• |
ide | kryesore

25 maji i hidhur bardhezi, 40 vjet nga ‘befasia’ e Athinës: Magath ngriu super Juven e Platini

-Instant, Sport
Magath



Ishte Juventus i gjashtë kampionëve të botës të vitit 1982 plus Boniek, Platini dhe Bettega. Pas një rrugëtimi pa shqetësime, më 25 maj 1983, në finalen e Athinës, Hamburgu outsider befasoi favoritët e mëdhenj bardhezi me golin e Felix Magath në fillim të ndeshjes. Magath gjeti një goditje që doli jashtë binarëve të logjikës për të përfunduar në këndin e sipërm të majtë të një legjende të futbollit botëror të quajtur Dino Zoff.

Një disfatë që shënjoi një gjeneratë juventinësh, të djegur nga e paimagjinueshmja. Që atëherë, edhe pse ishte precedenti i humbjes në finale ndaj Ajax dhjetë vjet më parë, filloi ajo që u bë një mallkim i vërtetë. Marrëdhënia e ndërlikuar mes Juventus dhe Kupës me veshë të mëdhenj filloi nga ai moment. Nëntë finale të luajtura dhe shtatë humbje: një rekord. Të vetmet fitore, ajo tragjike në 1985 në Heysel kundër Liverpool dhe ajo me penallti kundër Ajax në 1996. E vetmja që tifozët e vërtetë e konsiderojnë të tillë.

Në vitin 1983 dukej vetëm një formalitet, i fundit. Hamburgu drejtohej nga një prej trajnerëve më të rëndësishëm në historinë e futbollit, Ernst Happel. Për finalen, ai i krijoi një kurth kolegut Trapattoni duke e zhvendosur Bastrup, anësorin e majtë, në anën tjetër të fushës. Xhentile, i ngarkuar për markimin e tij, u detyrua të ndërronte krah, duke i lënë hapësirë Magathit për tu futur. E kështu ai, duke u nisur prej aty gjeti golin e ndeshjes. Juve kurrë nuk arriti ta bënte veten vërtet të rrezikshëm atë finale. Bardhezinjtë dukej se po endeshin në fushë pa forcë. Më pas doli se skuadra, nga frika e trafikut, kishte mbërritur në stadium tre orë më herët duke kaluar një kohë të madhe duke u kapur nga tensioni.

E kështu, për kënaqësinë e të gjithë anti-juventinëve, bardhezinjtë u kthyen në Torino me një ndjenjë befasie dhe pafuqie gati të sikletshme. Një kolaps i krahasueshëm me 5 majin 2002 për interistët, me Roma-Liverpool dhe Roma-Lecce për tifozët verdhekuq dhe një tjetër 25 maj (këtë herë në 2005) për tifozët e Milan, të djegur nga rikthimi i Reds në finalen e Stambollit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *