• |
ide | kryesore

Drejtohej nga shqiptarë, goditet banda e kultivimit të lëndëve narkotike në Spanjë

Lajme, Të fundit
Spanjë


Policia spanjolle ka shkatërruar bandën shqiptare të trafikut të lëndëve narkotike në provincën e Alicante.

Mediat e huaja shkruajnë se në kuadër të këtij operacioni kanë rënë në pranga 9 persona të cilët ishin pjesë e kësaj bande. Hetimet nisën në dhjetor të vitit të kaluar, kur Garda Civile mori informacion për praninë e një organizate kriminale me origjinë shqiptare të dedikuar për kultivimin e marijuanës në ambiente të mbyllura në provincën e Alicante.

Menjëherë Postat kryesore të Gardës Civile të Ibit dhe Alteas nisën operacionin Florenpapa-Scouts. Pas vëzhgimeve të kujdesshme, agjentët arritën të identifikojnë anëtarët e grupit kriminal dhe të zbardhin rolet dhe funksionet e tyre. Në krye të kësaj bande ishin dy shqiptarë për të cilët kishte edhe një urdhër arresti ndërkombëtar nga Italia.

Ndërkaq gjatë katër kontrolleve të njëkohshme që u kryen në Alicante, Altea dhe Castalla, organizata kriminale u çmontua. U arrestuan nëntë persona me kombësi shqiptare, greke dhe italiane, të moshës nga 21 deri në 58 vjeç . Gjithashtu, janë sekuestruar 2 armë zjarri, 1592 bimë marihuanë, 1005 euro para të gatshme, material për kultivim dhe 2 automjete të tipit të lartë .

Në banesa, kriminelët për t’i bërë plantacionet më efikase dhe fitimprurëse, kishin bërë lidhje klandestine në rrjetin elektrik, duke i shkaktuar një dëm ekonomik prej 196.782 euro kompanive elektrike. Krimet që u janë ngarkuar të arrestuarve, sipas shkallës së pjesëmarrjes, përfshijnë trafik dhe kultivim droge, armëmbajtje pa leje, mashtrim me energjinë elektrike, pastrim parash dhe përkatësi në një organizatë kriminale.

Të arrestuarit së bashku me provat e marra i janë vënë në dispozicion Gjykatës Hetimore Nr.2 Ibi , e cila ka urdhëruar burgosjen e 8 prej anëtarëve të bandës, mes të cilëve edhe dy drejtuesit shqiptarë.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *