• |
ide | kryesore

Ministria e Mbrojtjes Serbe mohon akuzat e Kurtit për sulmin në Banjskë

Arkiva, Lajme, Të fundit
serbe



Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i ka hedhur poshtë si “gënjeshtra plotësisht të neveritshme dhe flagrante” deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili tha të hënën se sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit e kreu “Klani i Novi Sadit” i udhëhequr nga ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç.

Në një përgjigje të shpejtë pas deklaratave të Kurtit, Ministria serbe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar për ta ndaluar “menjëherë fushatën nxitëse dhe të ndyrë mediatike të kryeministrit të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë” ndaj Serbisë dhe zyrtarëve të saj.

Të hënën, Kurti bëri akuza të reja ndaj Serbisë për sulmin e 24 shtatorit nga një grup serbësh të armatosur kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiç, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, shkroi Kurti në Facebook të hënën.

Lexo më tej: Kurti: Sulmin në Banjskë e organizoi Klani i Novi Sadit, në krye Ministri i Mbrojtjes së Serbisë 

Ekzistimi i një “Klani të Novi Sadit” nuk është i njohur për publikun në Serbi.

Ministria serbe i cilësoi deklaratat e liderit kosovar si “qëllim për të shkatërruar çdo mundësi për qetësimin e tensioneve në krahinën tonë jugore.” 

“Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura Serbe do të mbeten të përkushtuara ndaj roleve të tyre kushtetuese dhe ligjore për të ruajtur sigurinë dhe jetën paqësore të të gjithë qytetarëve të Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Kosova e ka akuzuar Serbinë se tentoi ta “aneksojë tërë veriun e Kosovës”, gjë të cilën Serbia e ka mohuar, megjithëse përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Kosova dhe Serbia kanë nisur hetime paralele për ngjarjet në Banjskë, ndërkohë që Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Beogradit të bashkëpunojë plotësisht për këtë çështje.

Kurti theksoi se “grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.” 

Ai i përmendi edhe një sërë nofkash të personave që dyshohet se janë të lidhur me “veprimtari kriminale” në veri të Kosovës dhe se janë tifozë të Cërvena Zvezdës.

Disa nga pseudonimet janë “Mami”, “Llune” dhe “Nemac”, përkatësisht Millun Millenkoviq, Nenad Orlloviq dhe Vlladimir Radivojeviç.

Millun Millenkoviç – Llune ndodhet në paraburgim që nga 13 qershori dhe është zgjedhur si lider i Mbrojtjes Civile, të cilën Kosova e ka shpallur organizatë terroriste.

Orlloviq u arrestua më 23 qershor për një sulm ndaj anëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) në komunën e Zveçanit në fund të majit, kur serbët vendas kundërshtuan ardhjen e kryetarëve shqiptarë në pushtet.

Millenkoviç dhe Orlloviç akuzohen për tri vepra kriminale: terrorizëm, ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues të Kosovës dhe rrezikim të një personi nën mbrojtje ndërkombëtare.

Ndërkohë, më 29 shtator, Policia e Kosovës e bastisi shtëpinë e Vlladimir Radivojeviçit në Zveçan, i cili njihet me nofkën “Mami”.

Gjithashtu, bëhet e ditur se ai është një nga drejtuesit e tifozëve të klubit të futbollit Cërvena Zvezda. Atë ditë, autoritetet e Kosovës konfiskuan pronën e Millan Radoiçiçit në veri të Kosovës, si pjesë e një operacioni-kërkimi në lidhje me sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë.

Vendet perëndimore e dënuan ashpër sulmin në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës dhe kërkuan hetim. Ndërkohë, i dërguari special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, tha se ngjarjet në Banjskë e kanë ndryshuar situatën, por se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve “nuk ka alternativë”.

Lajçak, pas takimit të pesëshes së madhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se ngjarjet e 24 shtatorit “treguan qartë se shtensionimi dhe normalizimi [i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë] tani janë më urgjente se kurrë më parë”. /REL



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *