• |
ide | kryesore

Taksapaguesit japin 810 milionë euro, gati gjysma e kësaj shume në hetim nga SPAK

Lajme, Të fundit



Për periudhën 2017-2024, buxheti i shteti ka paguar dhe pritet të paguajë me paratë e taksapaguesve rreth 86 miliardë lekë (810 milionë euro) për 12 kontrata koncesionare, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të përpunuara nga Monitor.

Të ndara sipas sektorëve, pjesa më e madhe e kësaj shume, me rreth 31 miliardë lekë (290 milionë euro), ose 36% e totalit ka shkuar dhe pritet të shkojë për katër koncesionet e shëndetësisë (sterilizimi, check up, laboratori, dializa).

Rreth 28 miliardë lekë (206 milionë euro) është për projektet e infrastrukturës (Rruga e Arbrit, mirëmbajtja e Milot-Morinë, Orikum-Dukat, ndërtimi i shkollave në Tiranë). Rreth 14 miliardë lekë (135 milionë euro), ose gati 17% e totalit janë të destinuara për inceneratorët e Fierit, Elbasanit e Tiranës.

Skanimi arrin për periudhën në fjalë 12.6 miliardë lekë (119 milionë euro), ose 14.6% e totalit.
Sipas projekteve, më i madhi është ai i rrugës së Arbrit, me 19.3 miliardë lekë për periudhën 2017-2024. Projekti i dytë më i madh është sterilizimi, me rreth 13 miliardë lekë, i ndhekur nga skanimi me 12.6 miliardë lekë. Më pas renditet Inceneratori Tiranës (7.9 miliardë lekë); Laboratorët (6.4 miliardë lekë); Dializa (6 miliardë lekë); check up (5.8 miliardë lekë); Mirëmbajtja Milot-Morinë (4.7 miliardë lekë); Inceneratori Fier (4 miliardë lekë); Inceneratori Elbasanit (2.4 miliardë lekë); Orikum-Dukat (2.1 miliardë lekë); Infrastruktura arsimore (1.8 miliardë lekë).

Pavarësisht kundërshtimeve nga institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat kërkonin që të bëhej një analizë e qartë e kostove dhe përfitimeve, edhe sot mungon një analizë e qartë e kostove dhe përfitimeve të këtyre projekteve, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre janë tashmë nën hetim nga SPAP.

Gati gjysma e shumës së dhënë për koncesionet është nën hetim

Nga këto 12 koncesione, për pesë prej tyre- tre inceneratorët, checkup dhe sterilizimi- është hapur hetim zyrtar nga SPAK me akuza nga korrupsion, shpërdorim detyre e deri te pastrim parash, ndërsa ka nisur hetimi dhe për koncesionin e laboratorëve. Shuma totale e dhënë dhe që pritet të jepet nga buxheti për këto gjashtë koncesione për periudhën 2017-2024 është rreth 40 miliardë lekë (rreth 380 milionë euro), që përbën 46% të pagesave totale që janë bërë nga buxheti për të gjitha koncesionet!!

Në projektbuxhetin e vitit 2024 parashikohet që pagesat për koncesionet të arrijnë 14.3 miliardë lekë, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë dhe me rritje prej 9.3% në krahasim me pritshmërinë e 2023-it.

Pagesat dhe hetimet

Në 2021-2022 u hapën hetimet për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit. Sipas SPAK, nga hetimi janë gjetur shkelje të shumta, që fillojnë me procedurat për dhënien e koncesionet e më pas me falsifikime dokumentesh të pronësisë, krijimin e kompanive fiktive, faturime fiktive e dhënien e pagesave për punime që nuk janë kryer. Janë përdorur skema fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre.

Inceneratori i Elbasanit mori për periudhën 2015-2021, aq sa ishte dhe afati i koncesionit, rreth 2.4 miliardë lekë.

Inceneratori i Fierit mori për periudhën 2015-2022 rreth 4 miliardë lekë.

Në fillim të gushtit të këtij viti, SPAK nisi hetimin për inceneratorin e Tiranës. SPAK njoftoi se, po heton për veprat penale të “Mashtrimi me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim.

Inceneratori i Tiranës ka marrë pagesa nga buxheti 5.5 miliardë lekë për 2019-2022, ndërsa në total ka arkëtuar, sipas bilancit rreth 9.9 miliardë lekë për shkak se merr dhe pagesa nga bashkitë dhe për shërbimin e heqjes së dherave. Për 2023-2024 buxheti parashikon të paguajë edhe 2.3 miliardë lekë të tjera. Ministria e Financave pohon se ndonëse koncesioni është në sekustro nga SPAK, pa një vendim gjykate financat nuk mund të ndërpresin pagesat, pasi rrezikon që koncesionari ta çojë në Gjykatën e Arbitrazhit.

Në maj 2022 SPAK nisi hetimin për koncesionin e check up. Ky koncesion ka marrë pagesa nga buxheti prej 4 miliardë lekësh në periudhën 2015-2022. Në 2023-2024 parashikohet të marrë edhe 1.75 miliardë lekë të tjera.

Në gusht të këtij viti, SPAK lëshoi 8 urdhër-arreste për ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë për abuzime me koncesionin e sterilizimit. Ky koncesion ka marrë pagesa prej 9.4 miliardë lekësh për periudhën 2015-2022. Koncesioni pritet të marrë edhe 3.5 miliardë lekë pagesa të tjera për 2023-2024.

Në gusht 2022, SPAK nisi hetimin për kontratën e partneritetit publik privat për shërbimin e laboratorëve mjekësorë, pas vlerësimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit se Ministria e Shëndetësisë e ka dhënë atë në kundërshtim me ligjin. Për periudhën 2020-2022, koncesioni ka marrë 2.7 miliardë lekë dhe pritet të arkëtojë edhe 3.6 miliardë lekë për 2023-2024./ Monitor

Burimi: Ministria e Financave, përpunime të Monitor



2 Comments

  1. Nga keto 810 milion euro , as 10 % nuk shkojne ne destinacion. Te gjithe te tjerat perfundojne

    ne zhepat e pushtetareve dhe te koncesionareve qe sigurisht edhe ata perfitojne por pjesa e luanit

    gjithmone shkon tek pushtetaret. Gjithmone pushtetaret kane pas perfitime anesore nga te qenurit

    ne pushtet por kurre nuk ka ndodhur qe aktiviteti kryesore i pushtetareve te jete vjedhja

    sic po bejne pushtetaret rilindas. Nese edhe perpara pushtetaret vidhnin kapakun per vete

    dhe linin tenzheren, keta rilindasit vjedhin tenxheren dhe lene vetem kapakun.

    dhe li

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *