• |
ide | kryesore

Me sulm të “shpartalluar” e dilema për të zgjidhur: Partizani sheh playoff-in ndaj Valmieras

-Instant, F1, Sport
valmieras



Fitorja 2-1 në ndeshjen e parë ëhstë një avantazh, por në të njëtën kohë nuk mjafton për të patur siguri. Partizani sheh me optimizëm kualifikimin për në playoff të Conference League, si e vetmja skuadër e Superiores ende në Europë, por janë 90′ ose më shumë ende për të luajtur. Një risk që është edhe më prezent, duke parë mungesat me të cilat të kuqtë do të zbresin në fushë ndaj letonezëve të Valmieras të enjten në orën 20:00 në “Elbasan Arena”. Tekniku Zoran Zekic duhet të bëjë llogaritë pa sulmuesin kryesor, Christian Mba dhe mbrojtësin e majtë, David Atanaskoski.

SULMI BËN ME “DHIMBJE KOKE” ZEKIC

Qendërsulmuesi, titullar në 5 ndeshjet e para europiane, doli i dëmtuar nga fusha në Riga dhe pas rezultateve të rezonancës magnetike është i padisponueshëm. Mba ka humbur kështu takimin e kthimit, por edhe dy javët e para të kampionatit. Sulmuesi ka probleme me muskujt abdominal dhe kjo e bën më delikat riaftësimin e plotë. Në këtë pikë, Zekic duhet të ndryshojë shumë gjëra në sulm, gjithnjë duke patur parasysh edhe situatën e ndërlikuar me brazilianin Da Silva. Edhe pse zyrtarisht në klub mohojnë të ketë një çështje mes brazilianit dhe teknikut kroat, lojtari duket jashtë projektit të të kuqve. Victor da Silva nuk u grumbullua për miqësoren me Romën, ndërsa nuk bëhet fjalë për probleme fizike. Braziliani është tashmë në qendër të merkatos dhe Vllaznia po mendon rikthimin e tij.

Kundër Valmieras, Zekic duhet të bëjë llogaritë me dy lojtarë të sulmit të padisponueshëm. Kroati duhet të vendosë nëse do të besojë te i riu Keko, shumë inekspert për t’i ngarkuar kualifikimin në playoff mbi shpatulla. Në këtë pikë, Cara është titullar i palëvizshëm, ndërsa Grezda mund të jetë alternativa më e sigurtë.

EDHE MBROJTJA ME PROBLEME

I dëmtuar në miqësoren me Romën doli edhe qendërmbrojtësi Marcelino Preka. Shkodrani i shtohet listës së lojtarëve që mund të mungojnë, por më shumë se ai, Partizani do të vuajë skualifikimin e Atanaskoskit. Maqedonasi ka plotësuar numrin 3 të kartonëve dhe do të mungojë ndaj Valmieras, duke e bërë të sigurtë debutimin e Buxhelajt si titullar në këtë sezon.

ARBITËR DANEZ NË ELBASAN

Në 17 gusht në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 20:00, të kuqtë do të luajë kthimin për raundin e tretë të Conference League ndaj Valmierës. UEFA ka caktuar edhe arbitrat që do të vendosin drejtësi në këtë sfidë, teksa do të jenë një treshe nga Danimarka, me kryesor Sandi Putros dhe asistentë të tij, Ole Kronlyke dhe Jakob Mastrup. 35-vjeçari Putros ka një karrierë modeste, duke qenë në kompeticionet e UEFA-s si kryesor vetëm në dy vitet e fundit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *