• |
ide | kryesore

Analiza e BIRN/ Kush e fiton Kavajën ku gara po bëhet për çdo votë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
Kavajës



Bashkia e Kavajës është një nga zonat që ka kaluar nga një bastion i Partisë Demokratike në një thuajse bastion të Partisë Socialiste. Në vitin 2007, kandidati demokrat Refik Rrugeja fitoi zgjedhjet me rezultatin e pabesueshëm prej 84% të votave për bashkinë e qytetit Kavajë. Katër vjet më vonë, Elvis Roshi, në atë kohë 36 vjeç, bëri surprizën e atyre zgjedhjeve, duke mposhtur Rrugenë me 54% të votave.

Roshi, i cili më vonë u bë sinonim i politikës së kriminalizimit të politikës në Shqipëri, fitoi me lehtësi një mandat të dytë më 2015, kur, në bashkinë e Kavajës, tashmë të shtuar me ish-komunat Synej, Luz i Vogël Golem dhe Helmas, mposhti kandidatin demokrat me 62% të votave. Roshit i ngeci fati te procesi i dekriminalizimit. Ai u shkarkua nga detyra dhe në vitin 2017, zgjedhjet e parakohshme për kryetar bashkie i dhanë një fitore të ngushtë Isa Sakes, kandidat i PD-së.

Socialistët e rimorën bashkinë Kavajë në zgjedhjet pa garë të vitit 2019, por numri i votave që ata arritën të mobilizonin në ato zgjedhje nuk ishte shumë i lartë, vetëm 7500. Ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, në territorin e Bashkisë Kavajë socialistët dhe aleatët e tyre aktualë socialdemokratë, morën rreth 10,700 vota, rreth 500 më pak se sa kundërshtarët e tyre, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, të marra së bashku.

Numri i votuesve në bashkinë Kavajë është rritur vazhdimisht dhe fort përgjatë viteve të fundit, duke reflektuar rritjen e popullsisë në regjistrin civil, ndërkohë që numri i votave të hedhura dhe pjesëmarrja në zgjedhje, ka rënë, duke reflektuar shkallën e emigrimit. Në vitin 2007, në territorin e bashkisë aktuale kishte 50 mijë votues në lista ndërsa më 2011, numri i votuesve arriti në mbi 66 mijë. Përkundrejt kësaj, numri i votuesve ka rënë, nga 27 mijë më 2011, në 23 mijë më 2021.

Banorët e Kavajës do të zgjedhin mes kryebashkiakut aktual Redjan Krali, i Partisë Socialiste dhe kandidatit të koalicionit opozitar Bashkë Fitojmë Fisnik Qosja. Në garë për 31 ndenjëset e këshillit bashkiak njëmbëdhjetë parti, në listat e mbyllura të së cilave gjenden 352 emra kandidatësh.

Bashkia e Kavajës shtrihet në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë dhe ka një terren fushor dhe bregdetar. Bashkia aktuale përfshin, përveç qytetit të Kavajës, edhe ish-komunat Golem, Synej, Luz i Vogël dhe Helmas.

Njësia administrative e Golemit gjendet në gjirin e Durrësit dhe gjatë dekadave të fundit ka zhvilluar shërbime turistike bregdetare. Komunat Synej dhe Luz i Vogël shtrihen në zonë fushore, ku Synej ka një segment bregdeti të pazhvilluar përgjatë Kepit të Turrës. Komuna Helmas është zonë kodrinore.

Kavaja është një qytet me industri të ndryshme. Bashkia e Kavajës numëron rreth 600 të punësuar. /Reporter.al



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *