• |
ide | kryesore

BE: Kosova dhe Serbia të ulin tensionet, ose do të përballen me pasoja negative

Lajme, Të fundit
Bashkimi Europian, BE, anëtarësim



Bashkimi Evropian u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të ulur tensionet dhe të punojnë për vendosjen e qetësisë në veri të Kosovës. Dështimi për të bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative për të dyja palët.

Në një deklaratë të lëshuar nga shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, në emër të 27 vendeve anëtare të bllokut dënohen “aktet e dhunshme kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave në veri të Kosovës. Dhuna mund të ishte shmangur dhe duhet shmangur në të ardhmen”, thuhet në komunikatë, në të cilën theksohet se blloku qëndron fuqishëm në mbështetje të misionit të NATO-s dhe atij të BE-së për sundimin e ligjit në përmbushjen e mandateve të tyre.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të shtensionuar situatën, t’i japin fund retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pa bashkërenduar. Qetësia duhet të rivendoset urgjentisht. Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të ulur tensionet do të çojë në pasoja negative”, thuhet në deklaratë.

“Presim që Kosova të veprojë në mënyrë që nuk e përshkallëzon situatën, dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje” theksohet më tej në deklaratë në të cilën shprehet “shqetësimi për shkallën e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe”.

Bashkimi Evropian po ashtu kërkon që Kosova dhe Serbia “të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës, e cila garanton siguri, dhe demokraci për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Kjo përfshin fillimin pa vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, thuhet në deklaratën e zotit Borrell./ VOA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *