• |
ide | kryesore

Kaluan 2.1 milionë euro/ SPAK jep detaje për grupin e ish-shoferit të Ardi Veliut

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
spak



SPAK ka zbardhur detaje të reja nga operacioni që goditi dy grupe kriminal që merreshin me vjedhje mallrash në Francë të cilat më pas kontrabandoheshin më pas në vendin tonë duke u pastruar.

I përfshirë në këtë veprimtari është edhe ish-shoferi i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, shtetasi Sokol Idrizaj. Ky i fundit është arrestuar bashkë me bashkëshorten e tij. SPAK thotë se hetimet paraprake janë kryer nga autoritetet franceze.

Ata kanë zbuluar dhe goditur një grup kriminal me shtetas me origjinë shqiptare, të cilët dyshohet se vidhnin sende të ndryshme dhe pastronin të ardhurat që rridhnin nga to brenda territorit francez dhe më pas atij shqiptar.

“Pas grumbullimit të sendeve të vjedhura në territorin francez dhe shumave monetare që rridhnin nga veprimtaria kriminale, pasi i depozitonin në një hotel, ua jepnin ato në dorëzim për t’i transportuar në mënyrë të paligjshme në Shqipëri” – thotë SPAK që më pas nënvizon se këtu hynte në lojë grupi i dytë kriminal. Ishin këta që transportonin këto shuma të mëdha monetare nga franca në vendin tonë.

“Këto shuma të përdorura për blerjen e sendeve të luksit, kapin një shifër prej 724,386 euro, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, pa përfshirë këtu shumat në cash të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme që kapin vlerën e 2 113 000 euro dhe 35 mijë franga.

Përveç këtyre shumave monetare personat nën hetim kanë transportuar në mënyrë të paligjshme edhe rreth 3.4 kg sende të çmuara (flori)” – thotë SPAK që më pas nënvizon se këto sende të futura kontrabandë në territorin shqiptar janë shitur tek persona të ndryshëm duke fshehur njëkohësisht edhe të ardhurat e fituara nga ky aktivitet i paligjshëm.

SPAK thotë se personat nën hetim si dhe bashkëpunëtorët e tyre kishin mbështetjen dhe përkrahjen e disa punonjësve të policisë dhe doganës të portit të Durrësit. Të proceduar nga SPAK kanë qenë gjithsej 17 persona nga të cilët 15 janë lënë në arrest me burg, 1 është lënë në arrest shtëpie dhe 1 tjetër në detyrim paraqitje. Deri tani janë arrestuar vetëm 12 persona.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në territorin shqiptar, janë sekuestruar: 1 armë zjarri tip Pistoletë; 65 300 Euro; 9 900 USD kanadez; 60 ora dore (Hamilton, Omega, Rolex, Baume & Mercier, Cartier, Breitling, Hublot Geneve, Edifice etj); 1 aparat fotografik; 9 laptopë; 7 i-Pad; 3 tabletë; 28 aparatë celularë; 2 kompjuterë; 33 copë bizhu; 2 monedha ari; Sasi e konsiderueshme syze dielli të markave të ndryshme luksoze (DG, Louis Vuitton, Ray Ban, Giorgio Armani, Versace); Sasi e konsiderueshme parfume dhe kremrash (Versace Dylon Blue, Dolce Gabbana, Hermes, Avon Glamour, Asabi; Channel Blue; Armani “Si”, Louis Vuitton; etj; 1 stilolaps Cartier; 2 stilografë; karta të ndryshme bankare; Veshje të markave të ndryshme si Dior, Christian Louboutin, Christian Dior, Hermes, Moncleir, Balenciaga, si edhe Canta apo Këpucë të firmave prestigjioze” – shkruan SPAK në njoftim.

Ndërsa autoritete franceze të drejtësisë kanë arrestuar 13 persona dhe gjatë kontrollit të ushtruar nga autoritetet franceze janë sekuestruar: 215 569 euro; 115 copë bizhu të ndryshme; 50 orë dore të markave të ndryshme luksoze, etj. ©LAPSI.al



3 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *