• |
ide | kryesore

Shoqata e Hidrokarbureve: Taksat e koncesioneve e rrisin çmimin e naftës me 4,6 lekë për litër

Lajme, Të fundit



Pas rritjes së ndjeshme të çmimit të karburanteve në fillim të muajit mars, kur nafta arriti deri në 260 lekë për litër, nga 192 lekë, që ishte në fund të shkurtit, me një shtrenjtim prej rreth 35%, për stabilizimin e tyre, qeveria ndërhyri me ngritjen e Bordit të Transparencës.

Bordi u shfuqizua më 7 qershor, ku rezulton që edhe disa javë pas shfuqizimit të tij në treg, çmimet kanë mbetur të pandryshuara.

Importet e karburanteve në periudhën janar-maj 2023, sipas të dhënave të MFE kanë shënuar rritje rreth 7% krahasuar me të njëjtën periudhë paraardhëse.

Shoqata e Hidrokarbureve thekson se niveli aktual i çmimeve është minimal. Sipas tyre, janë taksat ato që ndikojnë te çmimet e karburanteve. Me çmimin aktual të karburantit, 120 lekë nga totali i çmimit, apo 70% të tyre, zënë taksat sipas Shoqatës së Hidrokarbureve.

Në Shqipëri, nafta është e ngarkuar me 5 taksa shtetërore, si: akciza, taksa e qarkullimit, taksë karboni, TVSH dhe taksë rilicencimi dhe 3 taksa që paguhen nëpërmjet koncesioneve, si taksa për markimin, skanimin dhe pompat. Nga tre taksat koncesionare, nafta ngarkohet në çmim me 4,6 lekë për litër, sipas Shoqatës së Hidrokarbureve.

“Habitem se si disa teoricienë bëjnë sikur shqetësohen për çmimet e naftës dhe nuk e ngrenë zërin për heqjen e taksave që janë pa vlerë dhe ka përfitime veç për atë që i vjel, si markimi, skanimi dhe kalibrimi. Këto taksa e rrisin çmimin e naftës me 4,6 lekë për litër”, thekson Luigji Aliaj.

Në Maqedoninë e Veriut, taksat direkte mbi naftën janë vetëm akciza dhe TVSH 18%. Produkti i naftës në këtë shtet nuk është i ngarkuar me taksën e qarkullimit dhe të koncesioneve.

Konkretisht kontrata e koncesionit të markimit jo vetëm që nuk arrin të realizojë kontrollin e cilësisë së naftës dhe të luftojë kontrabandën, rëndon te çmimi aktual i naftës me 1 lekë për litër. Për naftën e markuar është përcaktuar tarifa e 614 lekëve (me TVSH) në nivelin e 1,000 litrave.

Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigji Aliaj, pohoi se nëse importuesit nuk do ta paguanin këtë tarifë, çmimi automatikisht i naftës do të ulej 1 lekë për litër.

Ndërsa nga 1 janari, këtyre taksave iu shtua dhe indeksimi i inflacionit, që sipas aktorëve duhet të rishikohet çdo tre muaj. Vetëm nga indeksimi i inflacionit, nafta është shtrenjtuar me rreth 3-4 lekë për litër./ MONITOR



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *