• |
ide | kryesore

Rrëfimi i të riut shqiptar/ 15 muaj skllav i trafikantëve në një “shtëpi bari” në Britani

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
shqiptar



Besmir Sula, një i ri shqiptar, emigrant i paligjshëm që pagoi 4 mijë paund për të kaluar në Britaninë e Madhe me gomone për të punuar në shtëpitë e barit, tregon se u mbajt nga trafikantët i mbyllur për më shumë se 15 muaj. 19-vjeçari u rekrutua nga gangsterët shqiptarë sapo mbërriti në ishull. Ai arriti të shpëtonte prej tyre vetëm kur policia ushtroi kontroll në një prej “investimeve” për kultivimin e kanabisit.

I riu shprehet se menjëherë sapo mbërriti në Britani u dërgua nga autoritetet në një qendër emigrantësh për t’u zhvendosur më pas në një nga hotelet e caktuara nga qeveria për azilkërkuesit. Ishte pikërisht aty ku ai u mor nga trafikantët shqiptarë dhe u zhvendos në shtëpitë e mbushura me kanabis në zonat rurale të Cranbrook dhe Hawkhurst në Kent.

Djaloshi më pas u “dyllos” brenda pasi kishte detyrën e rëndësishme që të kujdesej për më shumë se 500 rrënjë kanabis, një drogë shumë e përdorur nga të rinjtë britanikë, por jo vetëm. Në muajin dhjetor Sula u arrestua gjatë një operacioni policor dhe doli përpara gjykatës nën akuzat e trafikut dhe prodhimit të lëndëve narkotike, akuza të cilat ai i mohoi gjatë gjithë kohës.

Përfaqësuesi i tij ligjor, John FitzGerald tha se adoleshenti, i cili nuk kishte precedentë të mëparshëm penale, ishte viktimë e një grupi kriminal të organizuar që e kishte shfrytëzuar për një kohë të gjatë.

“Ai është nga një fshat shumë i vogël dhe i varfër në Shqipëri ku punonte gjithë natën në një furrë buke për 300 euro në muaj. Më pas djaloshi mori 4500 euro borxh nga një person i afërt për të udhëtuar ilegalisht drejt Britanisë, ku i ishte premtuar se do të gjente jetën e shumë ëndërruar”, – tha avokati.

Fitzgerald e mbylli mbrojtjen duke thënë se Sula ishte një i ri naiv që përfaqësonte në mënyrën më të mirë viktimën e skllavërisë moderne. Nga arrestimi i tij, Sula ka qëndruar në paraburgim ndërsa avokati i tij i kërkoi gjykatës të ishte e mëshirshme. Gjyqtari Douglas Marks Moore urdhëroi që Sula të vuante dënimin në një institucion për të rinjtë dhe më pas të dëbohej për në Shqipëri. ©LAPSI.al



4 Comments

  1. Lapsi, nuk e di si mund ta zgjidhni, por me atë te semurin që shkruan “fuck eurupe” e për faqe të tëra , e kemi vështirë të bëjmë komente normale, madje shfleresohet gjithçka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *