• |
ide | kryesore

Tensionet në Veri/ Gjermania ndërpret bashkëpunimin me Kosovën

Lajme, Të fundit
Gjermania, Gjermani


Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha të caktuara, shkaku i mospërmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Nga kjo masë – të cilën Gjermania thotë se e mori në përputhje me veprimet e Brukselit – nuk preken “projektet me sektorin e shoqërisë civile, si dhe projektet që kemi filluar t’i zbatojmë”.

“Masat përfshijnë shtyrjen e konsultimeve qeveritare për bashkëpunimin për zhvillim, pezullimin e një partneriteti të parashikuar dypalësh rreth klimës dhe dorëzimin e pajisjeve specifike për ofruesit e sigurisë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë për REL-in.

Në fund të muajit qershor, BE-ja njoftoi se kishte vendosur disa masa të përkohshme ndëshkuese ndaj Kosovës, pasi që Qeveria e vendit nuk ndërmori hapat e kërkuar nga blloku evropian për shtensionim të situatës në veri.

Në atë pjesë të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, tensionet janë të larta që nga fundi i majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën dhe protestimin e banorëve serbë.

Protestat e tyre u përshkallëzuan edhe në përleshje të dhunshme, me dhjetëra të plagosur – në mesin e të cilëve edhe ushtarë të misionit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR.

Kosova ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap, pavarësisht thirrjeve nga komuniteti ndërkombëtar që t’i tërheqë kryetarët shqiptarë dhe të organizojë zgjedhje të reja.

Kërkesat e BE-së për Kosovën dhe Serbinë

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, më 22 qershor ka paraqitur kërkesat e bllokut evropian për Kosovën dhe Serbinë, lidhur me shtensionimin e situatës në veri:

Kosovës i kërkohet që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative

Serbisë i kërkohet të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës

Të dyja shteteve u kërkohet shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to

Në të kaluarën, Beogradi ka luajtur rol kyç në pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e organizuara në Kosovë

BE-ja pezulloi përkohësisht punën e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok – si dhe ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në takime të nivelit të lartë.

Si BE-ja, ashtu edhe Gjermania, kanë theksuar se këto masa janë të përkohshme dhe mund të hiqen nëse Kosova ndërmerr hapat e kërkuar për shtensionim të situatës.

“Ne dëshirojmë të theksojmë se të gjitha projektet e prekura [nga këto masa] mund të rifillojnë në çdo moment. Për këtë kërkohet zbatimi urgjent i masave të nevojshme për de-përshkallëzim të situatës në komunat në veri”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë.


6 Comments

    1. Po pra, shume te poshter! Si sna la ajo Merkel ta realizojme ate enderren qe te vjen 1 her ene 30 vite,ndarjen e Kosoves, dhe pastaj pjesa e varfer e mbetur, bashkohet me Shqiperine. Ska gje! Shume e poshter ajo Merkel.Pasardhesi i Merkel edhe me i poshter, po m’i ben shume presion Vucicit.Duhet ta mirkuptoje Vucicin qe nuk i ve sanksione ruseve! Sa te poshter keta gjermanet! 3fish te poshter!

  1. CFAR MOBILIZIMI PER TI DAL NE KRAH SERBISE DUKE I BO PRESION KOSOVES. RROFSHIN MIQT TONE PERENDIMORE. DHE AKUZOJN SERBINE SI FILORUSE

    1. Agim, seshte se bota po mbeshtet Vicic, jo seshte ashtu, Albini ka dale kundercdo insiative, edhe me duket se ky i vete me shume pershtat serbeve, se sa Vucic, me keto qe bene, i jep vendeve te tjera te shikojne KOsoven me nje sy tjeter, pra me pak fjale Albini nuk eshte politikan , edhe kjo e demton shume Kosoven

      1. Lexo o Agron dhe kulturohu pak mos u ngop me propagande dhe demagogji.

        Albin Kurti eshte politikani me koherent dhe me patriot qe kane pare keto troje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *