• |
ide | kryesore

Video/ Selmani i pret shpresat Tiranës në shtesë: Besiktas imponohet 3-1 në Stamboll

-Instant, F1, Sport, Video
Selmani



Supremacia e Besiktas konfirmohet edhe në rezultat 3-1, pavarësisht se Tirana në total bëri një ndeshje pozitive. Më tepër gabimet individuale difensive vendosën rezultatin në Stamboll, që e bëjnë të vështirë kthimin në raundin e dytë të Conference League. Përgjoni në golin e parë të Bulut e Selmani në golin e tretë të Kilicsoy, “tradhëtuan” Shehin. Në kthim tashmë duhet një mrekulli.
Tekniku Shehi “imitoi” skuadrën e transfertën në Batumi, vetëm se përballë nuk ishte Dinamo, por gjiganti turk Besiktas. Tirana e mbajti fushën mirë, pa rrezikuar shumë. Selmani të paktën në momentet e para pati një ndeshje të qetë. Në minutën e 21 pastaj situata ndryshoi sepse Besiktas mori avantazhin në mundësinë e parë. Në krosimin nga e majta, Përgjoni humbi nga sytë Bulut, që i dogji kohën dhe mposhti portierin Selmani.

Tirana u përpoq të arsyetonte, por turqit u ngritën në nivel dhe Selmani u detyrua të bënte disa ndërhyrje shpëtimtare. Ndoshta mendonte pushimin për të rifreskuar mendjen dhe rimarrë energjinë Tirana, kur pësoi golin e dytë. Muleka në një vertikalizmin të thjeshtë, i humbi çuditërisht prapavijës bardheblu. E majta e tij ishte e pakapshme për portierin, që shkon në dhomat e zhveshjes me të tijtë në disavantazh të dy golave.

ILUZIONI I KAINA NUNES

Shehi, pak për detyrim e me idenë të ndryshonte kartat në fushë, provoi me Haxhiun dhe Kaina Nunes. Por përpara se braziliani të futej në fushë, Abazaj shpenzoi një kundërsulm që duhet të kishte përfunduar ndryshe. Lojtari humbi kohë, fuqi dhe ritëm, kështu që lejoi rikuperimin. Në debutimin e tij me bardheblutë pastaj, Kaina Nunes iluzionoi me golin e shënuar në minutën e 83′. Krosimi i Haxhiut ishte i përpiktë në qendër të zonës, ku qendërsulmuesi mposhti portierin.

Por nuk ishte e thënë që shpresat të ishin të mëdha për ndeshjen e kthimit në shtëpi. Në minutën e tretë shtesë, Kilicsoy shënoi golin e tretë, duke përfituar nga gabimi i portierit Selmani. Në fakt nuk shpëton e gjithë mbrojtja, të katër të rreshtuar, që lejuan lojtarin të afrohej, futej në driblim e godiste, duke gjetur të pasigurtë edhe portierin. Besiktas, në këtë mënyrë, do të vijë në Shqipëri me një avantazh të rëndësishëm për të menaxhuar.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *