• |
ide | kryesore

Grezda, Taipi dhe dëshira për ta mbyllur që në Andorra: Partizani gati për Atletic Escaldes

-Instant, Sport
partizani



Pas eliminimit nga BATE Borisov, për Partizanin aventura europiane vazhdon në Conference League. Të kuqtë pasi kanë mësuar edhe shortin e favorshëm në raundin e tretë të kompeticionit, duhet të shfrytëzojnë në maksimum mundësinë e artë që i është dhënë. E atëherë Partizani zgjodhi të udhëtojë që të dielën e të bëjë dy seanca stëvitore për të përmbushur misionin. Zoran Zekic kërkon të kthehet nga Andorra me një rezultat kualifikues, në mos të hipotekuar.

“Demat” do të zbresin në fushë në orën 17:00, për tu ndeshur me skuadrën e Atletic Escaldes, në Andorra. Të kuqtë janë favoritë, ndërsa nëse do të kualifikohet, atëherë Partizani do të ndeshet me fituesin e sfidës Tre Penne-Valmiera.

NDRYSHIMET E LISTËS

Partizani do të zbresë në stadiumin kombëtar të Andorrës, “Joan Samarra Vila” me ndonjë ndryshim, në krahasim me kthimin ndaj bjellorusëve. Me dëshirën për të mbajtur sa më të panjohur zgjedhjet e tij taktike, të kuqtë më tepër janë munduar të jenë në tonus fizikisht. 24 orë para ndeshjes, si është edhe rregulli, është publikuar edhe lista e lojtarëve të federuar. Ndryshime ka, sepse Bruno Telushi dhe Remzifaik Selmani janë larguar nga të kuqtë. Zekic i ka zëvendësuar me Gjelbrim Taipin dhe Mateo Kocijan, të dy gati për të luajtur.

Lexo më tej: Shorti në Nyon i shtron rrugën Partizanit, jo dhe aq Tiranës: në raundin e tretë, të kuqtë gjejnë rivalë modestë

FORMACIONI I MUNDSHËM

Mënyra e interpretimit të lojës nga Partizani, në Hungari kundër BATE Borisov, e ka bindur Zekic. Tekniku kroat në këtë pikë, kërkon të mbajë ekuilibrat pa bërë ndryshime të mëdha. Me Qirkon mes shtyllave, linja difensive nuk ndryshon. Sembene pritet të vazhdojë të luajë përkrah Sotës, ndërsa Hadroji e Atanaskoski në krahë. Buxhelaj mund të jetë një alternativë, duke qenë më ofensiv se maqedonasi. Mesfusha ka të palëvizshëm Rrapaj e Mehmetin, me Taipin që duhet të luajë vendin me Murataj. Një opsion është edhe Maget, që kur u aktivizua kundër BATE bëri shumë mirë. Përpara, janë rritur opsionet për Eros Grezdën. Performanca nën ton e Da silva në ndeshjen e fundit mund ta bindë Zekic ti japë shansin sulmuesit të ardhur në verë nga minuta e parë. Grezda zhvilloi një paraqitje pozitive në sfidën e dytë ndaj bjellorusëve dhe nëse fizikisht është Ok mund të formojë ofensivën me Carën e Mba.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *