar këtë gjë”, ka thënë Vuçiç.

Plani për targat

Aksioni bojkotuesi i ideuar nga “Lista Serbe” erdhi pasi autoritetet në Kosovë pushuan nga puna drejtorin e Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili deklaroi se nuk do të zbatonte vendimin e qeverisë për targat.

Faza e parë e këtij vendimi të Albin Kurtit që nuk e kanë përkrahur as SHBA e BE, përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill të vitit të ardhshëm dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Çfarë synon Beogradi?

Duket se situata e krijuar i ka dhënë mundësi serbëve dhe Beogradit të hidhen në kundër ofensivë. Ata po e shfrytëzojnë bojkotin e institucioneve për të ushtruar presion për krijimin e asocasionit të komunave etnike serbe. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç e bëri të qartë se serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Por, Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa pika të marrëveshjes nuk janë në harmoni me Kushtetutën dhe ka shtuar se ato mund të harmonizohen me akte nënligjore nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni një etnik, por aleatët e saj perendimorë në këtë pikë duket se janë më afër qëndrimit të Beogradit i cili kërkokon zbatimin e arrëveshjeve të nënshkruara.

Qëllimi i dytë i bojkotit të sëerbëve mund të jetë minimi i shqyrtimit të planit Franko Gjerman në tryezën e dialogut dy palësh. Ekzistenca planit franko-gjerman është bërë e njohur që në shator. Mbi të u diskutua edhe në Berlin më 3 nëntor nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Von der Leyen konfirmoi se ky plan tani është i “integruar në procesin e dialogut”.

Mirëpo duket se Beogradi refuzon ta pranojë këtë projekt prandaj kërkon të nxisë tensione. Më 8 tetor, presidenti Vuçiç tha se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Serbisë në BE.

Ai shtoi se Serbia “po poshtërohet edhe më shumë dhe nuk do të detyrohet që ta njohë zyrtarisht Kosovën”, por duke mos reaguar për këtë, sipas tij, do të ishte një pranim i heshtur. Siç tha Vuçiç, kjo është e papranueshme për Serbinë.

Pra duket se bojkoti i tanishëm serb ka vetëm si pretekst çështjen e reciprocitetit për tagrat, ndërsa si qëllim të fshehur do të arrijë minimin e planit Franko Gjerman dhe rritjen e trysnisë për krijimin e asocacionit të komunave serbe.

Ky është bojkoti i parë i kësaj përmase i serbëve të Kosovës, që kur Prishtina dhe Beogradi arritën një marrëveshje në vitin 2013 për largimin e tyre nga nismat paralele dhe integrimin në policinë, prokurorinë dhe gjykatat e republikës së Kosovës të cilat ata i kanë braktisur së fundi. 

©Lapsi.al

 

 

 



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *