• |
ide | kryesore

Ç’po ndodh me Vetingun/ 380 gjyqtarë e prokurorë të larguar, 117 në pritje

Arkiva, Lajme, Të fundit
gjyqtarë



Në Shqipëri, reforma e sistemit gjyqësor largoi nga puna mbi 380 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërsa aktualisht gjykatat po punojnë me një numër të kufizuar gjyqtarësh. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i bëri sot me dije Zërit të Amerikës se kanë mbetur ende 117 subjekte për t’u shqyrtuar nga procesi i vetingut, nga 805 gjithsej. Por ndërsa ky proces po shkon drejt fundit, zëvendësimi i të larguarve me gjyqtarë të rinj mbetet një sfidë kryesore.

Nga një studim i qendrës INFOCIP doli se, kryesisht për shkak të mungesës së gjyqtarëve, një numër i madh çëshjesh gjyqësore kanë kapërcyer afatet e arsyeshme të gjykimit, ndërsa janë krijuar stoqe me mijëra dosje në Gjykatën e Apelit, e cila ka aktualisht vetëm një të tretën e gjyqtarëve, që duhet të ketë.

Nga studimi i Qendrës INFOCIP doli se tejkalimi i afateve të arsyeshme të gjykimit është një dukuri shqetësuese në rritje e sipër në gjykatat shqiptare, duke nisur nga Gjykata e Tiranës dhe më pas në Gjykatën e Apelit. Gjykata e kryeqytetit gjatë vitit të kaluar kishte mbi 670 vendime të dhomes civile jashtë afatit të arsyeshëm të gjykimit.

Në Gjykatën e Apelit të Tiranës gjatë vitit të kaluar, 72 për qind e çështjeve civile të themelit dhe 57 për qind e çështjeve penale të themelit tejkaluan afatin ligjor të gjykimit të arsyeshëm. Qendra për Çështje të Informimit Publik, INFOCIP, ka ndërmarrë një studim për të vlerësuar situatën e vendimeve gjyqësore që dalin jashtë afateve të arsyeshme dhe kostot e lidhura me to. Drejtuesi i Qendrës, Gerti Shella, thotë që nëse këto çështje të tejkaluara në afate do të ankimoheshin në Gjykatën e Strasburgut, kostot dhe dëmet do të arrinin në disa milionë euro për shtetin shqiptar.

“Kodi i Porcedurës Civile parashikon një dëmshpërblim edhe nga gjykatat vendase, nëse pala konstaton tejkalim të afateve të arsyeshme të gjykimit. Po ashtu Gjykata e Strasburgut mund të kërkojë dëmshpërblime, nëse kjo provohet. Nga vlerësimi i ndërmarrë dukuria është në rritje. Nëse vlerësimi do të shtrihej në të gjithë gjykatat, volumi i vonesave gjyqësore është shumë i lartë”, thotë zoti Shella.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i konfirmoi sot Zërit të Amerikës shifrat më të fundit të procesit të vettingut. Sipas këtyre të dhënave, nga shkurti 2018 dhe deri në 31 gusht 2023, për 805 subjekte të vetingut gjithsej, janë marrë deri tani 688 vendime dhe mbeten për t’u shqyrtuar 117 subjekte deri në fund të 2024, kur mbaron mandanti i KPK-së. Një ritëm mesatar prej 125 vendime në vit.

Nga 688 vendimet e deritanishme, 296 subjekte janë konfirmuar në detyrë, 237 u shkarkuan nga detyra, 96 kanë ikur me dorëheqje, 47 kanë dalë në pension, 8 u larguan sapo hyri ligji në fuqi, dhe 4 u pezulluan nga detyra. Ndërsa procesi i vetingut po shkon drejt fundit, sfida më e madhe mbetet plotësimi me gjyqtarë i gjykatave në të tre nivelet. Largimet e gjyqtarëve vijojnë, ndërkohë që prurjet nga shkolla e Magjistraturës kanë qenë të pamjaftueshme për të plotësuar shkarkimet.

Gjykata e Apelit ka 25 gjyqtarë nga 78 gjyqtarë që duhet të ketë, ose më pak se 1/3 e trupës gjyqësore. Ekspertët e Qendrës INFOCIP vlerësojnë se kjo mesatare e punës së tyre është shumë e lartë, ndërsa plotësimi i vendeve bosh mbetet një nevojë e madhe.

“Që tani ne jemi përtej standardit të ngarkesës gjyqësore për secilin gjyqtar. Nga një llogari e thjeshtë për 30 mijë dosje që presin një vendim në Apel, për 300 ditë pune dhe 24 gjyqtarë, do të duhen minimalisht 4 vite punë për t’u trajtuar”, thotë zoti Shella.

Apeli i kryeqytetit u shndërrua nga marsi i këtij viti në të vetmen gjykatë Apeli kombëtare, pasi u shkrinë në të edhe 6 apele të rretheve. Stoku i çështjeve që prisnin gjykimin në Apel për vitin 2022 ishte 23 mijë e 375 dosje. Ndërsa me dosjet e prapambetura që u sollën nga Apelet e tjera, që u shkrinë, e ngritën në 30 mijë numrin e çështjeve që presin një vendim nga Apeli i Tiranës.

Nga stoku prej afro 30 mijë dosje INFOCIP vlerëson se rreth 14 mijë prej tyre janë dosje themeli, dhe një pjesë e konsiderueshme rrezikojnë të dalin jashtë afatit të arsyeshëm të gjykimit, dhe kostot për ankimime të mundshme ndaj këtyre vonesave janë sërish miliona euro. Ato që vonohen më shumë janë çështjet e themelit, dhe gjatë vitit 2022 ato zunë 47 për qind të vendimmarrjes në Apel. /VOA



4 Comments

  1. PO NODH AJO QE PRITEJ DERI KUR U NIS. SHKATARRIM I SISTEMIT TE DREJTESISE , VENDOSJA E NJEREZVE QE TE MBROJN VJEDHJET E SEKTIT ETJ ETJ

  2. 380 u larguan se nuk dinin te mbulonin vjedhjet, ata qe e kaluan vetingun dinin ti mbulonin por sidoqofte edhe u “kolliten” atje ku duhej dhe si “bonus” ju kerkua te beheshin “patronazhista” te sistemit te drejtesise.

  3. Plani i vetingut ishte të heqim sa më shumë veriorët ata me një histori familjare të djathtë dhe kaluan ata historikisht me prejardhje komuniste.Dhe vetë gjyqtarët e vetingut janë të gjithë të tillë.Dhe pastaj të ketë sistem drejtësie me konceptin europian!!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *