• |
ide | kryesore

Partizani e Tirana vuajnë pasojat e pas-derbit: Disiplina “mbyt” me gjoba klubet e Taipin

-Instant, Sport
Partizani



Derbi ka patur pasoja për dy klubet aktore: Partizani e Tirana. Incidentet e ndodhura në stadium gjatë dhe pas ndeshjes kanë kosto financiare. Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së ka vendosur gjoba të forta për dy klubet, që duhet të dësmshpërblejnë për më tepër edhe dëmet e shkaktuara nga tifozët e tyre në stadium. Gjobë edhe për Taipin, që për të festuar pas ndeshjes ndezi një flakadan në fushë.

Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF datë 20.10.2023

FK Partizani e pësoi për sjellje të gabuar të spektatorëve duke ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”. Si edhe lejimin e personave të paautorizuar për të hyrë në fushën e lojës pas përfundimit të ndeshjes. Në bazë të neneve 17/2/a, 17/2/c dhe 17/2/f të KDE, Partizani dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë.

FK Partizani, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

Lojtari i FK Partizani, Gjelbrim Taipi, e pëson për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mire. Mesfushori ndezi flakadanë në fushën e lojës pas përfundimit të ndeshjes. Në bazë të neneve 3/d, 6/1/c, 6/4 dhe 13/2/a të KDE, ai dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.

KF Tirana e pëson për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushë, ndezur flakadanë dhe duke dëmtuar ambientet e stadiumit “Air Albania”. Në bazë të neneve 17/2/b, 17/2/c dhe 17/2/f të KDE, bardheblutë dënohen me gjobë në masën 400.000 (katërqind mijë) lekë.

KF Tirana, urdhërohet të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara në Stadiumin “Air Albania” sipas akt konstatimit, brenda 15 ditëve.

Lexo më tej: PAMJET/ Përplasje të dhunshme mes tifozëve pas derbit Partizani – Tirana

GJOBA E PEZULLIME PËR KATEGORITË INFERIORE

KS Besa e pëson për mos marrjen e masave paraprake te sigurisë, duke neglizhuar përmbushjen e detyrimeve për organizimin e ndeshjes. Në bazë të nenit 17/1/b të KDE, klubi dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.

Lojtari i KF Sopoti, Erando Seferi, e pëson për sulm fizik ndaj kundërshtarit. Në bazë të nenit 14/1/i të KDE, ai dënohet me 3 (tre) javë pezullim nga veprimtaritë.

Lojtari i KF Turbina, Samet Gjoka, e pëson për sjellje josportive ndaj kundërshtarit. Në bazë të nenit 14/1/b të KDE, dënohet me 2 (dy) javë pezullim nga veprimtaritë.

Lojtari i KSSH Veleçiku, Emiliano Mehmetaj, e pëson për sjellje josportive ndaj kundërshtarit. Në bazë të nenit 14/1/b të KDE, dënohet me 2 (dy) javë pezullim nga veprimtaritë.

Zyrtari i FK Tërbuni, Alfred Pjetri, e pëson për sjellje josportive ndaj zyrtarit të ndeshjes. Në bazë të nenit 14/1/j të KDE, ai dënohet me 4 (katër) javë pezullim nga veprimtaritë.

Lojtari i FK Shënkolli, Donald Kacorri, e pëson për sjellje josportive ndaj kundërshtarit. Në bazë të nenit 14/1/b të KDE, dënohet me 3 (tre) javë pezullim nga veprimtaritë.

KF Delvina e pëson për braktisjen e ndeshjes së vlefshme për turin e dytë 1/32 të Kupës së Shqipërisë, kundër KF Skënderbeut. Në bazë të nenit 16/1 të KDE dhe nenit 36/2 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. KF Delvina përjashtohet nga gara për sezonin aktual si dhe atë pasardhës të Kupës së Shqipërisë.

Rrëzohet kërkesa e lojtarit të KF Tirana, Murselo Dervishi, si e pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.

Rrëzohet kërkesa e zyrtarit të KF Turbina, Vladimir Gjoni, si e pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *