• |
ide | kryesore

VOA: Vijojnë punimet në Aeroportin e Vlorës mes kundërshtimeve nga mbrojtës të mjedisit

Arkiva, Lajme, Të fundit



Dy vjet, pas nëntorit të vitit 2021, kur filloi ndërtimi i Aeroportit të Vlorës, punimet po vijojnë me ritëm të lartë në ngritjen e godinave të shërbimit, ndërsa dy pistat ku do të ulen avionët kanë përfunduar.

Këtë vit ka nisur ndërtimi i segmentit nga rruga kombëtare Fier-Vlorë drejt aeroportit dhe qeveria ka miratuar në buxhetin e vitit 2024 edhe një financim tjetër për përfundimin e punimeve të kësaj rruge.

Qeveria shqiptare i ka shpërfillur deri tani reagimet e organizatave mjedisore dhe një rekomandim të shtatorit të këtij viti të Konventës së Bernës për pezullimin e punimeve për aeroportin e Vlorës deri në kryerjen e një vlerësimi të ri të ndikimit mjedisor.

Konventa e Bernës e njohur ndryshe edhe si Konventa për Ruajtjen e Jetës së Egër dhe Habitatet Natyrore Evropiane është një instrument juridik detyrues ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes dhe ruajtjes së natyrës. Shqipëria e ka nënshkruar këtë Konventë në vitin 1995 dhe ka hyrë në fuqi në maj të vitit 1999.

Dy muaj më parë Aleanca për Mbrojtjen e Ligatinave të Mesdheut, një grupim organizatash për mbrojtjen e mjedisit i dërguan një letër kryeministrit shqiptar Edi Rama, Komisionit Europian dhe Organizatës Ndërkombëtare për Transportin Ajror, (IATA), ku kërkojnë pezullimin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës në Lagunën e Nartës. Letra ishte firmosur nga 33 organizata mjedisore nga të paktën 27 shtete në rajon.

Gjykata e Tiranës ka në shqyrtim, ndërkaq, një padi të depozituar në nëntor të vitit 2022 nga dy organizata mjedisore shqiptare, “PPNEA” dhe “AOS”, me mbështetjen e organizatës ndërkombëtare “EuroNatur”, që kundërshtojnë planin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës në Lagunën e Nartës.

Gjykata Administrative e shkallës së parë të Tiranës kishte vendosur në nëntor 2022 të mos pranonte padinë e depozituar të dy organizatave mjedisore shqiptare, por Gjykata Administrative e Apelit e ka rrëzuar këtë vendim duke u dhënë legjitimitet organizatave mjedisore të ballfaqohen në gjykatë me qeverinë lidhur me vendimmarrjen për ndërtimin e aeroportit.

Qeveria shqiptare nga ana e saj ka deklaruar se projekti për të ndërtuar aeroportin e Vlorës nuk prek zonën e mbrojtur të Nartës, por përkundrazi i jep zhvillim turizmit dhe gjithë qarkut.

Sipas autoriteteve qeveritare në thelb projekti parashikon investim në zonën ku dikur ka qenë aeroporti i vjetër dhe janë parë mundësitë që projekti të respektojë rregullat për mjedisin.

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi verën e këtij viti në rrjetet sociale të fotove që tregonin pistën e re të aeroportit të sapondërtuar u shpreh se punohet me ritëm të lartë me synimin për të ulur avionin e parë në verën e vitit 2025 në Aeroportin e Vlorës.

Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë është sipas vlerësimit të organizatave një ndër sistemet ekologjike më të rëndësishme në Shqipëri, ligatina e dytë më e rëndësishme në vend, shtëpi e llojeve të rëndësishëm të florës dhe faunës dhe pjesë e disa rrjeteve ekologjike ndërkombëtare, korridorit shtegtues të Adriatikut, me më shumë se 220 lloje shpendësh.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës nisi nëntor të vitit 2021 nga një konsorcium kompanish, ku 50 % e aksioneve zotërohej nga “Mabetex” e sipërmarrësit Behgjet Pacolli, në partneritet me kompaninë turke, “Yda Group”, e cila kishte 48 % të aksioneve , ndërsa 2 % i përkasin shoqërisë nga Kosova “2A Group Shpk”.

Në Mars të këtij viti shoqëria turke u tërhoq nga konsorciumi dhe Kompania “Mabco Constructions”, ka marrë në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pasi bleu me 4450 euro aksionet që zotëroheshin nga kompania turke.

Aeroporti i Vlorës shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh me një vlerë të parashikuar të investimit në rreth 104 milion euro./VOA



1 Comment

  1. me sa duket këta gjyqtarë kanë problem vetëm shantazhet në adresë të tyre prej Berishës dhe jo ato ndaj Shqipërisë.

    Pra dukshëm ata kanë tjetër standard për Malltezin, dhe tjetër standard për të tjerë, që nuk bëjnë shantazh mbi ta.Ja futen ne burg krahun kriminal dhe financiar si Brecani dhe rama qe e ka kapur drejtesine i liroje nga burgu dhendrin jamarber te tjerat i kuptoni vete o shpellkaret e salihut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *