• |
ide | kryesore

Video/ Dwamena dygolësh e përjashtim, Egnatia përmbys Tiranën: humbja e dytë radhazi e Ahmataj

-Instant, F1, Sport, Video



Nga shiu në breshër duket se ka rënë Tirana me ndryshimin e drejtimit teknik, që presidenti Refik Halili e konsideroi “zgjedhjen më të mirë”. Bardheblutë janë shembur për herë të dytë radhazi në kampionat, të mundur me përmbysje nga Egnatia. Një super Dwamena, autor i një dygolëshi, balancoi dy herë avantazhin e kryeqytetasve me Lulaj e Kaina. Në fund vendosi goli i Paulauskas, ndërsa nuk pati ndikim kartoni i kuq në shtesë i Dwamena.

Tirana e mbyll fazën e parë të kampionatit në mënyrën më të keqe. Dy humbje radhazi, e pas derbit në Arena Kombëtare, bardheblutë dështojnë edhe në “Selman Stërmasi” nga Egnatia. Ahmataj nuk po arrin të gjejë stabilitet, edhe pse bardheblutë kaluan në avantazh në minutën e 4 me Lulajn. Një blitz që nuk e dëshpëroi skuadrën e Tetovës. E në minutën e 29′, Dwamena i rikthyer pas dëmtimit, shënoi një gol tipik sulmuesi. I pakapshëm sulmuesi i rrogozhinasve brenda zonës, në pasimin e Spahiut. Skuadra e Tetovës as nuk arriti ta ndjente barazimin, sepse pas 6 minutash e pa sërisht veten në disavantazh. Në minutën e 35′ Kaina shënoi golin e dytë për Tiranën, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin 2-1.

Egnatia sidoqoftë i dha sinjalet, që Ahmataj duhet ti lexonte. Nuk e bëri e atëherë ja ku ndëshkohet përsëri. Dwamena konfirmoi veten si një golashënues i jashtëzakonshëm, duke shënuar me një parabolë brilante, që nuk i la asnjë shans portierit në minutën e 53′. Tirana ishte në vështirësi dhe nuk po arrinte më të krijonte asgjë, e frikësuar nga imponimi që po bënte Egnatia. Shembulli më i mirë i dominimit ishte kërcimi potent i Paulauskas, që shënoi golin e tretë, që kompletoi përmbysjen. Në minutat shtesë pastaj, Egnatia mbeti me 10 lojtarë për përjashtimin e Dwamena. Ndërhyrje e ashpër ndaj Najdovskit dhe karton i kuq për kapitenin e rrogozhinasve dhe dalje me barelë për kapitenin e bardhebluve. 19 pikë për Egnatian, që mban pas Partizanin, që duhet ende të luajë. Tirana mbetet me 13 pikë dhe shumë dilema për të zgjidhur.

FILMI I NDESHJES



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *