• |
ide | kryesore

Profesionet që pritet të kërkohen dhe paguhen më shumë në 2023

-Instant, Lajme, Të fundit



2023-shi sapo ka trokitur dhe individët kanë  filluar të bëjnë llogaritë e prioriteteve, teksa çmimet dhe kostot e jetesës janë rritur ndjeshëm. Bizneset, nga ana tjetër, po e ndiejnë gjithnjë e më shumë mungesën e fuqisë punëtore, për shkak të emigracionit të lartë dhe “refuzimit” të të rinjve për të punuar në profesionet që paguhen pak.

Por, ky vit mund të ketë lajme të mira për shumë punonjës në vend, në gati të gjithë sektorët. “Viti 2023 do të sjellë rritje pagash për të gjithë, por disa kategori do të kenë rritje më të lartë”, parashikon Erald Pashaj, Administrator i EPPC Albania & Kosovo, kompanisë së specializuar në fushën e trajnimit dhe zhvillimit të stafit; kërkimit dhe seleksionimit; konsulencës dhe sondazhit të pagave dhe stafit me qira.

Sipas tij, rritjet më të larta do të jenë për pagat e ulëta, por edhe për disa kategori p.sh. teknologji informacioni apo teknik.

Rritja do të jetë më e lartë për pagat e ulëta, p.sh., punëtorë në prodhim deri në 20% dhe kategoritë Teknik (mekanik, elektrik, ndërtim, kondicionim, etj.), ustallarë, inxhinier, sepse këto kategori kanë jo vetëm kërkesë të brendshme, por tërhiqen edhe nga jashtë, për të punuar në vende si Kroacia, Sllovenia, Hungaria, por edhe Italia, Zvicra dhe Gjermania, të cilat kanë kërkesë të lartë.

“Ndërsa rritja +20% për punonjës të pakualifikuar vjen për shkak të mungesës së tyre në treg, por edhe me mosinteresimin nga një pjesë e popullsisë për të mos punuar me paga të ulëta.

Në të dy këto kategori ndikon edhe largimi nga vendi, i cili çdo vit ul mesatarisht me -40,000 punonjës aktivë të cilët largohen nga Shqipëria. Mënyra e parë për të frenuar largimin e punonjësve është ndërhyrja në rritjen e pagës, dhe madje rritje e ndjeshme”, rekomandon Pashaj.

Sipas tij, pika kulmore e ofrimit të pagave edhe më të larta do të jetë qershori 2023, kur sektori i turizmit dhe ndërtimit do të japë maksimumin e pagave për të tërhequr dhe për të mbajtur forcën e punës; turizmi përpara sezonit turistik 2023 dhe ndërtimtaria për të gjitha veprat në ndërtim dhe ato që kanë marrë leje dhe do të ndërtohen.

Sipas tabelës së përllogaritur nga EPPC, për punonjësit e fasonit psh, paga minimale neto pritet të shkojë në gati 49 mijë lekë/muaj në 2023, nga 45 mijë lekë në 2022. Paga e një asistenti do të arrijnë 43 mijë lekë, nga 40 mijë lekë.

Për punonjësit e financës, paga minimale neto nga 70 mijë pritet të arrijë në gati 76 mijë lekë/muaj. Për programuesit, vlerësimi mujor nga 100 mijë lekë mund të shkojë në 108 mijë lekë./ Monitor



4 Comments

    1. Nese vertet doni puntore e jo skllever rritni pagat mos i mbani jashte orarit pa paguar sot eshte krim kur shikon njoftime qe ende kerkoen punonjes me 200 mije te vjetra ne muaj me keto çmime me rroga minimale nuk perballon dot as 50 % te shpenzimeve . Gjeja me e rende qe kam punuar vete kamarier 13-14 ore ne dite ne bregdet per 400 mije te vjetra pa pushim as nje dite ne muaj katastrofe ndersa sot jam larguar nga Shqiperia ketu vertet nuk eshte parajse por 100 here me mire se ne Shqiperi vendin ku kam lindur dhe rritur qe sot nuk afron asgje ne per puntorin e ndershem dhe korrekt fatkeqsi.

  1. Pakot e ndihmave per kategorite me te keqpaguara, apo nen kufirin e varferise nuk mund te jene te shpeshta dhe ne perputhje me nivelin e varferise ne vend, ku inflacioni ben kerdine.

    Sigurisht qe ato jane te mirepritura edhe pse mbajne ere populizem e propagande elektorale, por jo zgjidhje.

    Pikerisht kjo forme ndihme eshte “hiç zgjidhje”, duke perdorur, si te pershtatshem ketu, nje term te ri te Kryeministrit.

    Shqiperia vuan nje sistem te padrejte pagash e pensionesh dhe vazhdimi i largimit te te rinjve e te fuqise se kualifikuar te punes do ta rendoje situaten ekonomike.

    Krahu i punes nga India, Bangladeshi e Filipinet per ndertim, peshkim, fasoneri dhe punime ne infrastrukturen rrugore eshte e qarte se nuk ndikon ne ndryshimin e kesaj gjendjeje.

    As ndryshimet e kerkuara politike nuk mendoj se permiresojne dukshem ekonomine dhe progresin shoqeror, pervecse mund te ngadalesojne korrupsionin galopant te kthyer ne sistem.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *