• |
ide | kryesore

Akuzohet për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, arrestohet Ermir Tufa

Arkiva, Lajme, Të fundit
Shkëlzen



I akuzuari për vrasjen e Shkëlzen Kastratit në vitin 2021, Ermir Tufa, është arrestuar ditën e sotme nga forcat e Policisë Operacionale në Fushë-Krujë, sipas gazetares Klodiana Lala.

Kujtojmë se Shkëlzen Kastrati, 40 vjeç u ekzekutua paraditen e 1 shkurtit 2021 pranë Rrethit në fshatin Sheq në Fier.

Ai u qëllua nga një makinë tip Range Rover, që pas vrasjes u gjet e djegur te Mbikalimi i Baltzës.

Njoftimi i Policisë më datë 20 shkurt 2021, kur zbardhi vrasjen e Shkëlzen Kastratit: 

Burime zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se janë identifikuar dhe shpallur në kërkim katër autorët e dyshuar të kësaj vrasjeje mafioze.

Autorët të cilët janë shpallur në kërkim janë shtetasit: Albert Zaja, 37 vjeç; Elmir Tufa, 29 vjeç, banues në Fushë-Krujë; Elson Xheçuka, 27 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë dhe Silvio alias Roland Cara, 39 vjeç, banues në Tiranë.

Të gjithë këta shtetas dyshohet se janë të përfshirë në një grup më të gjerë kriminal, si vrasës me pagesë. Policia dyshon se shtetasit e mësipërm, për më shumë se 2 muaj e kanë ndjekur viktimën në çdo lëvizje që ai bënte gjatë ditës.

Për të katërt autorët e dyshuar është dhënë masa “Arrest me burg” në mungesë, ndërsa Policia thotë se mund të jenë larguar nga Shqipëria drejt një vendi të Bashkimit Europian, prandaj ata janë shpallur edhe në kërkim ndërkombëtar. Në njoftimin zyrtar, Policia thotë se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy automjetet që dyshohet të jenë përdorur nga autorët për t’u larguar nga vendngjarja.

“Në përfundim të veprimeve është bërë shpallja e tyre në kërkim kombëtar dhe vijon puna edhe për shpalljen në kërkim ndërkombëtar. Gjatë veprimeve hetimore, strukturat e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automjetet që janë përdorur nga autorët për të kryer vrasjen dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Vijon puna për lokalizimin e tyre dhe po bashkëpunohet me homologët, pasi dyshohet se mund të jenë larguar drejt një vendi të BE-së. Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje kriminale”, thuhet në njoftimin e Policisë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *