• |
ide | kryesore

FIFA pezullon Rubiales për puthjen e futbollistes, efekt domino në Spanjë: RFEF i sulet kapitenes Hermoso

-Instant, Sport
RFEF


FIFA ka pezulluar për 90 ditë presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales. Numri 1 i RFEF puthi kapitenen Jenni Hermoso pa pëlqimin e saj, pas triumfit të Spanjës në Kupën e Botës. Kreu i federatës iberike do të lirohet nga detyra “në pritje të procedimit disiplinor të hapur” ndaj tij të enjten. Ditën e djeshme, Rubiales, gjatë një takimi të jashtëzakonshëm, refuzoi të jepte dorëheqjen pavarësisht presioneve nga qeveria dhe bota e futbollit, në Spanjë dhe më gjerë.

Vendimi është miratuar nga presidenti i Komisionit Disiplinor të FIFA-s, Jorge Ivan Palacio. Ai ka shfrytëzuar – njofton federata ndërkombëtare – kompetencat e dhëna nga neni 51 i Kodit Disiplinor të FIFA-s. Palacio, për të ruajtur të drejtat e lojtares së përfaqësueses spanjolle Jennifer Hermoso dhe rregullsisë së procedurave para Komisionit, ka nxjerrë dy direktiva shtesë duke urdhëruar Rubiales dhe RFEF dhe përfaqësuesit e saj që të mos kontaktojnë me Hermoso. FIFA specifikoi se Komisioni nuk do të japë informacione të mëtejshme mbi procedurat disiplinore derisa të merret një vendim përfundimtar. Ata përsëritën angazhimin për respektimin e integritetit të të gjithë personave dhe dënimin fuqishëm të çdo sjellje të kundërt.

FEDERATA, VEPRIME LIGJORE KUNDËR HERMOSO

Federata Spanjolle e Futbollit ka mbajtur qëndrim në përpjekje për të mbrojtur presidentin e saj. Pas sulmeve të pësuara për mungesën e dorëheqjes pas puthjes, vetë Hermoso kishte drejtuar gishtin nga 46-vjeçari. Ajo tha se ndihej “viktimë e një agresioni” dhe se “i bënë presion” për të mbrojtur presidentin. Por RFEF nuk është dakord dhe mbrohet nga akuzat duke lënë të kuptohen veprime ligjore ndaj lojtares. “Rubiales nuk gënjeu, pamjet flasin vetë”, thuhet në një shënim nga RFEF, ku bashkangjitet fotot në të cilat Hermoso ngriti në krahë presidentin gjatë festimeve, para puthjes.

“Versioni i presidentit për ngjarjet është verifikuar në dosjet e brendshme të hapura. E deri më sot zonja Jennifer Hermoso nuk i është përgjigjur asnjërës prej kërkesave të bëra”, thuhet në shënimin e RFEF. Federata publikuar një sërë vëzhgimesh, të shoqëruara me foto të faktit të akuzuar, për të vërtetuar se Rubiales “nuk gënjen” dhe se deklaratat e tij “janë absolutisht të vërteta”.

DORËHIQET STAFI I KOMBËTARES SË FEMRAVE

11 anëtarë të ekipit kombëtar të femrave që shoqëruan trajnerin Jorge Vilda në Kupën e Botës në Australi dhe Zelandën e Re kanë paraqitur dorëheqjet e tyre. “Ka mbaruar. Futbolli është futboll dhe do të dëshiroja të flasim për atë që kemi arritur”, shkroi Montse Tomé, një nga stafi, në profilin e saj zyrtar X, së bashku me një deklaratë që njoftonte se ajo dhe dhjetë persona të tjerë që përbëjnë stafin teknik të Spanjës, kampione bote të dielën në Sidnei, u dorëhoqën.

E ndërkohë, RFEF për t’u mbrojtur nga veprimet e mundshme të bojkotit ndaj ekipit kombëtar, saktësoi se “pjesëmarrja në ekipin kombëtar është një detyrim për të gjithë anëtarët në rast thirrjeje”. Në fakt, lojtaret ishin shprehur qartë në një deklaratë: “Nuk do t’i përgjigjemi thirrjeve të kombëtares për sa kohë që presidenti aktual të jetë në detyrë”.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *