• |
ide | kryesore

Shqipëria dhe Turqia, të fundit në Europë për shpenzimet buxhetore të mbrojtjes sociale

Lajme, Të fundit



Shqipëria dhe Turqia u renditën të fundit në të gjithë Europën për shpenzimet e ulëta buxhetore për mbrojtjen sociale. Ky zë buxhetor përfshin shpenzimet për pensionet, për ndihmën ekonomike dhe papunësinë.

Të dhënat e Eurostat, që i takojnë vitit 2021, tregojnë se Shqipëria shpenzoi 12.8% të PBB-së për mbrojtjen sociale, duke lënë pas vetëm Turqinë, që shpenzon 10.7% të PBB-së për këtë zë.

Në Bashkimin Europian, vendet paguajnë mesatarisht 28.7% të PBB-së nga buxhetet për mbrojtjen sociale.

Në vendin e parë qëndron Franca, si shteti më social në Europë, ku shpenzimet për mbrojtjen sociale kaluan mbi 33.4% e PBB-së me 2021, Austria vjen e dyta 32,3% të PBB-së, të ndjekura nga Italia dhe Gjermania me nga 30.6% se cila. Shqipëria renditet më dobët edhe në Rajon. Bosnja, Serbia dhe Maqedonia e Veriut japin 18-19% të PBB-së tyre për mbrojtjen sociale.

Për pasojë, pagesat për pensionet dhe ndihmën ekonomike në Shqipëri janë më të ulëta se në Rajon dhe Europë.

Pagesat e ulëta për mbrojtjen sociale në Shqipëri lidhen faktin se vendi mbledh më pak të ardhura buxhetore në krahasim me PBB-në e saj.

Vitin e ardhshëm, buxheti në vlerë do të shënojë rritje me 3,7% në raport me pritshmëritë e këtij viti, por në raport me PBB të ardhurat do të shënojnë rënie në 27.7% të PBB-së nga 28.1% që pritet të jenë këtë vit.

Teksa vendi ynë nuk mbledh të ardhura më shumë se 27% e PBB, mesatarja rajonale është rreth 25% dhe në BE rreth 45%.

Kapacitetet e dobëta fiskale kufizojnë mbështetjen për shtresat në nevojë. Gati për një dekadë me radhë vendi ynë nuk ka bërë përparim në rritjen e të ardhurave në raport me PBB edhe pse ka barrën fiskale më të lartë në Rajon dhe nuk aplikon TVSH të diferencuar për shportën e mallrave.

Vitet e fundit në mënyrë sistematike, institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e kanë këshilluar qeveria të aplikojë rialokime për shtresat në nevojë pasi ajo është pjesa më e goditur nga krizat e viteve të fundit si pandemia Covid-19 dhe inflacioni që krijon lufta në Ukrainë.

Pensionistët dhe personat me ndihmë ekonomike janë pjesa më e goditur e shoqërisë nga inflacioni e për rrjedhojë vitin e fundit kontributi i tyre në të ardhurat buxhetore ka qenë i lartë.

Në vitin 2021, shpenzimet totale për përfitimet e mbrojtjes sociale në BE arritën në 4,1 triliardë euro, ose 28.7% e PBB-së. Në vitin 2021, rreth 45% e shpenzimeve totale për përfitimet e mbrojtjes sociale në BE ishte për skemat e pensioneve, e ndjekur nga kujdesit shëndetësor me 30%.

Gjatë periudhës 2011-2021, zgjerimi më i shpejtë i shpenzimeve për përfitimet e mbrojtjes sociale është shënuar për funksionin e strehimit dhe përjashtimit social, i ndjekur nga funksioni sëmundje/kujdes shëndetësor./ Monitor



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *