• |
ide | kryesore

FMN – qeverisë shqiptare: Kujdes me rritjen e pagave të administratës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit
FMN



Fondi Monetar Nderkombetar në deklaratën e fundit për Shqipërinë ka paralajmëruar se inflacioni mund të zgjasë më shumë se parashikimi mes kushteve të shtrënguara të tregut të punës dhe rritjeve të pagave në sektorin publik, çka mund ta detyrojë Bankën e Shqipërisë të përshpejtojë shtrëngimin e politikës monetare. FMN theksoi se rritja e buxhetit për pagat e sektorit publik duhet shoqëruar me masa domethënëse për të ardhurat dhe përfitime në efikasitetin e sektorit publik dhe të mos rrezikojë objektivat afatmesme të konsolidimit fiskal.

Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i kryesuar nga Znj. Anke Weber, zhvilloi një vizitë në Shqipëri gjatë datave 13-19 qershor, për të diskutuar zhvillimet e fundit makroekonomike, parashikimin ekonomik dhe politikat prioritare.

Në fund të vizitës, Znj. Weber bëri deklaratën në vijim: “Ekonomia shqiptare ka tejkaluar pritshmëritë në vitin 2022, duke u rritur me 4.8 për qind, mbështetur nga kërkesa e fortë konsumatore, flukset hyrëse të turizmit dhe aktiviteti i ndërtimit.

Deficiti i llogarisë korrente dhe deficiti fiskal u ulën në mënyrë të konsiderueshme, paralelisht me një vlerësim të lekut. Këtë vit, rritja ekonomike pritet të jetë e moderuar, rreth 3 për qind, për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike të partnerëve tregtarë, tërheqjes së politikës mbështetëse dhe kushteve më të shtrënguara financiare. Besimi i vazhdueshëm i konsumatorëve dhe turizmi do të mbështesin aktivitetin ekonomik për këtë vit. Inflacioni ka ardhur gradualisht në rënie, por mbetet ende mbi objektivin e Bankës Qendrore.”

“Parashikimi kushtëzohet nga një pasiguri e madhe. Rritja ekonomike e partnerëve tregtarë më e ngadaltë se pritshmëritë mund të ndikojë eksportet dhe rritjen ekonomike në Shqipëri.

Inflacioni mund të zgjatë më shumë, i nxitur nga kushtet e shtrënguara të tregut të punës dhe nga rritjet e konsiderueshme të pagave në sektorin publik, duke ndikuar edhe në pagat e sektorit privat. Një përshkallëzim i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe moti i pafavorshëm, si faktor në prodhimin e energjisë elektrike, mund të sjellin një përsëritje të goditjeve të ofertës. Nga ana tjetër, ekonomia mund të jetë përsëri më e qëndrueshme se pritshmëritë, falë ecurisë së fortë në turizëm.”

“Ne mbështesim angazhimin e autoriteteve për arritjen e një balance primare jonegative në vitin 2023, një vit përpara afatit të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit (LOB). Synimi drejt një teprice primare prej 1.5 për qind në vitin 2024 do të ndihmojë për rikrijimin e shpejtë të hapësirave fiskale dhe për të garantuar rezistencë ndaj goditjeve të ardhshme. Kjo qasje do të ulë edhe presionet inflacioniste. Theksojmë se rritja e buxhetit për pagat e sektorit publik duhet shoqëruar me masa domethënëse për të ardhurat dhe përfitime në efikasitetin e sektorit publik dhe të mos rrezikojë objektivat afatmesme të konsolidimit fiskal.”

“Strategjia afatmesme e të ardhurave duhet të ankorojë një konsolidim fiskal të besueshëm dhe agjendën e reformave në fushën e tatimeve. Ne mbështesim ligjin “Për të ardhurat” miratuar së fundmi, i cili pritet të zgjerojë bazën tatimore. Zbatimi në kohë i masave të tjera të planifikuara për rritjen e të ardhurave tatimore është po ashtu me rëndësi. Reforma të tjera për administrimin e të ardhurave, përfshirë rritjen e pajtueshmërisë së individëve të pasur, plotësojnë përpjekjet e politikave tatimore. Përparimi i vazhdueshëm i reformave strukturore fiskale do të forcojë menaxhimin e financave, investimet dhe monitorimin e rrezikut.”

“Ulja e mëtejshme e inflacionit është thelbësore, sidomos për të mbrojtur familjet në nevojë. Ne mbështesim synimin e Bankës së Shqipërisë për të vijuar me normalizimin e politikës monetare dhe vëmë re se kjo politikë mbetet lehtësuese, pavarësisht rritjes së normës bazë të interesit në mars. Nëse inflacioni vijon të jetë më i qëndrueshëm se parashikimi, ritmi shtrëngues duhet të përshpejtohet. Ne përkrahim një qasje ndaj vendimeve të politikës monetare, e cila është fleksibël dhe e mbështetur në të dhëna. Ndërhyrjet në kursin e këmbimit duhet të kufizohen për rastet e çrregullimeve të kushteve të tregut, duke ruajtur rolin e kursit të këmbimit si amortizues i goditjeve.”

“Sistemi bankar ka dëshmuar rezistencë ndaj goditjeve të njëpasnjëshme, por shtrëngimi i kushteve financiare mund të ekspozojë dobësitë e tij. Në përgjithësi, sistemi bankar ka pozicion të fortë sa i takon kapitalit dhe likuiditetit, por numri më i lartë i huave me probleme mund ta gërryejë këtë kapital. Në këtë kontekst, mirëpresim përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për forcimin e kuadrit rregullator dhe mbikëqyrës, përfshirë krijimin gradual të shtesave më të mëdha të kapitalit bankar.

Ne inkurajojmë monitorimin e vazhdueshëm të rrezikut të kredisë bankare, rrezikut të kursit të këmbimit dhe atij të normave të interesit. Mbledhja e më shumë të dhënave mbi sektorin e pasurive të paluajtshme do të jetë kyçe për zhvillimin e mëtejshëm të kuadrit makroprudencial.”

“Ekipi shpreh mirënjohjen për diskutimet e dobishme dhe mikpritjen e autoriteteve dhe homologëve të tjerë në Shqipëri. Misioni i ardhshëm i FMN-së në Shqipëri për Konsultimet e Nenit IV për vitin 2023 pritet të zhvillohet në tetor.”

/Revista Monitor.

Linku: https://www.monitor.al/fmn-skeptike-per-rritjen-e-pagave-ne-sektorin-publik-mund-te-nxise-inflacionin-te-shoqerohet-me-permiresim-te-te-ardhurave/



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *