• |
ide | kryesore

Minimumi jetik/ Aktivisti Leka: Premtim i vjetër dhe i pambajtur nga të gjitha qeveritë

-Instant, Lajme, Të fundit


Prej dekadash varfëria është ulur këmbëkryq në shoqërinë shqiptare. Kriza ekonomike botërore, rritja e çmimeve, pandemia janë vetëm disa nga faktorët që i kanë dhënë skamjes një karakter edhe më akut e të gjithanshëm.

Në përgjigje të përkeqësimit të kushteve të jetesës dhe ndjenjës së dëshpërimit që ka ka kapluar vendin, një grup të rinjsh kanë dalë në rrugët e kryeqytetit. Kauza e tyre është minimumi jetik. Ata kërkojnë të garantojnë një alternativë mbijetese për qytetarët e pambrojtur dhe vulnerabël. Ky grupim të rinjsh propozon vendosjen e një shume minimale jetese për të gjithë qytetarët, në mënyrë që ata të mbulojnë nevojat bazë.

Klodi Leka, një aktivist i Organizatës Politike, tregon për Lapsi.al rrethanat dhe motivet që sollën krijimin e kësaj nisme.

“Minimumi Jetik nuk është një ide e re, por një premtim i vjetër dhe i pambajtur nga pothuajse të gjitha qeveritë nga 1992 e këtej. Aktualizimi i tij është i ri, zëri që e aktualizon është i ri. Motivi që na shtyu të marrim këtë iniciativë për Minimumin Jetik nuk ka të bëjë aq me idetë sa me nevojën. Shqiptarët janë sot evropianët më të varfër. Të fundit për pagën minimale dhe mesatare. Të fundit për pensione dhe asistencë sociale. Të fundit për të ardhura, konsum dhe kursime. Jemi edhe të parët për papunësinë, emigrimin dhe palumturinë individuale. Ne jemi të vetëdijshëm se Minimumi Jetik nuk do ti japë fund varfërisë, por mund ta zbusë atë dhe ti hapë rrugë një përpjekjeje më të gjërë për drejtësi sociale”, shprehet ai.

Për të garantuar mbijetesën dhe dinjitetin e çdo njeriu, të rinjtë aktivistë prej ditësh janë angazhuar në mbledhjen e firmave të qytetarëve në Tiranë dhe në rrethe. Nevojiten rreth 20 000 firma që Kuvendi i Shqipërisë të marrë në shqyrtim projektligjin për minimumin jetik. Deri më tani janë mbledhur më shumë se gjysmat e firmave.

“Deri këtë të hënë kemi arritur të mbledhim mbi 15.000 nënshkrime dhe qindra të tjera po mblidhen aktualisht nga aktivistë, simpatizantë dhe përkrahës të kauzës në rrugë, shkolla, fabrika dhe qytete të tjera. Mirëpo çështja nuk është veç tek mbledhja e nënshkrimeve, por edhe tek informimi dhe mobilizimi i sa më shumë qytetarëve rreth kësaj të drejte esenciale”, shprehet Leka.

Minimumi jetik nuk është një koncept i ri për kontinentin tonë. Përkundrazi, Shqipëria mbetet i vetmi vend në Europë që ende nuk ka vlerësuar zyrtarisht një minimumin jetik të popullsisë.

Prej vitit 2019, shteti fqinj, Italia ka vendosur një ligj të ngjashëm me projektligjin e minimumit jetik që aktivistët e Organizatës Politike do të çojnë në Kuvend. Të Ardhurat e Qytetarisë (Reddito di Cittadinanza), kanë ndihmuar 2.2 milionë familje italiane të përballen me varfërinë. Të Ardhurat e Qytetarisë i sigurojnë çdo njeriu 780 Euro në muaj për të përballuar jetesën, ku përfshihet edhe subvencionimi i qirasë së banesës. Edhe Spanja ka ndërmarrë një nismë të ngjashme në po të njëjtin vit. Në rastin e Shqipërisië, shifra që Organizata Politike propozon për minimumin jetik është 20.000 lekë.

Sipas INSTAT-it, kufiri i varfërisë relative për një person në vitin 2019 është 14.232 lekë në muaj dhe për një familje (me dy prindër dhe dy fëmijë) 29.887 lekë, ndërsa kufiri varfërisë absolute është përkatësisht 9.488 dhe 19.925 lekë në muaj. Por ndihma ekonomike në Shqipëri luhatet mes 3.500 dhe 8.000 lekëve, dhe është mesatarisht në masën 5.154 lekë në muaj. Siç duket qartë, nga krahasimi i treguesve të INSTAT-it dhe ndihmës reale ekonomike, kjo e fundit është shumë herë më e ulët nga sa duhej të ishte për t’i nxjerrë njerëzit nga varfëria absolute apo relative.

“Përfituesit nga Minimumi Jetik nuk janë vetëm disa kategori të vogla e të margjinalizuara të shoqërisë, por pjesa më e madhe e saj. Nga 700.000 pensionistë rreth 400.000 prej tyre marrin nën 18.000 lekë në muaj, janë 64.000 familje të varfëra që marrin shuma qesharake nga shteti (pa vënë llogaritur ata që shteti nuk i llogarit për asistencë sociale për shkak të pronësisë mbi një 500 metërsh tokë apo të paturit një mjet motorik), janë 67.000 invalidë dhe dhjetra mijëra persona të tjerë që jetojnë në kufirin e varfërisë së skajme. Por mbi të gjitha, si efekt zinxhir, përfitues indirektë nga përcaktimi me ligj i Minimumit Jetik janë edhe punëtorët me pagë minimale dhe mesatare. Pra Minimumi Jetik i vyen shumicës së shoqërisë”, shprehet Leka.

Pedagogu Arlind Qori, si nismëtar i kësaj lëvizjeje, shpjegoi gjithashtu në media pak kohë më parë vlerën e këtij minimum jetik.

“Minimumi jetik është shuma e të ardhurave që i duhet një njeriu për të mos jetuar në kushte qensh. Në këtë kuptim është ajo shumë që do i duhet gjithkujt për të mbuluar jetesën bazë. Në Shqipëri nuk është as i përcaktuar, as i detyruar dhe ajo që duhet të bëjmë fillimisht është ta përcaktojmë atë. Ne nuk e kemi një llogari dhe as ligjin dhe pensioni, ndihma ekonomike nuk përcaktohen në bazën e të ardhurave. Na duhen 20 mijë firma, kemi një afat 3 mujor”, tha ai.

Të rinjtë dhe mbështetësit e organizatës politike duket se nuk kanë besim te qeveria për miratimin e projektligjit edhe në rastin e mbledhjes së firmave.

Këtë e shpreh edhe Klodi Leka, anëtar i kësaj lëvizjeje, i cili fton qytetarët t`u bashkohen protestave për mbrojtjen dhe realizimin me sukses të kësaj kauze.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm se qeveria jonë nuk është as sociale dhe as demokratike. Ajo është një qeveri autoritare dhe në shërbim të oligarkëve. Kësisoj, ne mendojmë se përveç nënshkrimit, është jetike që qytetari t’i qëndrojë edhe fizikisht nënshkrimit të tij me pjesmarrje në protesta para Kuvendit dhe Kryeministrisë. Presioni politik, në rrugë dhe kudo tjetër, do të jetë përcaktuese për fatin e kauzës dhe ne po bëjmë ç’është e mundur në këtë pike”.

@Lapsi.al


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *