• |
ide | kryesore

Ekzekutimi i Edmond Papës/ Andrew Bode shpallet në kërkim ndërkombëtar

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Arrest me burg në mungesë kërkon Prokuroria e Tiranës ndaj Andrew (Ervin) Bode, i dyshuari si një nga autorët që morën pjesë në ekzekutimin e Edmond Papës.

Nëse togat e zeza konfirmojnë masën, Bode shpallet në kërkim ndërkombëtar. I dyshuar si ekzekutori i 49-vjeçarit, mendohet të jetë jashtë vendit, dhe dalja e tij të jetë bërë ilegalisht pasi nuk ka lënë gjurmë në TIMS.

Bashkë me Albano Velon, të njohur si të afërt të Aleksandër Sadikajt që u ekzekutua me tritol në rrugën Tiranë-Elbasan, dyshohet të kenë organizuar dhe kryer vrasjen e Papës në shenjë hakmarrje, ndërsa hetuesit po verifikojnë edhe një person të tretë, me impakt në biznes dhe aktivitet kriminal, nëse ka gisht në ngjarje.

Ndërkohë, Syri Tv ka siguruar dy vendime të Gjykatës së Fierit për Edmond Papën, viktimë e atentatit të 16 dhjetorit. Ato kanë të bëjnë mbi dy procedime penale ndaj këtij të fundit për të njëjtën vepër, dyshimet e pastrimit të parave, duke vendosur pas një procesi të gjatë e të komplikuar, pushimin e tyre. Procedimi i parë u regjistrua në 2015 dhe pushoi me kërkesë të Prokurorisë e cila ishte edhe institucioni që i hapi ato.

Por pas këtij momenti nga Greqia vjen një letërporosi, në të cilën theksohen rekordet kriminale të Papës ne shtetin Helen, e përkatësisht në vitin 1996 për zhvatje, në 1997 për drogë dhe në 2013 për mashtrim. Në këtë vit është burgosur në Greqi, ndërsa ndaj tij është marrë vendim-dëbimi deri në vitin 2037 pa të drejtë hyrje në shtetin helen. Prokuroria regjistron procedim tjetër, po për pastrim parash, dhe në 2019 me vendim Gjykate, sërish me kërkesë të organit të akuzës pushon.

Faktin e transfertave apo depozitimeve në miliona lekë dhe euro në disa raste në banka të nivelit të dytë, Papa e ka justifikuar me punën në të zezë në Angli në fillim të viteve 2000, një biznes në Roskovec dhe puna që ka bërë në Greqi, gjë që u besua nga Prokuroria e Gjykata në atë kohë.

Edmond Papa rezultonte pronar i disa pronave të patundshme në Fier, Tiranë e Sarandë me vlerë miliona euro. Vrasja e tij deri në këtë fazë të hetimit, po konsiderohet si hakmarrje për ekzekutimin e Aleksandër Sadikajt, të dyja këto pasojë e zhdukjes së qindra kg kanabis disa vite më parë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *