• |
ide | kryesore

Rrëfimi i 85-vjeçares izraelite që u lirua nga Hamasi: Ushqimi, rojet dhe ferri në tunele

Arkiva, F1, Planet



Kam kaluar nëpër ferr, thotë pengu 85-vjeçar i liruar nga Hamasi

“Kam përjetuar ferrin,” thotë Yocheved Lifschitz, një gjyshe 85-vjeçare dhe aktiviste e paqes e liruar nga Hamasi të hënën pas dy javësh në robëri.

Zonja Lifschitz dhe burri i saj u rrëmbyen nga njerëz të armatosur të Hamasit me motoçikleta dhe u futën në një “rrjetë merimange” të tuneleve nën Gaza, tha ajo.

Ajo përshkroi se ishte goditur me shkopinj gjatë udhëtimit, por tha se shumica e pengjeve po “trajtoheshin mirë”. 

E moshuara u lirua së bashku me një grua tjetër, Nurit Cooper, 79 vjeç, të hënën në mbrëmje.

Imazhet e jashtëzakonshme tregojnë gjyshen i shtrënguar dorën një personi të armatosur të Hamasit, vetëm pak sekonda para se ajo t’i dorëzohej Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në vendkalimin Rafah midis Gazës dhe Egjiptit fqinj.

“Shalom,” duket se i thotë ajo personit të armatosur. Shalom është fjala hebraike për paqe.

Zonja Lifschitz u rrëmbye, së bashku me bashkëshortin e saj Oded, nga “Nir Oz Kibbutz” në Izraelin jugor më 7 tetor. Ai nuk është liruar akoma. Kubbutz është një lloj vendbanimi vullnetar komunal në Izrael në të cilin e gjithë pasuria mbahet e përbashkët dhe fitimet riinvestohen në vendbanim.

Ishte herët në mëngjes kur Hamasi sulmoi qytezën e tyre, duke masakruar komunitetin e vogël. Një në katër banorë besohet të jetë vrarë ose rrëmbyer, duke përfshirë shumë fëmijë.

Duke folur në një konferencë shtypi nga spitali Ichilov në Tel Aviv vetëm pak orë pas lirimit të saj, zonja Lifschitz shpjegoi se çfarë ndodhi pasi u rrëmbye.

Ajo tha se ai u godit me shkopinj gjatë udhëtimit në Gaza dhe pësoi mavijosje dhe vështirësi në frymëmarrje.

Vajza e saj, Sharone Lifschitz, e cila ndihmoi në përkthimin e përvojës së nënës së saj për gazetarët, tha se 85-vjeçarja u detyrua të ecte për disa kilometra në tokë të lagësht.

Sharone tha se nëna e saj u fut në “një rrjet të madh tunelesh nën Gaza që dukej si rrjetë merimange”. 

Zonja Lifschitz tha se ajo ishte në mesin e 25 pengjeve të marra në tunele dhe pas disa orësh, pesë persona nga qyteza e saj, duke përfshirë edhe atë vetë, u dërguan në një dhomë të veçantë. Atje, secili prej tyre kishte një roje dhe akses te një infermier dhe doktor.

Ajo përshkroi kushte të pastra brenda, me dyshekë në dysheme për të fjetur. Një tjetër rob, i cili u plagos rëndë në një aksident me motor rrugës për në Gaza, u trajtua për plagët e tij nga një mjek.

“Ata u kujdesën që ne të mos sëmuremi dhe ne kishim një mjek që vinte çdo dy ose tre ditë.” 

Ajo tha gjithashtu se kishin akses në ilaçet që u nevojiteshin dhe kishte gra që dinin për “higjienën femërore”. 

Ata hëngrën të njëjtin ushqim, pite buke me djathë dhe kastravec, sikurse rojet e Hamasit, shtoi vajza e saj Sharone.

Yocheved Lifschitz, djathtas, qëndron pranë bashkëshortit Oded – ai ende mbahet nga Hamasi në Gaza

E pyetur nga një gazetar se pse ajo shtrëngoi duart me personin e armatosur, zonja Lifschitz tha se pengmarrësit e kishin trajtuar mirë dhe pengjet e mbetura ishin në gjendje të mirë.

Sharone tha se nuk ishte e befasuar nga gjesti i nënës së saj. “Mënyra se si ajo u largua dhe më pas u kthye dhe më pas tha faleminderit ishte e pabesueshme për mua. Kjo është ajo”, tha ajo më herët për BBC.

Disa orë përpara se zonja Lifschitz dhe Nurit Cooper të liroheshin të hënën në mbrëmje, ushtria izraelite mbajti i shfaqi gazetarëve pamjet e papërpunuara të marra nga kamerat e trupit të Hamasit. Kjo në një përpjekje për t’i kujtuar botës brutalitetin e sulmit ndaj Izraelit dy javë më parë.

Midis videove ishin pamjet e personave të armatosur të Hamasit që brohoritnin me gëzim teksa qëllonin civilë në rrugë, dhe më vonë duke ndjekur shtigjet e qytezave dhe duke vrarë prindër dhe fëmijë në shtëpitë e tyre.

Më shumë se 1,400 njerëz, kryesisht civilë, u vranë në sulm.

Zonja Lifschitz dhe burri i saj 83-vjeçar, Oded, janë aktivistë të njohur të paqes që ndihmuan transportimin e njerëzve të sëmurë nga Gaza në spitalet në Izrael, sipas familjeve të tyre.

Oded është një gazetar që ka punuar për paqen dhe të drejtat e palestinezëve për dekada, tha Sharone për BBC.

Sipas Unionit Kombëtar të Gazetarëve, ai ka punuar për gazetën Al Hamishmar dhe ishte ndër gazetarët e parë që raportoi për masakrën në dy kampet e refugjatëve palestinezë në Bejrut në vitin 1982.

“Ai flet mirë arabisht, kështu që mund të komunikojë shumë mirë me njerëzit atje. Ai njeh shumë njerëz në Gaza. Unë dua të mendoj se ai do të jetë mirë,” thotë Sharone.

Në total, katër pengje tani janë liruar, pasi dy amerikano-izraelitë, nëna dhe vajza Judith dhe Natalie Raanan, u liruan të premten.

Izraeli thotë se më shumë se 200 persona mbahen ende peng. Burri i Nurit Cooper, i cili gjithashtu u lirua të hënën mbrëma, besohet të jetë mes tyre.

BBC, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *