• |
ide | kryesore

Apeli i Luçiano Boçit: Inceneratori duhet të fiket menjëherë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Elbasanin, Luçiano Boçi bën thirrje që inceneratori të fiket pasi po u shkakton qytetarëve sëmundje të renda.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai është shprehur se ndotjes së këtij qyteti, pas metalurgjikut i është shtuar industria e re që falë politikave korruptive kursen energji duke mos ndezur filtrat dhe kështu merr jetë njerëzish.

Sipas Boçit, ky incenerator është ndezur tani për periudhën e zgjedhjeve.

Ai thekson se qeveria Rama ka “ngulur” në Elbasan një incenerator me planin që ta kthejë qytetin në kosh ndërkombëtar plehrash dhe që sipas tij kur ndizet e kthen Elbasanin në një krematorium.

Reagimi i Boçit: 

Elbasani e kishte një ndotje historike. Metalurgjiku – me depozitimet nëntokësore të metaleve të rënda dhe me pluhurin e një shkretëtire industriale të mbetur rrënojë – ishte dhe është një kërcënim për shëndetin. Sëmundjet profesionale, gjymtimet e pakthyeshme të mushkërive, talasemia minor e shpërndarë masivisht, trepanocitoza dhe anemia, sëmundjet gjenetike etj., të gjitha flasin për urrejtjen me të cilën sistemi ndëshkoi Elbasanin.

Kësaj ndotjeje historike iu shtua industria e re, e cila falë politikave korruptive dhe zarfit nën dorë (që e paguan ende), kursen energji duke mos ndezur filtrat dhe kështu merr jetë njerëzish.

Sot, industria si kërcënim mjedisor – shëndetësor vjen e katërta pas inceneratorit, trafikut dhe ndërtimit.

Përvijues të së njëjtës filozofi të urrejtjes, qeveria Rama nguli në Elbasan një Incenerator me planin që ta kthejë qytetin në kosh ndërkombëtar plehrash – pikë pritjeje të importit të mbeturinave. Inceneratori i Elbasanit ishte Monstrumi i parë i një plani mjedisor makabër.

E mira është se e vërteta dalëngadalë po zbardhet. E keqja është se autorët, duke qenë në pushtet, duan të mbrohen duke shtyrë përpara një plan ku Elbasani konsiderohet ekologjikisht i vdekur dhe krejt i pavlerë.

Ndezja e Inceneratorit në kushtet siç është, e bën planin e tyre një realitet. Ata e dinë se inceneratori shpërndan gjerësisht kancer, si me tymin e djegies ashtu edhe me hirin e zjarrit. Ne e marrim këtë kancer nga ajri dhe nga ujërat, por tashmë edhe nga bimët e mbjella në Jagodinë, Kuqan dhe nga fusha më pjellore që kemi.

Kur inceneratori ndizet, Elbasani është një krematorium dhe ne jemi të dënuarit e tij. Tani ai është ndezur për fushatë. Dhe ne jemi në një rrezik real për jetën dhe shëndetin!

Paturpësisht, njeriu që vjen t’i fyejë elbasanllinjtë në shtëpinë e tyre, ka guximin që ta ndezë këtë armë të shkatërrimit në masë si shenjë të punës së mirë që ka bërë në shfarosjen e tyre. Në fakt është i njëjti që ka detyruar mbi 30% të popullsisë të ikin nga sytë këmbët, nga Shqipëria dhe nga Elbasani.

Logjika e veprimit të tij për shfarosjen e shqiptarëve, në Elbasan është dëshmuar solide.

Tani që flasim, po thithim kancer në vend të ajrit, uji që na arrin është i ndotur, ushqimet që blejmë janë “spërkatur” me helmet e inceneratorit – sepse na qeveris një i papërgjegjshëm.

Do të ftoja të gjithë qytetarët e Elbasanit që t’i bashkohen thirrjes sime “FIKE PLEHRËN!” dhe të postojnë në profilin e tyre në mediat sociale këtë foto…

Pas zgjedhjeve, flasim. Tani Inceneratori duhet të fiket. Menjëherë!



1 Comment

  1. Me te tilla mashtrime do fitosh o boboç?Shpalos planin tend e thuaj qe kur te fitoj une do ta fik jo pas zgjedhjeve flasim….mediokritet komplet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *