• |
ide | kryesore

OBSH: Kina nuk po tregon shifrat reale për pandeminë

-Instant, Lajme, Planet



Të dhënat e Kinës për COVID-19 nuk ofrojnë pasqyrën reale të situatës dhe janë shifra më të ulëta sa i përket shtrimit në spitale dhe vdekje nga kjo sëmundje.

Kështu tha më 4 janar një zyrtar i lartë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Përfaqësuesit e kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara pritet të takohen sërish më 5 janar me shkencëtarët kinezë, si pjesë e një përditësimi më të gjerë në mesin e shteteve anëtare lidhur me situatën e pandemisë COVID-19. Shqetësimet janë rritur pasi së fundi Kina është përballur me një shpërthim të shpejtë të virusit.

Të martën, shkencëtarët kryesorë kinezë paraqitën të dhënat para grupit teknik këshillues të OBSH-së, duke thënë se nuk është gjetur asnjë variant i ri i koronavirusit në Kinë, shtet me popullsi prej 1.4 miliard banorësh.

Këto deklarata të zyrtarëve kinezë mund të ulin shqetësimet te disa, teksa Pekini muajin e kaluar hoqi dorë nga politika e masave të ashpra, e njohur si “Zero-COVID”.

Por, komentet nga zyrtarët e OBSH-së paraqesin kritikën më të ashpër lidhur me mënyrën se si Kina po e menaxhon pandeminë. Shqetësimet janë të mëdha lidhur me të dhënat që ofron Kina, që do të mund të ndikojnë edhe në luftën kundër kësaj sëmundjeje që deri më tani ka vrarë mbi 6.7 milionë persona në mbarë botën.

“Ne besojmë se shifrat aktuale të prezantuara nga Kina janë nënpërfaqësim i ndikim real të sëmundjes, në kuptimin e shtrimit në spitale, të rasteve kritike dhe vdekjeve”, tha drejtori për emergjenca në OBSH, Mike Ryan.

Ai shtoi se OBSH-ja ende nuk ka të dhëna të plota lidhur me situatën me pandeminë në Kinë, shtet kur për herë të parë në fund të vitit 2019 u regjistruan rastet me koronavirusin e ri.

Ryan po ashtu tha se Qeveria kineze ka një përkufizim “të ngushtë” sa i përket vdekjeve nga COVID-19.

Muajin e kaluar, Kina vendosi që të ndryshonte politikën e saj sa i përket vdekjeve të lidhura me COVID dhe tha se do të regjistrojë vetëm rastet e vdekjeve të pacidentëve kur koronavirusi ka shkaktuar pneumoni apo dështime të kanaleve të frymëmarrjes.

OBSH-ja thotë se vdekjet duhet t’i atribuohen COVID-19 nëse ato rezultojnë “nga një sëmundje klinike” te një pacient që dyshohej se ishte i infektuar apo ishte konfirmuar se ka qenë i infektuar me koronavirus dhe vdekja e pacientit nuk është shkaktuar nga ndonjë shkak tjetër, sikurse ndonjë traumë.

Kina, pas pothuajse tre vjetësh, ka vendosur që të hapë ekonominë e saj dhe të heqë masat e rrepta – që kanë përfshirë izolime, testime masive dhe karantinim – dhe nga 8 janari do të hapë kufijtë e saj për botën./REL



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *